N’Kosovë
23 Nëntor, 2024
Nëse t’kishim pyetur: kur mendon për Prishtinën, çfarë të vjen së pari në mendje? Si do të ishe përgjigjur?
Cilat janë alternativat e tua për përgjigje? Emocionet që t’i dhuron Prishtina? Grandi, njëri nga sheshet, lagjja ku je rritur, apo shkallët e Dragodanit? Soliterat e Ulpianës? Përgjigjen do ta formuloje duke u bazuar në vendet që të sjellin kujtime apo në ato që gjithmonë kanë pasur më shumë zë? Boll shumë qenkan!!!
Prishtina është një qytet me një identitet të ndërlikuar, që ndërthur historinë, kulturën dhe aspiratat të cilat nuk e dimë se si do të përshkruhen në të ardhmen. Nëse do të kishte një objekt simbol që të përfaqësonte frymën e saj, ai do të duhej të mishëronte të gjitha veçantit e Prishtinës. Pak histori qëndres, pak aromë Gërmie, pak atmosferë nate, pak dashuri të qyetarëve. Por cilat janë kandidaturat më të fuqishme që do të kishin brenda secilen prej këtyre vetive?
“Newborn” – Monumenti i shpalljes së pavarësisë:
Ky objekt ka qenë simbol i fuqisë dhe shpirtit të lirë të Kosovës. Në mënyrë dinamike, ai ndryshon çdo vit, duke reflektuar transformimet sociale dhe politike të vendit. Por a mund të përfaqësojë vetëm “Newborn” Prishtinën, apo është më shumë simbol i gjerë i Kosovës? A do ta meritonte të qëndronte si emblemë e vetme?
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës:
Ndërtimi brutalist, me kupolat e tij të çuditshme dhe rrjetën metalike, është një nga ikonat arkitekturore më të debatuara të qytetit. Për disa, ajo përfaqëson kaosin urbanistik të së kaluarës; për të tjerë, një unikat që mishëron një lloj bukurie të papërsëritshme. Por a është kjo ndërtesë simbol i aspiratave të së ardhmes apo i një të kaluare të ndërlikuar?
Kulla e Sahatit në lagjen “Çarshia e Vjetër”:
E thjeshtë, por e përjetshme, kjo kullë bart një ndjenjë të thellë historie dhe qetësie mes kaosit të zhvillimit modern të qytetit. A mundet një strukturë kaq tradicionale të përfaqësojë shpirtin e një Prishtine gjithnjë e më moderne? Apo është pikërisht kjo përzierje që e bën atë të denjë si simbol?
Amfiteatri i Gërmisë – Simbol i natyrës dhe komunitetit:
Ky hapësirë, në zemër të parkut të Gërmisë, është më shumë se një vend për aktivitete; është simbol i lidhjes së Prishtinës me natyrën dhe komunitetin. Por a mundet një vend natyror të përfaqësojë një qytet që rritet me ritme urbane kaq të shpejta? Apo ndoshta kjo kontrast është ajo që e bën Gërminë një simbol të vlefshëm?
Lakrori Urban – Pallatet e “Rrethit të Flamurit”:
Megjithëse jo një simbol tradicional, grumbullimi kaotik i ndërtesave moderne dhe pallateve që rrethojnë rrethin kryesor të qytetit mund të shihet si pasqyrë e realitetit të Prishtinës së sotme – një vend ku kaosi krijon identitetin. Por a mund të bëhet kaosi një simbol, apo ai ka nevojë për formë dhe kuptim për të qenë i denjë?
Simboli u Prishtinës a duhet të jetë gjithësesi diçka që përshkruan kombinimin e përvojave, kujtimeve dhe ëndrrave që qyteti mban brenda. Kryeqytetit i cili kryetarin e ka arkitekt a s’do të duhej të mendonte edhe për këto çështje dhe jo vetëm rregullimin e stacioneve të autobusëve, temën e qenëve endacak, ndërrimin e kalldrëmit?
Prishtina është vetë simboli. A janë objektet thjesht reflektime të saj?