N’Kosovë
28 Nëntor, 2024
A shkon sot më shumë kënga Kuq e Zi e Elvanës e Florit, a himni mbarëkombëtar i shkruar nga Asdreni?
Rreth flamurit të përbashkuar me një dëshirë e një qëllim! Sa qëndrojnë këto vargje sot? Cili është flamuri që e përfaqëson krejt kombin shqiptar? Kur luajnë futboll Kosova e Shqipëria për kë bleni biletë për të bërë tifo në stadium e për kë vendosni ta shikoni nga shtëpia në televizion.
Himni i Flamurit është një nga ato tekste që, për një moment, i frymëzon të gjithë, por pastaj… realiteti na kthen me këmbë në tokë.
Fjalët e tij flasin për sakrifica sublime, për një komb që fluturon me krahët e shqipes dhe mbronë çdo cep të atdheut. Nëse do të kishte një pasqyrë që këndon himnin dhe tregon realitetin, do të ndjeheshim më krenarë apo më të zhgënjyer?
E para, “kush është burrë nuk frikësohet”. Ku është një burrë shqiptar sot që flasin të gjithë për të? Kur ende si figura përmenden Ismail Kemali, Isa Boletini, Adem Jashari, në 20 vitet e fundit kush përmendet?
Në vend të betejave heroike, kemi përballje me burokracitë, korrupsionin dhe kaosin urbanistik.
Gjaku i derdhur për liri? Epo, tani më shumë derdhet në grindje mes vëllezërve politikë dhe “aleatëve” ndërkombëtarë që shpesh na trajtojnë si nxënës problematikë.
Pastaj është ai premtimi madhështor, “fortesë e pamposhtur është Shqipëria”. Tingëllon bukur, apo jo? Por nëse fortesat sot janë institucionet tona, ndoshta nevojitet një arkitekt i mirë për t’i rindërtuar.
Jo nga themelet, por nga vlerat e humbura. Sa shpesh ndjejmë se flamuri përdoret si aksesor dekorativ, ndërsa shpirti i tij – bashkimi dhe përkushtimi – mbetet në harresë?
Në fund, Himni na thërret: “O flamur, flamur, shenjë e shenjtë.” Por, ndoshta duhet t’i bëjmë vetes një pyetje: a e nderojmë atë flamur vetëm me fjalë? Apo duhet të ndalojmë së ndërtuari kështjella prej rëre dhe të ndërtojmë një realitet që vërtet e meriton këtë himn?
Shqiponja a fluturon lartë vetëm kur i ka krahët e fuqishëm dhe të bashkuar?