Bota
15 Korrik, 2025
Soho House nuk është vetëm një rrjet klubesh, është një ide. Një mënyrë jetese për ata që e vlerësojnë stilin, përkatësinë dhe krijimtarinë. Dhe mbi të gjitha, është një histori që nisi si nevojë personale dhe u kthye në një fenomen global.
Gjithmonë më ka intriguar pyetja: çfarë i shtynë përpara sipërmarrësit? Çfarë e bën dikë ta dojë punën e tij të përditshme si mikpritës? Si duket rutina e një njeriu që mbanë mbi supe një rrjet global klubesh dhe hotelesh?
Përgjigjet ndonjëherë janë më afër se që mendojmë. Rasti i Nick Jones, themeluesit të Soho House, është dëshmi. Gjithçka nisi në një ndërtesë të vogël në 40 Greek Street, në katin sipër restorantit të tij Café Boheme në zemër të Soho-s në Londër. Ideja: të krijonte një hapësirë për krijuesit nga bota e artit, filmit dhe medias, larg klubeve elitare e të ftohta dhe t’ia vinte emrin Soho House.
Koncepti ishte i përzgjedhur por jo përjashtues: nëse nuk të interesonte arti, nuk kishe ç’të kërkoje aty përveç nëse ishe i ftuar si mysafir.
Me kalimin e kohës, emri Soho u shndërrua në një kod mes artistësh, producentësh, dizajnerësh dhe madje edhe bankierësh me shpirt bohem. Jo falë marketingut agresiv, por sepse ishte një univers i mbyllur, që funksiononte vetëm për anëtarë – një vend që tërhiqte pikërisht për shkak të mungesës së zhurmës.
Sot, Soho House është pjesë e një fenomeni global të quajtur members-only clubs, klube private që pranojnë vetëm të përzgjedhur. Përveç tij, shembuj të ngjashëm janë The Arts Club në Londër e Dubai (themeluar më 1863 për profesionistë të artit e shkencës), Core Club në New York, Spring Place në Beverly Hills dhe Annabel’s në Mayfair – një ndër klubet më luksoze në botë që funksionon prej vitit 1963.
Edhe The Ned, projekt tjetër nga vetë Nick Jones, ndjekë të njëjtin model duke theksuar mikpritjen elitare në përmasa globale.
Nga një shtëpi e vetme në Londër më 1995, Soho House numëron sot 45 “shtëpi” anembanë globit nga New Yorku, Berlini, Mumbai e deri te Mykonos apo Los Anxhelosi. Secila me dizajn unik, ndriçim të ngrohtë, muzikë të kuruar dhe atmosferë që përzien luksin me një ndjesi intimiteti.
Ndryshe nga hotelet luksoze ku gjithçka blihet me para, Soho House është krijuar si një “shtëpi larg shtëpisë” për njerëz me stil dhe shpirt krijues. Në një intervistë për Bloomberg Breakfast, Nick Jones shpjegon se e nisi këtë rrugëtim sepse nuk arrinte të futej në klubet elitare të New York-ut ndaj krijoi një vend ku nuk pranohej statusi financiar, por autenticiteti dhe krijimtaria.
Procesi i anëtarësimit është selektiv: përveç tarifës vlerësohet profesioni, rrjeti shoqëror dhe ndikimi kulturor i aplikantit. Në fund, nuk është vend për këdo dhe kjo është pjesë e magjisë së tij.
Filozofia e Soho House ka mbledhur mbi 160 mijë anëtarë në mbarë botën. Në intervistat e tij, Nick Jones rrëfen me përulësi përvojën e tij si djalë disleksik që nuk përshtatej me shkollën tradicionale dhe nisi të punonte në kuzhinë, aty ku mësoi të kuptonte njerëzit dhe të lexonte nevojat e tyre.
As ai nuk ka qenë imun ndaj dështimeve. Restorantin e parë e quan “të tmerrshëm”, me shërbim të dobët dhe ushqim të keq. Por pikërisht këto përvoja formësuan aftësinë e tij për të ndërtuar diçka të jashtëzakonshme.
Sfidat janë reale: si të ruash autenticitetin në çdo qytet të ri pa u bërë kopje e vetvetes? Por nëse ka një gjë që historia e tij na mëson, është kjo: Nick Jones ka një talent të rrallë për të kuptuar boshllëqet në treg dhe për t’i mbushur me përkatësi dhe komunitet.
Kjo është arsyeja pse Soho House është reflektuar edhe në kulturën pop. Në serialin Sex and the City (sezoni 6), Samantha përpiqet të hyjë në Soho House New York me një kartë të huazuar – një moment komik që thekson rregullin e hekurt “vetëm për anëtarë”.
Në Inventing Anna (Netflix, 2022), refuzimi nga Soho House shërben si shenjë e vërtetë e statusit dhe ekskluzivitetit. Ndërsa në filmin Last Night in Soho (2021), lagjja e famshme londineze shndërrohet në sfondin nostalgjik të një historie që përzien modën, artin dhe fantazmat e së kaluarës.
Soho House London

Por magjia qëndron edhe në detaje. Në 40 Greek Street, ndërtesa gjeorgjiane ruan atmosferën e vjetër me dhoma si “Red Room” dhe “Blue Drawing Room”, mobilje tradicionale, soba zjarrdhanëse, art në mure dhe një oborr të shndërruar në bar me kopsht.
Soho House, Pera (Istanbul)

Në frymën e autenticitetit të vendeve dhe hapësirave ikonike, e vendosur në pjesën historike Pera e njohur poashtu si Beyoğlu, Soho House në Stamboll, është e vendosur brenda Palazzo Corpi, i cili u ndërtua në vitin 1873. Shtëpia ruan shumë karakteristika origjinale, të tilla si afresket e shekullit të 19-të dhe përfshin një hamam tradicional turk.
Teksa prej shtëpive më të famshme Soho, vendin e parë e mbanë Soho e Stambollit.
Soho House, Miami

Soho House Miami është ndoshta shtëpia më hedoniste e rrjetit. E vendosur në një ndërtesë art deco buzë plazhit në South Beach, ajo përzien estetikën tropikale me luksin bashkëkohor. Çatia me pishinë ofron pamje mahnitëse të oqeanit, ndërsa menuja ndërthur kuzhinën amerikane me ndikime latine dhe ushqim deti. Në darkë, ambienti transformohet në një skenë elegante me drita të buta, muzikë live dhe një ndjesi lirie që i përket vetëm Miamit – qyteti ku arti, festa dhe luksi bashkëjetojnë pa kufi.
Soho House, Brooklyn

Ndërsa në New York, interieri është më i errët dhe i rafinuar, me pamje mbi Manhattanin dhe një menu që përfshin brunch-et e të dielës dhe smoothies në krah të pishinës.
Soho House, Mumbai

Në Mumbai, Soho House përzien stilin eklektik indian me mozaikë vendas dhe mobilje të vjetra nga tregjet lokale, ndërsa në çati ofrohet një bar me pishinë dhe ushqim që përzien kuzhinën lokale me atë ndërkombëtare.
Siç e përmenda edhe në fillim, Soho House nuk është vetëm një rrjet klubesh është një ide. Një mënyrë jetese për ata që vlerësojnë stilin, përkatësinë dhe krijimtarinë. Dhe mbi të gjitha, është një histori që nisi si nevojë personale dhe u kthye në një fenomen global.