Live Stories from Prishtina

LIVE

20 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, jeta do të jetë e bukur, aq e bukur sa ti guxon të ëndërrosh. A e kupton ku vihet theksi në këtë fjali? Tek ti! Je ti! Kur ti ke guxim ta shohësh veten në atë shtëpinë tënde të madhe në mal, pastaj të hënën të zgjohesh herët për t’ua ndarë punët ekipit tënd, më beso, kjo ëndërr bëhet realitet.

***

Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

Teksa këto ditë më së miri mund t’i përshkruajnë karikaturat e Jeton Mikullovcit, krejt çka mund të flasim për ngjarjet e këtyre ditëve e deri më 9 shkurt, sillen rreth zgjedhjeve.

Gjithçka që lidhet me luftën shfrytëzohet në fushatë apostafat. Të dielën, fushatën zgjedhore kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, e zhvilloi në Shtime dhe Ferizaj. Për qytetarët e Komunës së Shtimes, ku partia e tij udhëheq tash e gati 4 vjet, ndër të tjera premtoi ndërtimin e kompleksit memorial të Masakrës së Reçakut.

Kurse çdo premtim i kësaj partie lidhet me diçka që qeverisjet e kaluara e kanë shkatërruar, ndërsa në këtë mandat këta e kanë nisur dhe në tjetrin që vjen kanë për ta përfunduar.

***

Në anën tjetër, kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, po premton në atë që shquhet: rritje të pagave dhe pensioneve. Madje, diku kishte thënë që nëse veç bëhet kryeministër dhe këto dy premtime nuk i realizon, ai më 31 dhjetor 2025 do të japë dorëheqje nga pozita e tij.

“E di koston e saj, i di vështirësitë për t’u bërë, por e di gatishmërinë, vendosmërinë edhe nevojën për t’u bërë, dhe do të bëhet. Në muajt e parë të mandatit, 50 përqind e rritjes së pagave”, ka deklaruar Hamza.

***

LDK ka disa bastione që e thërrasin emrin e saj me vite, si Fushë-Kosova, Istogu dhe Peja.

Nëse dy partitë më të mëdha opozitare nuk i mbajnë këto vende ku e kanë vatrën, më s’di as për çka vlejnë. Në kuvend, në këtë mandat, s’është se e kanë bërë namin!

Në vendlindjen e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se do ta ndryshojmë sloganin për ndryshimin, sepse, sipas tij, ndryshimi ka ndodhur.

Abdixhiku tha se slogani i ri i LDK-së është “Krejt Kosova LDK.”

Në fushata më shumë bëhen thirrje për njerëz të fortë sesa për atë çka kanë për të ofruar këta persona personalisht.

***

Më 18 janar, Episode e festoi 23-vjetorin e krijimit. E njohur për muzikën elektronike që e kanë sjellë prej fillim viteve 2000-ta në Kosovë, në disa vende ata i përshkruajnë si meritues të skenës së clubbing që e kemi në Prishtinë.

DJ-të e parë rezidentë të saj, Likatek, Naka dhe Uki, dhe ata të tashëm, Besa M dhe Çuç, dhanë një natë konsistente, ku u ofrua muzikë elektronike e pakompromis.

***

Kur fushata mbaron dhe heshtja mbulon qytetin, mbetet zëri i njerëzve – i vërtetë, i thjeshtë, i drejtë. Ajo është fuqia e vetme që s’e zhbën as premtimi i kotë, as fjala e shitur.