Live Stories from Prishtina

LIVE

6 Maj, 2025

Çfarë është qëllimi i një sistemi arsimor? Kjo është një pyetje që ka ndarë njerëzit për shekuj me radhë.

Nga njëra anë, kemi traditën që buron nga epoka e iluminizmit (epoka që përfshinte një sërë idesh të përqendruara në vlerën e lumturisë njerëzore, kërkimin e njohurive të marra me anë të arsyes dhe dëshmive të shqisave, dhe ideale të tilla si ligji natyror, liria, përparimi, toleranca, vëllazëria, qeverisja kushtetuese dhe ndarja e kishës nga shteti), një qasje që e sheh arsimin si një mjet për të nxitur kërkimin, krijimtarinë dhe lirinë intelektuale.

Sipas kësaj filozofie, qëllimi më i lartë i jetës është të kërkosh të vërtetën, të ndërtosh mbi trashëgiminë e së kaluarës dhe të prodhosh diçka të re, personale, ndoshta edhe me vlerë për të tjerët.

Nga kjo perspektivë, arsimi nuk ka të bëjë me dhënien e fakteve, por me kultivimin e aftësisë për të mësuar në mënyrë të pavarur. Roli i mësuesit nuk është të “mbushë” mendjen e nxënësit, por ta ndihmojë atë të zbulojë vetë rrugën e tij, çfarë do të mësojë, si do ta përdorë dhe ku do ta çojë ajo dije.

Por përballë kësaj ideje qëndron një koncept tjetër, shumë më i përhapur në strukturat e pushtetit: arsimi si indoktrinim.

Kjo qasje e sheh sistemin arsimor si një mekanizëm për t’i futur të rinjtë që nga fëmijëria në një kornizë bindjeje, ku mësohen të pranojnë autoritetin, të mos sfidojnë sistemin dhe të përshtaten me rregullat ekzistuese.

Ky model ka qenë shpesh i artikuluar në mënyrë të qartë. Pas valës së aktivizmit në 1960-ën, shumë zëra në rrethet intelektuale shprehën shqetësimin se rinia po bëhej tepër e lirë, tepër e pavarur.

Studimi i njohur si “Krizat e demokracisë”, që fliste për rrezikun e “demokracisë së madhe” dhe për faktin se institucionet që duhej të indoktrinonin të rinjtë; shkollat, universitetet, kishat nuk po e kryenin më këtë funksion siç duhet. Sipas tyre, ishte i nevojshëm një “rregullim” i këtyre institucioneve në mënyrë që ato të rifitonin kontrollin.

Kjo filozofi ka rezultuar në masa konkrete: orientimi i arsimit drejt trajnimit profesional të ngushtë, ngarkesa e studentëve me borxhe që i bën më konformistë dhe më pak të prirur për të sfiduar sistemin dhe fokusi i pandërprerë në nota dhe teste, në vend të mendimit kritik dhe krijues.

Kjo është beteja që zhvillohet ende sot brenda shkollave dhe universiteteve: a mësojmë për të kaluar provimet apo për të menduar lirshëm?

A i nxisim studentët të ndjekin interesat e tyre, të punojnë në bashkëpunim dhe të imagjinojnë rrugë të reja, apo i drejtojmë drejt përshtatjes pa kushte me strukturat ekzistuese?

Në nivelin e kërkimit shkencor, në institucionet ku zhvillohet arsimi i lartë shpesh mbizotëron ende tradita e iluminizmit. Pa nxitjen për të sfiduar autoritetin, për të vënë në dyshim dogmat, për të imagjinuar alternativa dhe për të bashkëpunuar lirisht, shkenca nuk mund të përparoj.

Kjo filozofi duhet nisur që në kopsht. Por në të njëjtën kohë, ekzistojnë forca të fuqishme në shoqëri që kërkojnë një sistem arsimor që prodhon bindje, jo mendim të lirë.

Përballë këtyre dy qasjeve, çdo njeri që ka lidhje me arsimin qoftë si student, mësues apo qytetar, përballet me një zgjedhje të rëndësishme: cilën rrugë do të ndjekë?

Qëndrimi i mendimtarëve Bertrand Russell dhe John Dewey, për edukimin ishte se ai është i lidhur ngushtë me krijimin e individëve më të mirë, të cilët janë të aftë të kuptojnë dhe të sfidojnë botën përreth tyre, të shqyrtojnë me kujdes informacionin dhe të zhvillojnë mendimin e pavarur.

Një shembull i mirë që shpjegon qëllimin e edukimit, është pyetja e një studenti: “Çfarë do të mbulojmë këtë semestër?”

Përgjigjja e profesorit ishte: “Nuk ka rëndësi çfarë mbulojmë, ajo që ka rëndësi është ajo që do të zbulojmë.”

Ky është frymëzimi që duhet të ofrojë edukimi që të nxjerrim individë që janë të aftë të sfidojnë, të pyesin dhe të zbulojnë vetë. Kjo është ajo që edukimi duhet të bëjë, dhe ky është qëllimi i tij më i lartë.