Live Stories from Prishtina

LIVE

26 Nëntor, 2024

Edhe një vit tjetër erdhi, kur zyrtarët institucional ngjiten në podium dhe shpalosin fjalime fantastike për t’ju bashkuar fushatave globale.

Ministria e Drejtësisë, na njofton se Kosova po shënon fushatën “16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.

Në hapje të fushtës, Kryeministri, Albin Kurti rithekson përkushtimin për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave.

Sa herë kemi dëgjuar këtë rithekstim tash e dy dekada, jo vetëm nga pushteti aktual por edhe nga ata paraprak.

Një përkushtim që duket se përkthehet në fjalime të bukura, ndërsa në teren, kemi një realitet të trisht.

2585 persona janë viktima të dhunës në familje vetëm në vitin 2024.

Këto janë vetëm rastet e raportuara në institucionet e sigurisë. Prej këtyre rasteve 2055 janë gra.

Nga viti 2010 deri në prill 2024, 58 gra janë vrarë në Kosovë si pasojë e dhunës familjare.

Kjo nuk është thjeshtë një shifër, është një aktakuzë kundër një sistemi që dështoi 58 herë për të mbrojtur jetën e këtyre grave.

Në të shumtën e rasteve, dhunuesit dhe vrasësit janë bashkëshortët, baballarët ose djemtë.

A është ky “dinjiteti njerëzor” që institucionet tona duhet të mbrojnë, siç na kujton kryeministri?

Apo ndoshta jemi duke pritur që dinjiteti të mbrohet vetëm gjatë këtyre 16 ditëve të përkushtuara për aktivizëm, ndërsa ditët e tjera të vitit mund të jenë për administrim rutinë dhe neglizhencë?

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri thirrje që gratë të raportojnë dhunën në familje.

Fjalë e bukur kjo, “thirrje”.

Vetëm se harron të përmendë se shumë nga këto gra e kanë bërë këtë dhe pastaj janë lënë në mëshirë të fatit.

Nuk janë pak rastet kur autoritetet kanë injoruar raportimet, kanë lënë urdhrat mbrojtës të pazbatuar ose thjesht janë vonuar në intervenim.

Mbase thirrja duhet t’i drejtohet institucioneve, jo grave që tashmë kanë humbur besimin se sistemi i drejtësisë mund t’i mbrojë.

“16 Ditët e Aktivizmit” është një aktivitet i rëndësishëm.

Nisin me Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe përfundojnë me Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Dy data të rëndësishme, për ta mbushur kalendarin me aktivitete.

Por çka pas?

Për sa kohë shteti do të vazhdojë të merret me statistika dhe fjalime, gratë në Kosovë do të jetojnë me frikën e përditshme të dhunës?

Kjo nuk është thjesht një kritikë, është një pasqyrë e një sistemi që ndër vite ka dështuar përballë këtij fenomeni.

Përgjegjësia për dhunën me bazë gjinore nuk bie vetëm mbi dhunuesit, por edhe mbi sistemin dhe shoqërinë, që nuk arrin ta ndalojë atë.

Nëse duam të jetojmë në një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetë e lirë, fushatat e fjalimet janë të mirëseardhura, por nuk mjaftojnë.

Ajo që nevojitet, është veprim i prekshëm, i përditshëm dhe gjithëpërfshirës, jo vetëm gjatë datave të shënuara, por të kthehet në një “luftë”, të vazhdueshme për jetë me dinjitet për secilën grua.