Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Janar, 2025

Në një kthesë të re të sagës së pafundme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian ka vendosur të freskoj skenën diplomatike me një figurë të re.

Peter Sorensen, diplomati danez, me një biografi të pasur në Ballkanin Perëndimor, është zgjedhur për të marrë frenat e dialogut që edhe pas shumë vitesh nuk po i shihet fundi.

Sorensen nuk është i panjohur në rajon. Ai ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe ka qenë shef i zyrës së BE-së në Sarajevë.

Po ashtu, ka drejtuar delegacionin e BE-së në Shkup dhe ka punuar si këshilltar në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Për më tepër, ka qenë i deleguar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi dhe ka punuar në misionin e OSBE-së në Kroaci.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011, ka kaluar nëpër shumë faza, por shpesh here ka dëshmuar se është udhëtim në një rreth vicioz. Bashkimi Evropian ka luajtur rolin e ndërmjetësit kryesor në këtë dialog, duke ofruar platforma bisedimesh, duke emëruar emisarë dhe duke bërë thirrje për paqe e stabilitet.

Marrëveshje të shumta janë arritur, disa janë zbatuar, të tjera kanë mbetur në letër derisa tensionet vazhdojnë të jenë prezente.

“Ditari i aktualitetit” analizon përparësitë dhe vështirësitë e mundshme me ardhjen e emisarit Peter Sorensen.

Eksperienca multilaterale:

Si ish-përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnjë-Hercegovinë dhe shef i zyrave të BE-së në vende të ndryshme të Ballkanit, ai ka një bazë solide për të naviguar sfidat e bashkërendimit mes vendeve anëtare të BE-së dhe palëve lokale.

 

Tensionet aktuale në dialogun Kosovë-Serbi

Me një klimë të rënduar politike, përfshirë mungesën e progresit substancial në zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, Sorensen mund të përballet me skepticizëm. Për shkak të mungesës së rezultateve konkrete dhe kritikave për mungesë transparence dhe efikasiteti.

Trashëgimia e Miroslav Lajçakut

Sorensen do të marrë një proces dialogu që është ngadalësuar dhe shpesh perceptohet si i pabalancuar. Nëse ai nuk arrin të sjellë një qasje të re dhe dinamike, mund të shihet si vazhdimësi e një përpjekjeje pa rezultate të prekshme.

Mbështetja e brendshme në BE

Edhe pse nuk ka pasur kundërshtime për emërimin e tij, konsensusi i vendeve anëtare të BE-së mbi qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë është shpesh i brishtë. Sorensen do të duhet të menaxhojë këto ndasi për të ruajtur koherencën e BE-së në dialog.

Njohuritë për Serbinë dhe Kosovën

Përvoja e tij më e madhe në Bosnjë dhe Maqedoni e Veriut mund të mos jetë gjithmonë e aplikueshme për situatën unike dhe komplekse Kosovë-Serbi.