Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Korrik, 2025

Ka shumë mënyra për ta përjetuar verën: në bregdet, në male, në një ballkon me hijen e hardhisë mbi kokë apo në një bar ku çdo gotë përçon freski. Por nëse duhet të zgjidhnim vetëm një pije që mishëron gjithçka që vera ka për të dhënë: shijen, lehtësinë, aromën, ngjyrën dhe çiltërsinë atëherë përgjigjja është e qartë: Spritz.

Kjo është një pije e rekomanduar nga “Arkiva” bari i Paper Radios dhe këto janë arsyet pse.

Si filloi gjithçka?

Spritz ka lindur nga një keqkuptim i ëmbël, si ato. Në shekullin XIX, ushtarët dhe zyrtarët e Perandorisë Austro-Hungareze që shërbenin në zonat e sotme të Italisë veriore (sidomos në Veneto) nuk ishin mësuar me verërat vendase që ishin më të forta dhe më të hidhura krahasuar me ato që pinin në shtëpi. Kështu, filluan t’i “spritzonin” gotat e verës me pak ujë me gaz për t’i zbutur. Fjala “spritz” rrjedhë nga gjermanishtja – spritzen që do të thotë “spërkas”.

Por ai që sot e njohim si Aperol Spritz, përzierja më ikonike e këtij zhanri, lindi shumë më vonë në vitet ’50 në Itali, kur kompania e vëllezërve Barbieri promovoi një version me Aperol (liker portokalli me shije të lehtë, të hidhur dhe agrume), prosecco dhe ujë me gaz. Dhe kështu nisi revolucioni i ngjyrës portokalli në gotë.

Si përgatitet?
Receta klasike e një Aperol Spritz është si më poshtë:

3 pjesë prosecco

2 pjesë Aperol

1 pjesë ujë me gaz

Shërbehet në një gotë të madhe me akull dhe një fetë portokalli.

Por Spritz-i nuk ndalet me kaq. Ka variante me Campari për ata që preferojnë diçka më të hidhur, apo me Select nëse doni të jeni autentik si në lagjet e vjetra të Venecias.

Kush e pi dhe pse?
Spritzi është shndërruar në simbol të pasditeve verore në Evropë, sidomos në Itali, Austri, Gjermani dhe së fundmi në çdo bar nga Brooklyn në Barcelonë. Në Itali, është pjesë e “aperitivo-s”, një zakon i dashur ku njerëzit mblidhen për të pirë diçka të lehtë para darkës, të shoqëruar me ca “finger food”, me miqtë dhe pa u ngutur.

Konsumohet kryesisht nga të rinjtë urbanë por edhe nga ata që kërkojnë një alternativë më të lehtë ndaj koktejeve të forta. Nuk është pije për t’u dehur, por për të biseduar, për të festuar jetën në ngadalësinë e saj.

Ku është më i njohur?
Padova dhe Venecia janë qendrat e përhapjes, por Milano e ngriti Spritz-in në piedestal. Në Milano, një Spritz është një gjendje shpirti, është një kod stili. Nga tavolinat buzë kanalit Navigli, deri te barët në “rooftop” me pamje nga Duomo, Spritz është gjithmonë aty, i ftohtë, me flluska dhe me një portokall në buzë të gotës.

Pse këtë verë?
Sepse Spritz është kombinimi perfekt i freskisë dhe elegancës. Është ideal për temperatura të larta, nuk është shumë i fortë, dhe pamja e tij ngjyrë portokalli të kujton perëndimet e diellit mbi Adriatik.

Pra, kur t’i afrohesh barit këtë verë, mos e thuaj thjeshtë “ma jep një gotë me diçka freskuese” thuaj:
“Një Spritz, ju lutem!”
Sepse kjo është vera që duhet ta përjetosh me ngjyrë, me shije dhe me pak shkumë.