Bota
22 Qershor, 2026
Mijëra poezi ranë me 20 qershor mbi Plaça Nova, pranë Katedrales së Barcelonës, në kuadër të performancës artistike “Bombardimi i Poezive”, një projekt ndërkombëtar i kolektivit nga Kili “Casagrande” që prej më shumë se dy dekadash transformon kujtesën e luftës në një akt poetik.
Plaça Nova ndodhet në një prej zonave që përjetoi nga afër tmerrin e bombardimeve gjatë Luftës Civile në Spanjë.
Midis viteve 1937 dhe 1939, Barcelona u godit nga 1.903 bomba, mbi 2.700 persona humbën jetën dhe rreth 7.000 të tjerë u plagosën. Lagjja e Katedrales ishte ndër më të dëmtuarat, me sulme që lanë pas qindra viktima.
Pikërisht këto vende zgjedh Casagrande për performancat e saj.
Herën e fundit, në vitin 2025 performanca u organizua për të përkujtuar 85-vjetorin e bombardimit gjerman të Rotterdamit më 14 maj 1940.
Atë ditë, avionët nazistë hodhën rreth 1,400 bomba mbi qytet, duke shkatërruar qendrën historike dhe duke vrarë afërsisht 1,000 civilë. Tetëdhjetë e pesë vjet më vonë, nga i njëjti qiell u hodhën mesazhe krejtësisht tjera.
Projekti “bombardimi i poezive” lindi në Santiago të Kilit në vitin 2001. Frymëzimi erdhi nga bombardimi i pallatit presidencial La Moneda gjatë grushtit të shtetit të vitit 1973, kur regjimi i Augusto Pinochet rrëzoi qeverinë e Salvador Allendes.
Që nga ajo kohë, performanca është organizuar në qytete të ndryshme që kanë përjetuar shkatërrime nga bombardimet, si Dubrovniku, Guernica, Varshava, Berlini, Londra, Milano, Madridi, Rotterdami dhe së fundi Barcelona.
Poezitë shtypen në bookmars të vogla dhe lëshohen nga avioni mbi qytetet e caktuara. Njerëzit i kapin ato teksa bien nga qielli, i lexojnë dhe shpesh i shkëmbejnë mes tyre.
Në publikimin në researchgate, rreth idesë “war changes words: bombing of poems, Rotterdam, 2025”; organizatorët kanë theksuar se në asnjë nga qytetet ku është mbajtur performanca nuk kanë mbetur poezi të hedhura në tokë, sepse pjesëmarrësit i marrin me vete si kujtim.
Sipas “Casagrande”, lufta nuk shkatërron vetëm ndërtesat, ajo e ndryshon gjuhën, kujtesën dhe mënyrën se si njerëzit e kuptojnë botën. Kur një qytet bombardohet, nuk humbin vetëm muret dhe rrugët, por edhe simbolika, identiteti dhe rrëfimet që e kanë ndërtuar atë komunitet.
Për këtë arsye, poezia është gjetur si mjet nga ky kolektiv për të rikthyer fjalën dhe lirinë e shprehjes aty ku dikur mbizotëronte dhuna.
Në Rotterdam u përzgjodhën 100 poezi nga 100 poetë 50 nga Kili dhe 50 nga Holanda. Poezitë u përkthyen në spanjollisht dhe holandisht dhe u shtypën në 100 mijë kopje biodegraduese.
Projekti përfshiu gjithashtu poezi të nxënësve vendas dhe një homazh për poeten nga Kili, Gabriela Mistral, në 80-vjetorin e marrjes së Çmimit Nobel.
Ngjarja u zhvillua në zonën Binnenrotte, pranë Kishës së Shën Lorencit, një nga ndërtesat e pakta historike që i mbijetuan bombardimit të vitit 1940. Më shumë se 4,000 persona u mblodhën për të parë poezitë që binin nga qielli dhe për të marrë pjesë në këtë akt simbolik.
Autori i studimit argumenton se performanca të tilla krijojnë një mënyrë tjetër për të kujtuar historinë. Në vend të ceremonive tradicionale dhe monumenteve statike, arti ndërhyn në hapësirën publike dhe i fton njerëzit të përjetojnë kujtesën në mënyrë aktive. Njerëzit jo vetëm kujtojnë të kaluarën, por bëhen pjesë e saj përmes një përvoje të përbashkët.
Në fund, autori lidh performancën me konfliktet e sotme në botë. Ai përmend bombardimet që vazhdojnë në vende si Ukraina dhe Gaza, duke pranuar se një performancë artistike nuk mund t’i ndalë luftërat, megjithatë, arti mund të krijojë hapësira për të menduar, për të diskutuar dhe për të kujtuar se pas çdo bombardimi qëndrojnë njerëz, histori dhe jetë të humbura.
Mesazhi kryesor i projektit është se kujtesa nuk duhet të shërbejë vetëm për të kujtuar tragjeditë e së kaluarës, por edhe për të na ndihmuar të kuptojmë të tashmen dhe të imagjinojmë një të ardhme më humane.
