Live Stories from Prishtina

LIVE

6 Dhjetor, 2024

Të gjithëve na ka ndodhur:

Kemi marrë telefonin tonë për të dërguar një mesazh të shpejtë. Një orë më vonë, kemi qenë ende duke scroll (lëvizur) nëpër Tik Tok duke pyetur veten se çfarë po bëjmë me koncentrimin tonë.

TikTok, platforma më e përhapur e videove të shkurtra në botë, prej kohësh ka nxitur reagime globale për efektet e saj sociale, psikologjike dhe të sigurisë.

Madje disa shtete, duke e cilësuar platformën si të dëmshme, veçanërisht për fëmijët, kanë vendosur ta ndalojnë funksionimin e saj.

India ishte ndër të parat që ndaloi TikTok-un në vitin 2020.

Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar përdorimin, sidomos për fëmijët dhe adoleshentët.

Ngjashëm kanë vepruar Franca dhe Belgjika.

Në vende si Nepali dhe Afganistani, ndalimi i plotë i platformës është i lidhur me ndikimet sociale dhe morale.

Në vorbullën e këtyre reagimeve dhe veprimeve konkrete, shtrohet pyetja: a duhet Kosova të veprojë në këtë drejtim për përdoruesit e platformës Tik-Tok?

Kosova, si një vend me popullsi të re, është veçanërisht e ndjeshme ndaj trendeve që qarkullojnë në TikTok.

Sfida të rrezikshme, që rezultojnë me dëmtime fizike dhe promovim të përmbajtjes toksike, janë disa nga shqetësimet kryesore që tash e sa kohë diskutohen në opinionin publik.

Rasti i sfidës së fundit, “Supermeni”, tregon qartë se si një trend viral mund të përfundojë me pasoja të rënda shëndetësore dhe psikologjike.

Gjatë vitit 2024, në Kosovë është vërejtur një rritje shqetësuese e sfidave të rrezikshme të përhapura përmes platformës TikTok, të cilat kanë ndikuar negativisht tek të rinjtë.

Sjellim në vëmendje sfidën e vetlëndimit, ku nxënësit, të ndikuar nga TikTok-u, kanë kryer veprime të dëmshme ndaj vetes.

Në komunën e Gjakovës, gjatë muajit tetor u raportuan rreth 20 raste të tilla, kryesisht në shkollat e mesme të ulëta.

Raste të ngjashme u evidentuan edhe në Kamenicë, ku tetë nxënës testuan njëri-tjetrin për sa kohë mund të mbajnë frymën, duke ndjekur një sfidë të rrezikshme, pikërisht në TikTok.

Platforma TikTok vazhdimisht është kritikuar për përhapjen e përmbajtjeve të papërshtatshme dhe mungesën e kontrollit për mbrojtjen e të miturve.

Kjo është një sfidë e madhe për prindërit dhe institucionet arsimore, që përpiqen të mbajnë një ekuilibër mes teknologjisë dhe shëndetit mendor.

Sfida të rrezikshme në TikTok kanë shkaktuar një numër tragjik viktimash që nga lansimi i platformës.

Statistikat tregojnë se sfidat e TikTok-ut kanë rezultuar në të paktën 155 vdekje vetëm në Shtetet e Bashkuara, ndërsa numri në nivel global është më i madh.