Java n’Kosovë
28 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Cilat lajme nga vendi, kultura e sporti ishin me rëndësi këtë javë që e përshkruan rrjedhën e mëtutjeshme.
Ka mundësi që nëse jo sot, këtë javë e shohim një zgjidhje për Kuvendin, i cili nashta jo në kapacitetin e tij të fuqishëm por me kapacitetin “ta shtyjmë diçysh!”, po.
Me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila po i kushtëzon deputetët të konstituojnë kuvendin në afat 30 ditor, partitë kanë reflektuar duke lënë një takim për sot, i cili është duke u mbajtur në këta minuta.
Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese nuk ka saktësuar si duhet vepruar me formën e votimit dhe as nuk ka sqaruar se çfarë do të ndodhë pas 30 ditësh, po qe se deputetët nuk e konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit.
Vendimi i Kushtetueses ka krijuar interpretim të dyfishtë:
VV e sheh si mundësi për të vazhduar me votim të fshehtë, ndërsa partitë opozitare e shohin si ndalim për ta ndryshuar rendin e ditës në seancën konstituive.
PDK po thotë që ndërrimi i rendit ndodh në seanca parlamentare, por jo në ato konstituive.
Knej Albulena Haxhiu po thotë që nëse me votim të fshehtë nuk i merr 61 vota, atëherë tërhiqet nga propozimi/kandidimi.
Por poashtu kjo situatë mundëson një debat më të thellë kushtetues mbi procedurat e Kuvendit.
Tash a i ka VV-ja disa deputetë që e dinë “që mund t’i peshkoj” nga partitë tjera me votim të fshehtë apo arrihet ndonjë marrëveshje mes partive, ajo mbetet të shihet!
Shumë e komentuar ka qenë edhe deklarata e deputetit Enver Hoxhaj në Rubikon, i cili ka deklaruar disa opsione që të dilet nga bllokada.
Ndër to edhe një “koalicion LVV-PDK”! Çka nëse ndodh sot? Çka nëse deklarata e Hoxhajt është edhe dëshirë e shprehur brenda PDK-së?
****
Arti i tij ka prekur qiellin e New Yorkut në një prej institucioneve artistike më me nam në botë, Muzeun Metropolitan. Petrit Halilaj këto ditë u është kthyer rrënjëve. Në gjakun e tij flejnë rrëfimet që lidhen me vendlindje. Si fillim i hulumton rrëfimet e vendlindjes dhe i shpërfaq si vepra arti në botë.
Kësaj radhe është në finalizim të operës “Syrigana”, pikërisht në fshatin Syriganë të Skenderajt. Premiera botërore e saj do të jepet të dielën mbrëma.
Prej këtij projekti dëgjova për herë të parë që Eva e Adami sipas banorëve lokalë, janë martuar aty në Syriganë.
“Kjo tregohet me operë, por ne të gjithë e dimë se kur Adami dhe Eva kanë ardhur këtu nga nivele të tjera, do të thotë i kanë kaluar shtatë qiejt dhe janë sjellë gjithandej derisa kanë ardhur në Runik dhe këtu ka pasur njerëz”, ka thënë ai në një intervistë në ktv.
Ky projekt është shumë i rëndësishëm për të. Do ta dërgoj në ekspozitën personale në “Hamburger Banhof” në Berlin.
“Atje do të jetë edhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, edhe trupa e aktrimit e grupi i muzikës shqiptare të dasmës. Do ta kallim në Berlin. Mezi nuk po pres”, ka thënë tutje ai.
****
Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” ka shpallur programin garues për edicionin e 24-të, i cili sivjet përfshin 99 filma nga e gjithë bota, të përzgjedhur nga mbi 3,500 aplikime – një tjetër rekord për këtë ngjarje kulturore që vazhdon të ruajë pozitën e saj të pathyeshme në skenën ndërkombëtare, pavarësisht sfidave ekonomike. Organizatorët kanë paralajmëruar se janë përballur me vështirësi financiare për shkak të shkurtimit të subvencioneve nga Komuna e Prizrenit, çka ka ndikuar jo vetëm në aspektin buxhetor por edhe në reputacionin institucional të festivalit. Megjithatë, “DokuFest” vazhdon të mbajë standardin e lartë artistik, me një program që reflekton zhvillimet globale dhe përqendrohet në tema autentike e aktuale, duke dëshmuar edhe një herë forcën dhe rëndësinë që ka në fushën e filmit dokumentar dhe të shkurtër në rajon dhe më gjerë.
“DokuFest” zhvillon edicionin e 24-t prej 1 deri më 9 gusht në Prizren. Tradicionalisht filmat shfaqen gjatë gjithë ditëve të festivalit në hapësira të destinuara për shfaqje filmash si kinematë “Lumbardhi” e “DokuKino”, por ngrihen edhe hapësira atraktive të improvizuara si kinema në ambient të hapur.
***
I dashur lexues, do të vijnë ditë që do të kalojnë pa bujë, por me peshë. Ditë kur do të të duhet të heqësh dorë nga gjërat që dikur të mbanin gjallë nga zakonet që të bënin të ndiheshe i sigurt, nga njerëz që i deshe pa masë dhe nga ëndrrat që i kishe ndërtuar me kujdes e durim. Do të vijë një moment kur do ta kuptosh se nuk është dorëzimi ai që të rrënon, por pranim i qetë i asaj që nuk mund të ndryshohet dhe pikërisht atëherë, do të fillosh të jetosh një jetë më të vërtetë.