Fakte abstrakte
17 Korrik, 2025
“Sa herë që më është refuzuar diçka e mirë, në të vërtetë po më drejtonte drejt diçkaje më të mirë.”
Steve Maraboli
Jam Erleta dhe sot dua të ndajë me ju një histori që nuk është vetëm për mua, por për shumë prej nesh, historinë e refuzimeve. Ato momente kur dera mbyllet, kur përgjigja është “jo”, kur ndihesh e papranuar, e pavlerësuar, e braktisur. Por a janë vërtet refuzimet fundi i një rruge apo fillimi i një rruge tjetër?
Çfarë është refuzimi?
Refuzimi është kur dikush ose diçka na thotë “jo”. Një “jo” që ndonjëherë ndjehet si grusht në bark, e ndonjëherë si heshtje që flet më shumë se fjalët. Na ndodh të gjithëve – në familje, në dashuri, në punë, në shoqëri.
Dhe pothuajse gjithmonë e përjetojmë si dështim personal. Mbyllemi, e fajsojmë vetëm, humbim besimin. Harrojmë se nuk jemi ajo që na ndodhi, por mënyra si reagojmë ndaj asaj që na ndodhi.
Unë vetë kam kaluar shumë prej këtyre refuzimeve dhe për shumë kohë i kam përjetuar si plagë. Por sot, kur kthehem pas dhe i shikoj, i kuptoj ndryshe. Refuzimet nuk më kanë shkatërruar, më kanë riformuar, më kanë udhëzuar drejt gjërave që nuk kisha guxuar t’i ëndërroja.
Kur refuzimi bëhet udhërrëfyes
E kam filluar karrierën në një drejtim tjetër nga ai që më çoi jeta. Kam aplikuar për qindra vende pune dhe kam marrë qindra refuzime. Kam aplikuar për shkolla, për projekte, për mbështetje nga familja dhe shumica e përgjigjeve kanë qenë negative. Por refuzimet më detyruan të rritem, të largohem nga zona e rehatisë, të filloj nga e para në vende të panjohura, të eksploroj fusha që s’i kisha menduar kurrë.
Kam qenë në raport/marrëdhënie ku jam ndjerë e pavlerësuar, kam duruar për hir të “mos më refuzoftë edhe ky”. Por kur refuzimi më gjeti sërish, kuptova që ishte shpëtim. U drejtova nga vetja. Nisa të shërohem. Të rritem. Të mësoj ndjeshmërinë ndaj vetes. Të kuptoj që më e rëndësishmja nuk është të të pranojnë të tjerët, por të mos refuzosh veten.
Çfarë më mësoi refuzimi?
Refuzimi në punë më mësoi të mos kënaqem me më pak se sa kam vlerë.
Refuzim vetëm nga familja nuk përjetova, por nëse ty të ka ndodhur, të mëson se fuqia më e madhe është të qëndrosh në këmbë edhe kur nuk të mbështesin.
Refuzimi në dashuri më mësoi se dashuria më e rëndësishme është ajo që kultivon për veten.
Dështimi pas dështimit më mësoi të jem e butë me veten. Të mos flas me gjuhën e fajit, por të dhembshurisë.
Sot, në vend të pyetjes “pse ndodhi kjo?”, pyes:
Çfarë po më mëson kjo përvojë?
Çfarë rruge po më tregon jeta?
Çfarë do të ndodhte sikur ajo gjë të kishte “funksionuar”?
Sepse në fund të fundit, jam thellësisht mirënjohëse për çdo derë që nuk u hap. Sepse pas saj kishte një derë tjetër dhe një tjetër. Deri te kjo që jam sot: një grua që ende mëson, por që sot e di se refuzimj nuk është fundi. Është kthesa drejt vetes.
Dhe tani, kur përballem me errësirën, nuk zhytem në mendime negative tregoj butësi ndaj vetes.
E shoh refuzimin si një mundësi për rritje.
Kam stërvitur mendjen time të kërkoj bekimin, jo mallkimin.