Live Stories from Prishtina

LIVE

March 13, 2024

Nëse për shumicën e njerëzve Hotel Grandi në Prishtinë është konsideruar si pikë referuese për takim apo për të treguar vendndodhjen, ne sot do të ju prezantojmë me pesë adresa gastronomike që janë arsyeja pse rrugët Garibaldi, Luan Haradinaj-Pallati i Rinisë, Hajdar Dushi, Ukë Bytyqi dhe 2 Korriku kanë më shumë famë.

Me ushqim të frymëzuar nga toka jonë dhe nga kuzhinat botërore sot do të ju prezantojmë veçantinë dhe arsyet e domosdoshme pse ju duhet të vizitoni Metro Caffe, Ëmbëltoren Elida, Ponte Vecchio, Sonder dhe Ibrën-Kafet e Rakisë.

Metro Caffe- Rruga Garibaldi, Prishtinë

Nëse e keni lexuar faktin se macchiato-ja më e mirë në botë është në Kosovë, këtë fakt ua vërteton Metro Caffe të cilën në mëngjes mund ta shoqëroni me croissant-ët e mbushur me çokollatë. Funksionale menjëherë pas viteve të 2000-ta, Metro Caffe i ka rezistuar kohës dhe konkurencës së tregut pothuajse tash e 20 vjet. Përveç kafes, menyja ushqimore e Metros ndahet në dysh- sallata dhe sandwich-a në gjashtë shije të cilat gjithmonë, që nga fillimi kanë shijuar njësoj. Sipas meje shija më e mirë qëndron tek sallata dhe sandwichi pulë-misër (të cilën fillimisht e provova me sugjerim të mikut tim), pa përjashtuar edhe atë të tunës, proshutës, curry, mexican etj. Ajo që do ta kompletojë vizitën tuaj pas ushqimit është pitja me mollë dhe puding të nxehtë. Interieri i Metros ruan thjeshtësinë me karrige dhe tavolina të drurit. Mbi të gjitha, diçka që secili vend duhet ta posedojë është stafi mikpritës dhe shërbimet e menjëhershme të cilën Metro e ka 10/10. Kosova mund të mos posedojë metro por Prishtina ka një Metro.

 

Ëmbëltore Elida- Rruga Luan Haradinaj-Pallati i Rinisë, Prishtinë

Unë, “Elidën” e quaj epiqendra e rinisë së Prishtinës në vitet e ’70-ta. Me vendndodhjen dhe produktet e njëjta tash e katër dekada, Elida konsiderohet si nostalgjia e çdo qytetari të Prishtinës dhe kujtdo që të paktën një herë në jetë ka qenë në këtë ëmbëltore. Elida, ishte aq shumë pjesë e jetës kulturore të Prishtinës sa që Ministria e Kulturës e vendosi në listën e trashëgimisë së përkohshme të mbrojtur në vitin 2017. Akulloren, krempiten , indiankat dhe limonadën më të mirën ndonjëherë do ta provoni tek Elida. Ajo është jackpoti i një mesdite ose mbrëmjeje. Sipas shijes së Erletës, kombinimi i akullores jogurt dhe fruta mali, stabilizon shijen tuaj pas ushqimt të drekës.

Ponte Vecchio- Rruga Fehmi Agani, Prishtinë

Një Itali e vogël e vendosur në Prishtinë. E pozicionuar në një qoshe të rrugës Fehmi Agani, Ponte Vecchio, tregon historinë e një familjeje shqiptare e cila migroi në Gjermani para luftës, qëndruan tek një familje italiane ku morrën zanatin e gatimeve tipike italiane dhe u kthyen në Kosovë për të dhënë kontributin e tyre në vendlindje. Krejt çka duhet të provoni në Ponte, janë pastat, picat, llazanjat dhe tiramisunë nëse ju mbetet ende hapësirë për të ngrënë pas një dreke italiane. Erleta ju sugjeron pjatën gjysmë pasta ponte dhe gjysmë picë rukola. Ngrohtësia që famija Sheholli do ju dhurojë do të përmbush çdo pjesë të kënaqësisë tuaj.

 

Sonder- Ukë Bytyqi, Prishtinë

Prej përzgjedhjeve të adresave më lartë, Sonder-in, e konsideroj vend më veror. Edhe pse rruga deri tek Sonder mund të ju lodh nëse jeni në këmbë (nëse vini si nga Katedralja dhe drejtë menzës së studentëve), gjithçka do të harrohet pasi të shkelni brenda hapësirave dhe pasi të provoni këtë që unë ju sugjerojë. Kuzhina dhe menyja në Sonder, mund të konsiderohet se është frymëzuar nga ajo botërore. Ajo çka unë gjithmonë porosis është bagel (gjevrek) me gjel deti të cilën mund ta shoqëroni me birrë ose thjeshtë ujë. Përveç hapësirave brenda, Sonder posedon edhe pjesën e kopshtit- perfekte për netët e verës.  Sonder është një vend i këndshëm për të kaluar pauzën e punës, për të ngrënë, për të pirë ngadalë kafe dhe për të shijuar qetësisht kohën duke folur me miqtë.

Ibra, Kafet e Rakisë- Rruga 2 Korriku

Kafet e Rakisë sigurisht që janë “fenomen në vete”, ushqim i shpejtë, pije dhe çmimet më të përballueshme në kryeqytet i gjen vetëm në këtë rrugë. Identiteti i tyre lidhet me historinë e rezistencës së lokaleve tjera të renditura aty (Tirana, Baroni, Pijetorja, Charlie etj) në kohët më të vështria për Prishtinën. Ibra, vendi i cili ka pritur gjenerata e gjenerata, veçohet për cilësinë dhe përgatitjen e mrekullueshme të mishit. Tejet i thjeshtë në dukje, Ibra është adresa që mund ta zgjedhësh për pauzë/drekë apo edhe për argëtim me shoqëri në mbrëmje në të gjitha stinët.