Bota
25 Qershor, 2025
Dikur, një diagnozë me HIV ishte si një dënim me vdekje. Në vitet ’80, nëpër spitale të varfra e lagje të margjinalizuara, mjekët shpesh kishin më shumë frikë se përgjigje.
Disa prej tyre thoshin qetë: “nuk ka trajtim, kthehuni në shtëpi.” Sot, katër dekada më vonë, shkenca ka bërë mrekulli por jo mrekullinë e fundit.
Në vitin 2023, mbi 1.3 milionë njerëz u infektuan me HIV diku rreth 150 vetë çdo orë, përkundër ekzistencës së terapive të fuqishme që mund ta ndalin virusin. Problemi është se këto ilaçe funksionojnë vetëm nëse merren çdo ditë dhe jo të gjithë e dinë se janë të infektuar. Madje edhe ata që e dinë, duhet të jetojnë gjithë jetën me tableta.
Por qershori i vitit 2024 sjellë një kapitull të ri sipas New Yorker, një ilaç i ri i quajtur “lenacapavir”, një injeksion që bëhet vetëm dy herë në vit, ka treguar efikasitet pothuajse të plotë në parandalimin e HIV-it.
Në një provë klinike në Afrikën e Jugut dhe Ugandë, mbi 2,000 vajza dhe gra të reja morën nga dy injeksione në vit. Asnjëra nuk u infektua. Tre muaj më vonë, një provë tjetër me mbi 3,000 burra dhe persona trans e jodualë tregoi 96% sukses. Për herë të parë, një ilaç kundër HIV-it po përshëndetet si diçka më shumë se terapi, si mburojë.
Pas dekadash përfitimesh miliarda dollarëshe nga trajtimet e përditshme, kompania farmaceutike Gilead Sciences më në fund po kthehet drejt parandalimit. Madje, për ta bërë këtë ilaç më të përballueshëm, ajo nënshkroi marrëveshje me 6 prodhues për ta shpërndarë në 120 shtete të varfëra, ku nevoja është më e madhe. Derisa ata të fillojnë prodhimin, Gilead do ta shesë ilaçin me kosto të ulët!
Megjithatë, kujdesi ndaj shëndetit global nuk është më prioritet si dikur. Programi amerikan PEPFAR, që për dekada ka financuar furnizimin me ilaçe në më shumë se 50 shtete, përfshirë Kosovën në vitet e pasluftës, po përballet me shkurtim prej 30% të buxhetit dhe rrezikon të eliminohet. Prandaj, dilema mbetet: a do të përfitojnë realisht komunitetet më të rrezikuara nga ky përparim shkencor apo do të jetë vetëm një tjetër ilaç për ata që jetojnë afër farmacive të mëdha dhe buxheteve të fuqishme?
Në Kosovë, sot, shumica e të infektuarve me HIV jetojnë të padukshëm. Jo për shkak të virusit, por për shkak të stigmës. Nëse ky injeksion i ri, “lenacapavir”, funksionon dhe bëhet i qasshëm, atëherë ndoshta për herë të parë do të kemi një vaksinë emocionale: një mënyrë për të thyer heshtjen, përpara se të shërojmë virusin.