N’Kosovë
2 Maj, 2025
Për të gjithë ata që kanë ëndërruar ndonjëherë të jetojnë në Mozambik, Angola apo Mongoli, kemi lajme të mira: nuk keni nevojë të shpërnguleni! Thjesht hapni ndonjë portal në Kosovë dhe e ndjeni atmosferën.
Kosova është ranguar në vendin e 99-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, afër vendeve ku termi “gazetar investigativ” thuhet me zë të ulët, si të jetë fjalë e pistë.
Nga vendi i 75-të ku kishte zbritur vitin e kaluar, kjo organizatë për vitin 2025 e renditë Kosovën në vendin e 99-të, nga gjithsej 180 shtete, për të cilat e bën matjen.
Por jo, nuk është ndonjë garë për medalje të artë në autokraci është thjeshtë realiteti ynë demokratik, ku kemi rënë për 24 pozita. Një rënie aq elegante sa edhe Reporterët pa Kufij s’e kanë ditur ku ta vendosin shikimin: kah “ligji për Komisionin e Pavarur për Media” që të çon në gjumë, apo kah “bojkotimi i mediave para zgjedhjeve”, që të zgjon me shuplakë.
Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale dhe se “akuzohen padrejtësisht për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”.
Nëse nuk jeni ende të bindur se gjithçka është në rregull (spoiler: ja që nuk është), po i listojmë disa nga arsyet që e kanë nxitur këtë zhytje të lirë:
Sulme politike ndaj gazetarëve, me akuza të paqarta se “janë me armikun” që natyrisht s’ka emër, por ka peshë.
1. RTK
2.Ligji për Komisionin e Pavarur për Media
3.Bojkoti i mediave gjatë fushatave, sepse për çfarë tjetër janë zgjedhjet në demokraci, nëse jo për t’u mbyllur gojën mediave?
4.Ligji për qasje në dokumente publike
5.Vëzhgimi i gazetarëve
6.Hetimet e rasteve nga organet kompetente
Dikur krenaria e Ballkanit për lirinë e medias, Kosova sot e sheh veten pas Shqipërisë (80), Bosnjës (86), e mbahuni fort edhe pas Serbisë (96). Madje, Maqedonia e Veriut është në vendin e 42-të. Kemi përparuar, thonë… por drejt së kundërtës.
Në këtë pikë, ndoshta është koha të shpikim një indeks të ri: Indeksin e Lirisë për të mos folur. Aty mund të arrijmë vendin e parë pa konkurrencë.