Kojshitë
28 Nëntor, 2024
28 Nëntori, akt i udhëhequr nga Ismail Qemali shënoi fillimin e një epoke të re për shqiptarët, por një pyetje mbetet ende pa përgjigje. Ku ndodhet flamuri origjinal i ngritur atë ditë?
Historia e flamurit të pavarësisë, ashtu si vetë rruga drejt shtetësisë, është e mbushur me mistere dhe spekulime. Reliktet që lidhen me këtë ngjarje madhore janë të pakta.
Pena e delegatëve, me të cilën u firmos akti i shpalljes së pavarësisë, është një nga objektet e pakta që ka mbërritur deri më sot. Por dokumenti origjinal, që shënonte lindjen e shtetit shqiptar, dhe flamuri që valëvitej krenar atë ditë historike, janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Një nga figurat që kishte nën përkujdesje këto relikte ishte Lef Nosi, një intelektual dhe patriot i shquar i kohës. Pas arrestimit dhe ekzekutimit të tij në vitin 1945, dokumentet dhe artefaktet historike që ai ruante u zhdukën.
Fati i flamurit mbetet po aq i panjohur. Në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike dikur ndodhej një senduk i mbushur me flamuj.
Njëri prej tyre datonte nga viti 1912, duke ngjallur spekulime mbi autenticitetin e tij.
Në 100-vjetorin e pavarësisë, u njoftua për një tjetër flamur të vitit 1913, i cili mund të ketë qenë ngritur në përvjetorin e parë të pavarësisë. Këto zbulime hedhin dritë, por edhe ngritin më shumë pikëpyetje mbi fatin e flamurit origjinal.
Teoritë që rrethojnë zhdukjen e tij janë të shumta. Disa besojnë se flamuri mund të jetë djegur gjatë plaçkitjeve në Vlorë pas vitit 1913.
Të tjerë mendojnë se ai mund të gjendet në një arkiv të panjohur shtetëror ose privat, ende i paidentifikuar. Çdo pistë mbetet e hapur, duke e kthyer flamurin në një simbol jo vetëm të pavarësisë, por edhe të misterit që mbulon historinë tonë.
Flamuri origjinal është më shumë se një relikt, është një dëshmi fizike e një momenti që ndryshoi përgjithmonë fatin e shqiptarëve. Misteri që e rrethon na kujton sa e brishtë mund të jetë historia jonë dhe sa shumë punë mbetet për t’u bërë për të ruajtur të kaluarën tonë.
Një gjë është e sigurt, edhe pse flamuri mund të jetë zhdukur, fryma e tij valëvitet ende në çdo zemër shqiptare.