Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
11 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Në një botë si kjo e jona, ku të largohesh është e lehtë, ndërsa të qëndrosh i angazhuar në gjërat me të cilat merresh dhe të dhurosh përherë nga vetja diçka, është e vështirë, vlerëso personat që zgjedhin të qëndrojnë. Ata që flasin të vërtetën, luftojnë që (çkado që është mes jush ajo lidhje) të funksiononi dhe që zgjedhin të rriten me ju.
Çka ndodhi dje n’Kosovë?
Ngërçi në konstituimin e Kuvendit ka prodhuar edhe pasoja për buxhetin. Vetëm nga mosmiratimi i ndryshimeve në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, të cilin e ka kërkuar Gjykata Kushtetuese, kostot në procedura gjyqësore pas padive të mijëra punëtorëve, pritet t’i kushtojnë shtetit 35 milionë euro.
E tash një rikujtim, se këtyre sherrin një popull ua sheh:
Kur u miratua Ligji për Pagat në Sektorin Publik, u parapa që ligji uli përqindjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.5 për qind në 0.25 për qind për secilin nga 15 vjetët e parë të punës. Më 1 shkurt 2024, Gjykata konstatoi se kjo ulje është në kundërshtim me Kushtetutën dhe obligoi Kuvendin që deri më 1 gusht 2024 ta ndryshojë dispozitën, duke e kthyer përqindjen e shtesës në të paktën 0.5 për qind.
Por rreth 15 muaj pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit dhe 9 muaj pas afatit kushtetues për plotësim të ligjit, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe aktualisht është pa fuqi legjislative meqë nuk është i konstituuar.
***
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për herë të parë pas publikimit të fundit të organizatës së “Reporterëve pa Kufij”, ku Kosova është renditur e 99-ta, në indeksin global të lirisë së medias. Këtë raport, ai e ka cilësuar shqetësues, por sipas tij, përgjegjësia nuk qëndron te qeveria, por te vetë mediat.
“Në Kosovë mediat janë të lira. Gjendja ku kanë rënë edhe në rënie të besimit publik është jo si pasojë e ndikimit te qeverisë, po e kontrollit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizimit, e për ketë si Lëvizje Vetëvendosje e kemi thënë edhe kur ishim në opozitë, e mund ta zbatojmë kollaj si qeveri profesionalizimin gjithnjë më të madh me sa më shumë media në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Lum ne që kemi një qeveri kaq të pafajshme dhe aq të gatshme për të na “profesionalizuar” mediat. Mos i mbyll, mos i kërcëno, thjesht “profesionalizoji”.
***
Mbrëmë, më 10 maj, skena e muzikës elektronike festoi 15 vjetorin e Rave me një ngjarje të paharrueshme, në AMC hall, ku ritmi dhe energjia u ndjenë deri në orët e para të mëngjesit. Në qendër të festës ishte Sama’ Abdulhadi, një nga figurat më të njohura të techno-s nga Lindja e Mesme, e cila elektrizoi publikun me setin e saj eksploziv.
Line-up-i i mbrëmjes përfshinte gjithashtu Fadi Mohem, George Adi, Uran B. dhe Ya Z an, të cilët sollën secili stilin e tyre unik dhe mbajtën gjallë frymën e skenës “rave” ndër vite.
***
Në një vend ku as ligji s’bëhet dot ligj dhe as liria s’e di më ku fillon e ku mbaron, mbetet e çmuar vetëm ajo që buron prej njerëzve: përkushtimi, muzika, dhe ata që përkundër gjithçkaje zgjedhin të qëndrojnë. Të vërtetët. Të pandryshueshmit. Të paemëruarit që e mbajnë këtë vend gjallë, derisa të tjerët flasin për profesionalizim.