N’Kosovë
3 Korrik, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Nuk mund të bëhemi ajo që kemi nevojë të jemi, nëse mbetemi gjithmonë ata që jemi tani. Ëndrrat tona nuk mund të përmbushen nëse qëndrojmë brenda kufijve të zakonit, frikës apo rehatisë. Për të arritur versionin më të mirë të vetes, duhet të kemi guximin të sfidojmë veten, të lëmë pas identitete të vjetra dhe të hapemi ndaj të panjohurës.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka gabuar nëse ka thënë ndonjëherë “unë do ta hap Urën e ibrit”.
Ai në “Tëvë1”, ka thënë se beson që duhet të hapet e do të hapet.
Por, Kurti thotë se nuk e ka thënë që të ketë fërkime me karabinierët italianë por sipas tij, me karabinierët italianë bisedojnë vazhdimisht si të hapet kjo urë.
***
Presidentja Vjosa Osmani u ka kërkuar liderëve të partive politike që deri në fund të korrikut të gjejnë zgjidhje për bllokadën me konstituimin e legjislaturës së re.
Këtë Osmani e ka thënë pas takimeve të ndara që i ka zhvilluar të mërkurën me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtin, atë të Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqin, të Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhikun dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajn, në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për daljen nga kriza institucionale pas aktgjykimit të nxjerrë javën e shkuar nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka dhënë vendim që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh. Meqë një afat i tillë nuk ka qenë i përcaktuar më herët, sipas vendimit të gjykatës, konstituimi në situatën aktuale duhet të bëhet deri më 26 korrik.
***
Pacientët që janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së janë detyruar që t’i sigurojnë vetë disa nga barnat bazike. Ata treguan për mungesën e glukozës, antibiotikëve, vitaminave, albuminave e edhe disa barnave kundër kancerit.
Situatë e ngjashme me mungesë të ilaçeve është edhe në klinika të tjera. Pacientët që janë trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë kanë treguar për mungesë të disa produkteve.
***
Një tender i ndarë në dysh peshon me letra 2.5 milion euro, prej të cilave 1.2 milion janë paraparë për rinovimin e objektit të teatrit të Ferizajt, “Adriana” e 1.3 milion euro për teatrin “Oda”. Ani pse tenderi është hapur, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, për “Adrianën” figurojnë vetëm 200 mijë euro dhe nga gjysmë milioni për dy vjetët që vijnë, e për “Odën” nuk figuron buxheti. Për ata që veprojnë në këto dy objekte, hapat drejt rinovimit janë lajm i mirë dhe përgjigje ndaj një kërkese të kahershme, përderisa shpresojnë që projekti të mos zvarritet.
***
Burimi ynë natyror më i çmuar janë mendjet e fëmijëve tanë.
Në to ndodhen idetë që ende s’i kemi imagjinuar, zgjidhjet për problemet që ende s’i kemi hasur, dhe shpresa për një botë më të drejtë e më të mençur. Ndërsa ne shpesh i kushtojmë vëmendje pasurive tokësore, mineraleve apo teknologjisë, harrojmë se e vetmja pasuri që ka fuqi të krijojë, të udhëheqë dhe të ndryshojë historinë është mendja që mëson, pyet dhe ëndërron. Të investosh në arsim, në kuriozitet dhe në lirinë mendore të fëmijëve, është të investosh në të ardhmen e njerëzimit.