Live Stories from Prishtina

LIVE

3 Korrik, 2025

Në mëngjesin e 3 korrikut, oborri i Kuvendit të Kosovës u bë arenë e një proteste të pazakontë, ku avokati Arianit Koci solli katër gomarë nga Istogu si simbol të revoltës ndaj bllokadës institucionale që ka paralizuar punën e Kuvendit.

Pa pankarta, pa slogane, por la kafshët në hyrje të institucionit më të lartë përfaqësues të vendit dhe kjo gjuhë heshtjeje dukej se thoshte gjithçka.

Koci ka theksuar se protesta e tij nuk ka për qëllim të përçajë, por të bashkoj, megjithëse mënyra e zgjedhur që shumëkush mund ta quaj tallëse ose ofenduese ngre pyetjen: a është kjo mënyra si duhet t’ju flasim institucioneve tona?

Mes absurditetit dhe mesazhit, kritika e Kocit ndaj Albin Kurtit si “fajtor i ngërçit” në Kuvend vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Por ai nuk kurseu as partitë opozitare, duke thënë se një krizë e tillë mund t’u konvenojë edhe atyre. Në një skenë politike ku secila palë fajëson tjetrën dhe Kushtetuta lexohet si manual strategjik për bllokim e jo funksionim, protesta me gomarë nuk duket më aq absurde, përkundrazi, mund të shihet si përkthim i drejtpërdrejtë i realitetit institucional.

Por a shkon kjo protestë përtej simbolikës? A përçmon ai institucionin apo sjelljen institucionale dhe më e rëndësishmja, a është kjo një mënyrë që ndihmon apo dëmton diskursin publik?

Kjo nuk është as tentim për zgjidhje, kjo është arenë. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për vazhdimin e tri seancave të fundit konstituive të Kuvendit. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar ndryshimin e kandidaturës për kryetar të Kuvendit, duke theksuar se seancat janë mbajtur në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kurti i ka fituar 48 mandate dhe nuk është në gjendje ta bëjë shumicën parlamentare”, tha Krasniqi, duke e akuzuar kryeministrin për papërgjegjësi politike dhe duke parashikuar një dështim të tij në zgjedhjet lokale të tetorit.

Nga ana tjetër, deklarata e Kurtit se “zyrtarët marrin instruksione nga të arrestuarit në Hagë” ndezi reagime të ashpra nga opozita, e cila i konsideron këto fjalë si ofendim ndaj figurave të luftës.

Edhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka përsëritur se çdo seancë e mbajtur pas aktgjykimit përbën shkelje të Kushtetutës. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje duhet të rikthehet në rend kushtetues dhe të ndalojë manipulimin me rregullat.

Shpresa po lodhet, protesta me gomarë është simptomë e një sëmundjeje më të thellë, është shkak i mosbesimit në institucionet dhe një dëshpërim i thelluar që po e detyron shoqërinë të flas me gjuhë tallëse. Në një vend ku qytetari i zakonshëm nuk ka më zë, ironia duket se është e vetmja që dëgjohet.

A është kjo mënyra si duhet t’u flasim institucioneve tona? Në një botë ideale, jo. Në një demokraci funksionale, jo. Por në Kosovën e sotme, kjo protestë duket si pasqyrë e dhimbshme, e vrazhdë dhe, për fat të keq, reale.

Kafshët kthehen në Istog, por pyetja mbetet në Prishtinë dhe derisa ajo të marrë përgjigje serioze, spektaklet e këtij lloji nuk do të ndalen.