Fakte abstrakte
13 Shtator, 2025
Në botën e televizioneve globale, emrat e mëdhenj nuk janë vetëm fytyra të njohura që shfaqen çdo mbrëmje apo çdo javë. Ata janë industri më vete.
Gordon Ramsay, për shembull, nuk është thjesht një kuzhinier që bërtet mbi pjata të djegura. Ai ka ndërtuar një mini-univers programesh që mbajnë në këmbë një gjigant si Fox: Hell’s Kitchen, MasterChef, Next Level Chef. Pas dy dekadash në ekran, ai nuk është më vetëm një personalitet televiziv – është një markë globale, me tetë yje Michelin dhe dhjetëra milionë ndjekës në TikTok. Pra, çfarë ndodh kur ekrani bëhet jetë?

Një tjetër shembull vjen nga Rachel Maddow, fytyra e MSNBC për gati dy dekada. Ajo vendosi të mos përpëlitej më çdo natë në studio, duke kaluar nga pesë netë paraqitje në javë në vetëm një, të hënën. Por ajo prapë mbetet emri kryesor i rrjetit, duke zgjeruar ndikimin e saj përmes podcasteve dhe librave. Ky është një shembull se si një moderator, pas një periudhe të gjatë në ekran, nuk matet më vetëm me prezencën ditore, por me kapitalin e tij simbolik: audiencën e besuar dhe autoritetin që ka krijuar.

Edhe në fushën e sportit, Stephen A. Smith tregon të njëjtën gjë. Me një kontratë rekord prej 20 milionë dollarësh në vit, ai shfaqet më pak në ESPN, por ka më shumë kohë për projekte personale, mes tyre edhe një podcast, e madje edhe spekulime për politikë. Pra, pas njëzet vitesh, një moderator mund të tejkalojë rolin e “moderatorit” dhe të bëhet një figurë publike me peshë në fusha krejt të tjera.

Në anën tjetër, Jimmy Kimmel, i cili është në ekranin e ABC-së që nga viti 2003, po mendon seriozisht për pensionim. Për më shumë se 20 vjet, ai ka qenë pjesë e pandashme e kulturës së “late-night”.
Dhe kur një figurë e tillë mendon të largohet, nuk është vetëm një njeri që del në pension – është një kapitull i tërë i historisë së televizionit që mbyllet.

Në tregjet tona, fenomeni është i ngjashëm, por me përmasa të tjera. Shikuesi shqiptar dhe kosovar është mësuar të shohë të njëjtat fytyra për dekada të tëra në emisione politike, rozë apo të mëngjesit. Moderatorë e moderatore që kanë ndërtuar një “jetë publike” mbi praninë e tyre të përhershme në ekran. Por a është kjo gjithmonë vlerë?
Nga njëra anë, vazhdimësia krijon besueshmëri. Publiku i njeh, i identifikon, madje i konsideron si pjesë të përditshmërisë. Nga ana tjetër, një prani e pandërprerë, pa rigjenerim, rrezikon të shndërrohet në monotoni dhe të frenojë hapësirën për gjenerata të reja. Në Kosovë, për shembull, shumë moderatorë politikë kanë mbi 15-20 vjet në ekran, shpesh me të njëjtat formate. Në Shqipëri, fenomeni është edhe më i theksuar në fushën e spektaklit dhe show-bizit, ku pak emra dominojnë pothuajse çdo stinë televizive.
Çfarë sjell 20 vjet në ekran?
Pas dy dekadash, një moderator mund të kthehet në një institucion më vete – ashtu si Ramsay apo Maddow, që nuk maten më me një emision, por me ndikimin e tyre shoqëror dhe ekonomik. Por ekziston edhe rreziku tjetër: që një moderator të bëhet thjesht një zakon i vjetër, një prani që nuk frymëzon më, por që nuk largohet nga skena.
Televizioni është si një pasqyrë e shoqërisë nëse nuk ndryshon fytyrat në ekran, edhe vetë publiku ndjehet i ngecur.
Ky është një debat i domosdoshëm për Kosovën dhe Shqipërinë sot.
A kemi nevojë për moderatorë që të jenë figura të përhershme, apo për cikle të reja që sjellin frymë të freskët?