Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Maj, 2025

Jo, nuk ekziston ndjenja kombëtare në Google Translate!

“Google Translate” është një mjet teknologjik që funksionon përmes algoritmeve të inteligjencës artificiale. Pra me pak fjalë, “Google” nuk ka ndërgjegje, ndjenja ose përkatësi kombëtare, e aq më pak “Google Translate”.

Qëllimi i tij është me e përkthy tekstin në mënyrë sa më të saktë dhe të kuptueshme duke u bazuar në të dhëna që ka marrë nga interneti dhe nga përkthime ekzistuese.

Megjithatë, ka disa raste kur përdoruesit vërejnë se përkthimet e “Google Translate” mund të reflektojnë njëanshmëri, ose mund të duken si të “përcaktuara politikisht”. Natyrisht që nuk mundet me ju rastis të tjerëve e mos me i prekë edhe shqiptarët.

Së pari sa për të qenë korrekt, po i renditi disa arsye logjike se pse “Google Translate” mund të jetë i njëanshëm.

Burimet prej të cilave merrë informata janë të njëanshme. Nëse interneti përmbanë më shumë materiale në një gjuhë që mbështesin një version të caktuar të një fakti historik, “Google Translate” mund të pasqyrojë atë version.

Probleme me kontekstin, “Google Translate” nuk e kupton gjithmonë kontekstin historik, politik apo kulturor të një fjale ose të një fjalie.

Pastaj edhe për shkak të mungesës të dhënave të balancuara. Në disa gjuhë ose për disa tema, mund të ketë më pak të dhëna të sakta, çka ndikon në cilësinë e përkthimit.

Qe, kur ka qenë rasti që “Google” u tregu i padrejtë me shqiptarët…bile jo padrejtë, se u treguam të butë, lirisht mund t’i quajmë raste konkrete të diskriminimit të gjuhës shqipe.

Në vitin 2023, dy qytetarë shqiptarë, Dr. Neshad Asllani dhe Haki Dervishi, paditën Google-n në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, duke e akuzuar për diskriminim ndaj gjuhës shqipe. Ata argumentuan se përjashtimi i gjuhës shqipe nga platformat e reklamimit të “Google” ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe ka penguar zhvillimin e mediave dhe bizneseve shqiptare.

Gjykata e Lartë e Kalifornisë pranoi padinë kundër “Google” për diskriminim ndaj gjuhës shqipe, duke e konsideruar çështjen si të vlefshme për shqyrtim të mëtejshëm.

E para kësaj ngjarje, “Google” hoqi gjuhën shqipe nga platformat e saj të reklamimit, duke ndikuar negativisht në aftësinë e bizneseve dhe mediave shqiptare për të përdorur këto shërbime. Ky veprim ka shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare për komunitetin shqiptar, duke përfshirë media, agjenci marketingu dhe krijues përmbajtjeje.

Elton Heta ishte iniciatori i peticionit drejtuar Google-it në mënyrë që gjuha shqipe të mos penalizohej dhe të bëhej pjesë e platformave “Google Ads” dhe “Adsense”.

Heta, i cila me profesion ishte zhvillues i IT-së dhe web-it, në një intervistë për “Telegrafin”, pati treguar se arsyeja pse e nisi këtë peticion, kishte nisur pas humbjeve të mëdha të shqipfolësve në Ballkan për shkak të mungesës së njohurive të gjuhës shqipe në “Google Ads” dhe “Adsense”, si dhe për përfitimet që do të kishin bizneset, agjencitë e marketingut, mediat, por edhe njerëzit që punojnë si “freelancer” dhe “YouTuber”, “nëse gjuha shqipe do të njihej.”

Para 1 viti, “Google” bëri lëvizjet e para për njohjen e gjuhës shqipe nga kjo platformë gjigante, ku “Google Ad”, njoftoi se Kosova po shtohet në listën e vendeve të mbështetura në programin e verifikimit të reklamuesve, ky proces i mundëson asaj të jetë një hap më afër integrimit të plotë në platformat e “Google”.

I dashur lexues, edhe algoritmet, sado “të paanshme” të pretendojnë të jenë, pasqyrojnë padrejtësitë e botës reale.