Live Stories from Prishtina

LIVE

12 Shtator, 2025

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Shqipërinë tonë. Paper ndanë me ty!

Ky është një rrugëtim i ri:

Kuvendi i Shqipërisë nisi sot (12 shtator) zyrtarisht Legjislatura e XI. Seancën e parë e hapi deputeti socialist Vasil Llajo, si më i vjetri në moshë, pasi këtë rol e refuzuan Sali Berisha dhe Tritan Shehu.

Opozita bllokoi disa herë foltoren dhe refuzoi të propozojë 3 emrat për Komisionin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve. Kjo bëri që mazhoranca të miratojë me votat e saj 6 anëtarët e saj të komisionit, ndërsa pas kësaj procedurë seanca u mbyll për t’u rinisur në orën 17:00, ku pritet të bëhet edhe betimi i 140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Rama merr mandatin për qeverinë e re

Sot presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mandatoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për formimin e qeverisë së re – Rama 4.

Një ditë më parë, Rama mbajti fjalimin në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku e përshkroi mandatin e ri si historik për Shqipërinë.

Në fillim të fjalës, ai e hoqi pataten e nxehtë nga duart. Ai trajtoi çështjen më të nxehtë të kryeqytetit, ku prej shtatë muajsh Bashkia e Tiranës drejtohet në kushtet e pezullimit, pasi kryetari Erion Veliaj ndodhet në paraburgim. Më 10 shtator, dosja e tij shkoi në gjykatë me 9 akuza, ndërkohë që Tirana, si qendra kryesore e vendit, nuk mund të mbetej në një gjendje të tillë.

Manastirliu, kandidate për Bashkinë e Tiranës

Rama zgjodhi të propozojë Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare të Bashkisë së Tiranës, duke e shoqëruar vendimin me kritika ndaj SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme. Ky hap nuk erdhi i papritur, pasi prej vitit të kaluar Manastirliu ishte emëruar bashkë-drejtuese politike e qarkut të Tiranës me fokus Bashkinë, gjë që shihej si sinjal se do të merrte drejtimin nëse Veliaj largohej.

Në kontekst historik, Bashkia e Tiranës ka qenë shpesh trampolinë politike: Rama e përdori për të hyrë në qeveri, Basha për t’u bërë kryetar i PD-së dhe Veliaj për t’u ngjitur në nivelet më të larta të PS-së. Emërimi i Manastirliut mund të shënojë një pikë kthese, duke ndalur këtë traditë të Tiranës si “paradhomë” për karrierë politike.

Manastirliu ka një profil të fortë politik, duke drejtuar për shumë vite Ministrinë e Shëndetësisë gjatë pandemisë, si dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve.

Reforma institucionale – më pak deputetë

Në të njëjtin takim, Rama propozoi uljen e numrit të deputetëve në Kuvend nga 140 në 101, duke lënë të hapur edhe mundësinë e një reduktimi më të madh. Ai e arsyetoi këtë me “teprinë e numrit të deputetëve”, duke përmendur se në 10 legjislaturat e fundit kanë qenë gjithsej 1136 ligjvënës.

Ky propozim shihet si një dorë e shtrirë ndaj opozitës, pasi për një reformë kushtetuese nevojiten 93 vota, ndërkohë që PS ka 83. Rama e paraqiti këtë si hap për dialog dhe si pjesë të agjendës evropiane të Shqipërisë.

Dje Shqipëria u bë vendi i parë në botë që ka emëruar një ministre virtuale të krijuar nga inteligjenca artificiale.

“Emri i saj është Diella, që do të thotë diell në shqip, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për të gjitha prokurimet publike. Diella është anëtarja e parë që nuk është fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga inteligjenca artificiale”, tha kryeministri Edi Rama.

Premtimet sociale për vitin 2026

Pjesë e programit të ri të Ramës në premtime elektroale ishin edhe masat sociale të paralajmëruara më herët, të cilat do të nisin nga 1 janari 2026:

Rritja e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë.

Rritja e pensioneve deri në vitin 2029, pensioni minimal të arrijë 20 mijë lekë dhe mesatari 40 mijë lekë, sipas dokumentit që po hartohet me Bankën Botërore.

Bonusi i bebes, për fëmijën e parë do të rritet nga 40 mijë në 300 mijë lekë, për të dytin në 420 mijë dhe për të tretin në 600 mijë lekë. Pagesat do të jepen çdo muaj deri në moshën 5 vjeç të fëmijës.

Këto masa synojnë të lehtësojnë jetesën, të mbështesin pensionistët dhe të nxisin lindshmërinë.