Bota
15 Qershor, 2025
A është e mundur që ndriçimi magjik i xixëllonjave në mbrëmje, të mbetet një kujtim i së kaluarës? Kështu pretendojnë studimet e fundit që qarkullojnë në rrjetet sociale, të cilat pohojnë se ne mund të jemi gjenerata e fundit që është rritur me praninë e xixëllonjave. Por sa qëndron kjo?
Një studim i vitit 2024 i botuar në Science of The Total Environment, i cili përfshiu 24,000 sondazhe në Amerikën e Veriut, (në pjesën ku prania e xixëllonjave është masive) nga nisma qytetare Firefly Watch, tregon se xixëllonjat në këtë kontinent janë në rënie. Sondazhet identifikuan disa faktorë që kontribuojnë në këtë rënie, por ende ka vend për shpresë në drejtim të ruajtjes së llojit të tyre ndaj, ndoshta nuk do të jemi gjenerata e fundit që rritet me to.
Shkatërrimi i strehës të xixëllonjave
Xixëllonjat në Amerikën e Veriut zakonisht gjenden në lindje të maleve shkëmbore (Rocky Mountains) dhe preferojnë klimë të lagësht e të nxehtë, përkundër asaj të thatë. Sipas organizatës Firefly Conservation & Research (një OJQ që punon për të edukuar publikun për xixëllonjat) këto insekte biolumineshente (ajo drita në det që prodhohet nga organizamat e gjallë si kandil deti përmes reaksioneve kimike) shpesh gjenden në zona me ujëra të qeta dhe barishte të gjata. Ato gjithashtu preferojnë edhe zonat pyjore, për sa kohë ka ujë të qëndrueshëm gjatë sezonit të çiftëzimit.
Zonat natyrore janë jetike për mbijetesën e xixëllonjave dhe sipas të dhënave të mbledhura në studimin e vitit 2024, ndryshimi i mjedisve ku ndodhen mund të jetë faktor kyç në zhdukjen e tyre. Një nga këto ndryshime është klima nga ngjarjet afatshkurtra të motit, deri te ndryshimet afatgjata klimatike.
“Ndryshimet e lehta në modelet klimatike, veçanërisht ato që lidhen me temperaturën, po ndikojnë ndjeshëm në ciklet e shumimit dhe cilësinë e habitatit të xixëllonjave,” tha Darin McNeil, hulumtuesi kryesor i studimit dhe profesor asistent i ekologjisë së egër në Universitetin e Kentakit, përmes një komunikate për shtyp.
Me çfarë po përballen xixëllonjat?
Një tjetër problem është shkatërrimi i mjedisit për shkak të ndërtimit të banesave dhe ndërtimeve komerciale. Kjo jo vetëm që e shkatërron ambientin ku ato jetojnë, por urbanizimi sjellë gjithashtu pesticide nga kopshtet dhe fushat, të cilat ndikojnë negativisht në biodiversitetin e xixëllonjave. Pa një mjedis të përshtatshëm, ato nuk mund të mbijetojnë.
Për shembull, sipas Sarah Lower, profesoreshë e biologjisë në Universitetin Bucknell, disa lloje të caktuara të xixëllonjave, si ajo e plazhit Bethany në Delaware, gjenden vetëm në kënetat e kripura të asaj zone. Por me ndërtimin e shtëpive buzë detit dhe infrastrukturës, këto xixëllonja po humbin shtëpinë e tyre. Pa kënetat, ekziston rreziku që kjo specie të zhduket.
Urbanizimi gjithashtu sjellë më shumë ndriçim artificial gjatë natës.
“Dritat artificiale gjatë natës mund të zvogëlojnë numrin e xixëllonjave, duke ndikuar si në fazën e të rriturve ashtu edhe në atë larvore,” tha McNeil në një komunikatë për shtyp.
“Larvat e xixëllonjave, të cilat jetojnë në tokë, janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve në ekspozimin ndaj dritës dhe kjo mund të ndikoj në zhvillimin dhe normën e mbijetesës së tyre. Ato gjithashtu kanë nevojë për lagështi në tokë, sepse ajo ndihmon në mbijetesën e kafshëve të buta si kërmijtë dhe karkalecat, që janë ushqimi i tyre kryesor.” Sipas studimit, disa specie xixëllonjash e shmangin qëllimisht ndriçimin artificial.
Drita e fundit… por jo e zbehur
Sipas studimit, megjithëse mjedisi i xixëllonjave është në rrezik, ka hapa që mund të ndërmarrim për të ndihmuar rimëkëmbjen e tyre. Për shembull, mund të zvogëlojmë ndotjen e dritës duke përdorur ndriçim miqësor për qiellin e errët (dark-sky-friendly lights), të përdorim pesticide më të sigurta për mjedisin, dhe të mbrojmë habitatet natyrore.
“Ndonëse xixëllonjat po zhduken në shumë zona, kryesisht për shkak të humbjes së habitatit nga ndërtimet rezidenciale, komerciale dhe industriale, ato po mbijetojnë mirë në vende ku janë të mbrojtura,” thotë Ben Pfeiffer, themelues i Firefly Conservation and Research dhe natyralist i certifikuar në Teksas.
“Nuk do të jemi gjenerata e fundit që do të shoh xixëllonjat. Ajo që rrezikojmë të shohim më pak janë speciet unike, të përshtatura në mënyrë lokale (pra, biodiversitetin). Këto janë specie që ndodhen vetëm në zona të ngushta gjeografike dhe varen nga lloje të caktuara të bimësisë dhe ekosistemeve. Ato shpesh zëvendësohen nga lloji më i zakonshëm i xixëllonjës “Photinus pyralis”, që është më i përgjithshëm dhe toleron më shumë tipe habitatesh,” shton ai.
Pra, nëse mbrojmë mjedisin e tyre, ato do të jenë me ne edhe për shumë breza të ardhshëm.