Bota
18 Janar, 2026
Duke e konsideruar si “vit universal” sipas numerologjisë (2+0+2+6=10, 1+0=1), mendova se 2026-a si vit i ri do të sillte më shumë entuziazëm për të ardhmen, por vetëm tre javë pas fillimit të tij, vëmendja kolektive duket se është zhvendosur mbrapa në kohë. (më përqesh ose jo: mua më pëlqen të kthehem nga pak mbrapa)
Rrjetet sociale janë mbushur me rikujtime nga viti 2016, një dekadë më parë, një periudhë që sot po përjetohet si më aktuale se kurrë në botën e modës.
Viti 2016 ishte epoka e drejtorëve kreativë që formësuan një brez të tërë. Ishte viti i Alessandro Michele te Gucci, Hedi Slimane te Saint Laurent dhe Phoebe Philo te Celine (në rrugë, kushdo kishte një maicë të thjeshtë me shkrimin “Celine” në ngjyra si e bardha, zeza, kaltër e errët, kaftë ose kuqe).
Ishte koha kur “skinny jeans” dominonin stilin e rrugës, ngjyra “millennial pink” ishte gjithkund, çizmet e shkurtra me majë ishin esenciale, Beyoncé kryesonte top-listat me Lemonade, La La Land dominonte sezonin e çmimeve dhe Met Gala eksploronte lidhjen mes modës dhe teknologjisë me ekspozitën Manus x Machina.
Sot, 10 vite më vonë, në 2026-ën, estetika e atij viti po rikthehet fuqishëm si në pasarela, ashtu edhe në rrugë.
Ja çka po kthehet dhe ja çka ju do të riktheni në dollapin tuaj, ose nëse jeni person që kujdeset mirë për rrobat, ja çka do të ri-vishni.
“Skinny jeans” janë sërish në qendër të vëmendjes.
Çizmet e shkurtra rezulton se nuk janë larguar kurrë plotësisht, ndërsa balerinat të lëna pas dore për vite me radhë po përjetojnë një ringjallje të fortë kulturore.
Megjithatë, ajo që e bën këtë rikthim ndryshe nuk është “nostalgjia e verbër”.
Sipas meje moda e 2026-ës nuk kopjon të shkuarën, por e rishikon atë me maturi. Tendencat e reja marrin frymëzim nga e kaluara, duke u përshtatur me nevojat dhe ritmin e të tashmes. Siç dëshmon historia, në modë trendet më të mira nuk zhduken kurrë, ato vetëm transformohen.
Çantat ikonike të vitit 2016 po rikthehen “it bag”
Modelet ikonike si Sac de Jour, Puzzle apo Luggage nuk janë më thjeshtë aksesorë, por investime që i rezistojnë kohës dhe trendeve.
Të pëlqyera dhe të urryera në të njëjtën kohë, “skinny jeans” janë sërish në qendër të vëmendjes.
Versioni i 2026-ës është më i matur, më elastik dhe më i kombinuar me këpucë klasike, larg ekstremeve të dikurshme.
Unë ende i kamë disa “skinny jeans” nga “mango”, që kanë materialin e përzier më lëkurë të butë dhe janë të preferuarit e mi.
“Ankle Boots” mbeten të përjetshme.
Duke qenë që kam këmbën numër 39, gjithmonë çizmet me maja, ma kanë dhënë përshtypjen e këmbës së madhe. Andaj ua sugjeroj t’i vishni me pantollona të gjerë. Çizmet “ankle boots” mbeten bazë e garderobës urbane, duke u përshtatur lehtësisht nga stili casual te ai elegant.
Ngjyra rozë e butë po përdoret si kontrast romantik.
Në 2026, kjo ngjyrë rikthehet si një theks i sofistikuar që zbutë pamjet e forta dhe shton ndjeshmëri vizuale pa rënë në teprim.
Xhaketat “bomber”
Unë ende e kam një xhaketë të tillë, ngjyrë ulliri. “Bomber jacket” kthehet me një siluetë më të relaksuar dhe materiale më luksoze. Nga sateni i qëndisur te lëkura e butë, ky element i 2016-ës vazhdon të jetë po aq aktual.
Skinny Scarves (Shallë e hollë)
Një detaj i vogël por me ndikim të madh në “stilimin e veshjes tuaj”. Shalli i hollë rikthen estetikën rock-chic dhe shton karakter në pamje të thjeshta.
Edhe balerinat
Simbol i rehatisë dhe thjeshtësisë, po konfirmohen si këpucët më praktike të momentit ndonëse jo të gjithë janë gati t’i kombinojnë sërish me skinny jeans, si dikur.
Rikthimi i stilit të 2016-ës është dëshmi se moda është cikël, por gjithmonë me mesazhin mbrapa për të reflektuar kohën në të cilën jetojmë.







