Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Shkurt, 2026

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Njerëzit janë të krijuar për të krijuar, andaj shumë shpesh ndihemi sikur gjithçka është shumë e vështirë, kur krejt çka bëjmë është kunsomojnë.

Çka ndodhi këto ditë në Kosovë?

Ditët e numëruara ecin shpejt, po kësaj herë nuk po besoj që ka njerëz që po presin të numërojnë, se tashmë është tepru. Numërim për mos me dal në faza të reja, por me mbetë në faza të njëjta.

Më pak se një javë ditë kanë mbetë në zgjedhjen e presidentit të vendit dhe deri më tani nuk ka asnjë “pajtim mes palëve partiake” për një emër.

Ai për të cilin me gjasë shumica do ta votonin për këtë rol, tha se nuk e do këtë pozitë. Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit e dha një përgjigje që brenda përgjigjjes gërshetohen disa ndjenja të atyre që e dëgjojnë. Krenari, për mënyrën se si Rifati e mendon këtë çështje dhe dhimbje për peshën që bartë në supe.

Tha se familja Jashari, i takon tonë Kosovës:

“Vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, ruana Zot ndonjë luftë civile, ndonjë rrezik i madh kombëtar ku cenohet bërthama e kombit tonë dhe e vendit tonë, atëherë kush jam unë të mos sakrifikohem për këtë vend? Pra, unë jam gjithmonë i gatshëm, me gjithë fëmijët që m’i ka falë Zoti, të sakrifikohem për këtë vend”, tha ai.

Phaaa… çfarë përgjigje <3

***

Nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon në zgjedhje të reja.

Dje profesori universitar Arsim Bajrami, e shpalli kandidaturën e tij për rolin e presidentit, duke kërku mbështjetjen e gjitha partive,

Përmes një letre publike, ai ka kërkuar unitet nga partitë parlamentare dhe është ofruar si kandidat “konsensual”.

Sipas Kushtetutës, kandidati duhet të sigurojë të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Presidenti zgjidhet me 2/3 e votave në dy raundet e para; nëse dështon edhe raundi i tretë, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje brenda 45 ditësh.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur synimin për një mandat të dytë. Por votat e shumicës aktuale nuk mjaftojnë, ndaj nevojitet mbështetje nga opozita.

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime me liderët e opozitës, Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza, por pa rezultat konkret deri tani.

Nga Partia Demokratike e Kosovës është thënë se presidenti duhet të jetë figurë mbi partitë, jo përfaqësues i një krahu të vetëm. Edhe Lëvizja Vetëvendosje e pranon se pa votat e opozitës nuk arrihet shumica e nevojshme.

Analistët theksojnë se pa kompromis politik, rreziku i një krize të re institucionale është real.

Nëse pozita e presidentit është kaq “pazar”, pse nuk kqyrim me ndërru, duke e bo këtë pozitë të votohet vetëm nga populli.

Kryetari i vendit, si zë unifikues pse nuk zgjidhet prej vetë popullit?!

***

 

Ka nisur një proces i ri që e akuzon Thaçin dhe disa të tjerë se kanë tentuar të ndikojnë dëshmitarët dhe të pengojnë drejtësinë, ndërsa mbrojtja i mohon kategorikisht këto pretendime.

Prokuroria ka publikuar audio-incizime ku pretendon se dëgjohet Thaçi duke i dhënë udhëzime Fadil Fazliut për të ndikuar te dëshmitarët në procesin tjetër më të madh ndaj tij për krime lufte. Sipas akuzës, ai i ka kërkuar që një dëshmitar të deklarohet shkurt, me “po” ose “jo”, dhe të mos zgjatet në mënyrë që të shmangen rrëshqitjet gjatë dëshmisë.

Po ashtu, gjatë bastisjeve në shtëpinë e Isni Kilajt janë gjetur copa letre të grisura, për të cilat Prokuroria thotë se përbëjnë deklaratë konfidenciale të një dëshmitari të mbrojtur. Sipas tyre, kjo lidhet me përpjekje për ta ndryshuar ose ndikuar dëshminë. Prokurori Joshua Hafetz dhe kryeprokurorja Kimberly West kanë deklaruar se ka pasur ndërhyrje sistematike ndaj dëshmitarëve dhe shkelje të rregullave të paraburgimit.

Në këtë rast janë të akuzuar edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuqi. Ata përballen me akuza për tentativë pengimi të zyrtarëve, mosbindje ndaj gjykatës dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Të gjithë e kanë mohuar fajësinë. Avokatët e tyre kanë deklaruar se nuk ka prova që klientët e tyre kanë ndikuar te dëshmitarët apo kanë vepruar sipas ndonjë udhëzimi.

Një situatë që e mban shoqërinë kaq të ndarë emocionalisht, mes atyre që e përjetojnë si goditje ndaj figurave që i konsiderojnë themelore për shtetin dhe atyre që duan ta përmbyllin një kapitull, e në fund atyre që nuk duan që historia e shtetit të ndërroj.

***

Nëse jemi të krijuar për të krijuar, atëherë pse politika jonë po sillet sikur është e krijuar vetëm për të mbijetuar?

Një vend që pret konsensus si të ishte mrekulli, një familje që na kujton se sakrifica nuk është dekor për post, një profesor që ofrohet si zgjidhje, një presidente që kërkon mandat tjetër, një opozitë që flet për figura mbi palët.

Ndërkohë bota lëviz. Tarifat rriten, ekonomitë tronditen, rajoni mat goditjet edhe ne matim… raunde votimi.