Fakte abstrakte
5 Shkurt, 2025
Nëse shqiptarët do të ishin shquar për ndonjë çmim të pakonkurrent në treg, padyshim që ai do të ishte gatimi i bukës. Me pak fjalë, askush nuk do të ua kishte kaluar për sa i përket mbajtjes së “duarve në miell”.
Nga Prishtina, në Beograd e deri në Zagreb, shumica e furrave, nëse nuk janë në pronësi të shqiptarëve, patjetër që ka të paktën një shqiptar që punon aty.
Është një shprehje që thotë: “Njerëzit që gatuajnë mirë, janë njerëz të mirë.” A do të thotë kjo që shqiptarët janë njerëz shumë të mirë? Për shembull, hasianët? Prizrenasit?
Hasi, i njohur për thatësinë, ka ushqyer së paku shtatë shtete të rajonit tonë, sepse ka pasur mjeshtërit kryesorë të bukëpjekjes. Plotë furra në Shqipëri kanë emra si: “Bukatore Hasi”, “Furra Prizereni”, “Furrë Kosove” etj.
Po pse jemi kaq të mirë në gatim? Këtu mund të kemi një udhëkryq kulinarie, do të thoshin shqiptarët e Shqipërisë.
Së pari, arsyeja pse jemi profesionistë në gatim lidhet me faktorë ekonomikë. Jetesa në zonat rurale ka bërë që shumica e shqiptarëve të punojnë si bujq, duke ndikuar në kultivimin e grurit dhe përgatitjen e bukës në shtëpi. Aftësitë e pjekjes janë përcjellë brez pas brezi. Kjo lidhje kulturore e bëri funksionimin e furrave të bukës një zgjedhje të natyrshme për shumë familje shqiptare.
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe krijimit të ekonomive socialiste në Jugosllavi, shumë shqiptarë kërkuan mundësi ekonomike në zonat urbane. Biznesi i furrave u bë një opsion i favorshëm për shkak të kërkesës së vazhdueshme për bukë.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990, shumë shqiptarë migruan në qendrat urbane në kërkim të punës dhe kushteve më të mira të jetesës. Krijimi i furrave të bukës u siguronte atyre një burim të qëndrueshëm të ardhurash dhe ndihmonte integrimin në ekonominë lokale.
Në shumë rajone, veçanërisht në ato me popullsi të konsiderueshme shqiptare, kishte një kërkesë të lartë për prodhime tradicionale buke, gjë që nxiti rritjen e furrave shqiptare.
Së dyti, nëse biznesi yt është një furrë, ti automatikisht e ke llogaritur që koha është luks. Ose nëse ky biznes është trashëguar brez pas brezi, ti tashmë je familjarizuar me përkushtimin që kërkon ky profesion.
Furra mbyllet pas mesnate, por është e vështirë kur çdo ditë duhet të zgjohesh në orën 3 të mëngjesit, të ndezësh furrën dhe të përgatitësh bukën e pjekurinat e tjera.
Një punë të tillë pak të huaj e bënin, ndaj shqiptarët u bënë të njohur për këtë zanat.
Për shembull, në Shqipëri ndodhi diçka tjetër. Atje, tradita e gatimit u zbeh gjatë sundimit komunist, për gati gjysmë shekulli. Me kufizimet e qeverisë për konsumin e bulmetit, mishit dhe yndyrave, familjet shqiptare merrnin bukë gruri për tre muaj në vit dhe bukë misri për nëntë muajt e tjerë. Për shkak të mungesës, buka e grurit u bë e çmuar.