Arkiva
2 Shtator, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Sekreti i jetës, lexues i dashur, është se në jetë gjithmonë e kemi dikë që na do më shumë se sa ne mund ta imagjinojmë dhe anasjelltas, ti do dikë më shumë se sa ata mund ta imagjinojnë.
Do të doja që kur të zgjohesh sot, gjërat që do t’i lexoje nga e diela të ishin vetëm për fillime të mbara, por jo! Shpresoj që shtatori të mos përfundojë ashtu si nisi dje!
***
Dy grupe prej familjeve të ndryshme kanë filluar një konflikt që ka përfunduar me një të vdekur dhe pesë të plagosur. Arsyet e të cilave nuk kanë nevojë as të diskutohen kur arrihet te vrasja. Vrasja është akti më kriminal, apo jo lexues? Pse duhet të diskutojmë “çfarë shpiu deri te vrasja” kur tashmë ajo veçse ka ndodhur? Shpresoj që të mos ketë të lënduar të tjerë, por çështje me po aq rëndësi është rrezikimi jetësor i banorëve të tjerë në rrugën Gazmend Zajmi. Në po atë orë, edhe rruga ka pasur kalimtarë të rastit që kanë mundur të pësojnë. Kush po i merr parasysh këto pasoja, dëme emocionale e shpirtërore?
***
Shkollat prej dje janë duke paralajmëruar se janë gati për fillimin e ri të shtatorit. Prishtina ka filluar zbatimin e një pilot-projekti të ri me mësim tërë-ditor. A është situatë lehtësuese për familjet ku dy prindërit punojnë? Kur më herët kanë paguar qëndrime ditore për gjysmën e parë të vitit, a është proces më i mundimshëm për këtë gjeneratë? Po subvencionimi i librave? A e dini që komuna e Hanit të Elezit dhe Kaçanikut nuk kanë librari fare? Ata detyrohen të shkojnë në Ferizaj apo kryeqytet për t’i blerë librat. Imagjino tani familjet që shpesh nuk kanë karburant për veturë e duhet të shkojnë në qytete krejt tjera për libra, e le më të presin deri të dalin mjetet??? Ka pasur mundësi që kjo situatë të jetë më e thjeshtë.
***
Për urën e Ibrit, trupat paqeruajtës të KFOR-it, NATO-s, ish-komunat paralele, shkallëzim e përshkallëzim, asgjë s’ka ndryshuar. Serbia po shpërblehet, ne e kemi ngrënë duke qenë të pamaturit.
***
Arsyeja pse e dua jetën është se gjithmonë ndodhem në një situatë ku mendoj që: tash përfundoi, gjithçka mori fund, nuk do t’ia dal! Kur në fakt, çdoherë e sheh që prapë e kalon.