Kojshitë
26 Prill, 2025
Konstituim s’kemi kështuqë dalim prej petkut të politikës për të ri-hedhur në pah një situatë që nuk na shqetëson, është e vërejtshme dhe secili i dhuron nga një kontekst sipas vetës së vetë.
Kur Kosova zbret në Durrës, qyteti fryhet si barku pas “coca-colas”! Aq shumë diskutohet pushtimi i Durrësit nga turistët shqiptarë nga Kosova, sa merr formën e një fenomeni rajonal! Gjithkush flet për shqiptarët e Kosovës në Durrës, por askush nuk përmend që edhe në Kroaci mbushet Dubrovniku me çekë, në Greqi plazhet janë si festë kombëtare për serbët e bullgarët, ndërsa në Mal të Zi, Ulqini bëhet Shkupi 2.0.
Shembull gjatë muajve të verës, qyteti bregdetar i Burgasit në Bullgari shndërrohet në ekspozitë të makinave me targa të Maqedonisë së Veriut. Qyteti rritet aq shumë në korrik dhe gusht, sa bullgarët vendas tërhiqen në male, duke ua lënë vendin “vëllezërve” me theks nga Tetova.
Të paktën durrsakët dhe shqiptarët nga Kosova i bashkon gjaku.
Sipas të dhënave zyrtare nga Zyra Federale e Statistikave në Bernë, në Zvicër jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë, që përbëjnë afërsisht 3% të popullsisë prej 9 milionë banorësh. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Kosova (rreth 200,000), ndërsa të tjerët vijnë nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria.
Në verë më shumë shqiptarë të Kosovës ka në Durrës sesa në Zvicër dhe mirë bëjnë pse jo?!
Sipas statistikave jozyrtare, por shumë të ndjera nga banorët vendas, qyteti i Durrësit gjatë verës nuk është më qytet, është Kosovë me pamje deti. Çdo gusht, popullsia e Durrësit rritet me një ritëm të frikshëm, saqë edhe Google Maps mendon dy herë përpara se të kalkulojë rrugën.
Në ditët e pikut, thuhet se në Durrës (që realisht ka popullsi rezidente prej rreth 122,000 banorësh) ka aq shumë makina me targa “RKS”, sa që ndonjë injorant mund të mendojë se ka ndodhur një aneksim kulturor i përkohshëm. Me ardhjen e “pushuesve nga Kosova”, qyteti merr një frymë tjetër, birrat shërbehen më shpejt, zhurma e tavolinave rritet si decibeli në koncert, dhe çdo banor lokal shet qofte barabartë me qebaptoret në Prizren. (Shërbimi nga kamarierët në Durrës, është më i shpejtë se në qytetet tjera të Shqipërisë, kjo pasi të qenit të pushtuar nga lokale me pronarë shqiptarë nga Kosova, ka ndryshuar edhe shërbimin :P).
“Nuk kemi nevojë për census, mjafton të dalësh te Vollga dhe e dëgjon një fjali: ‘o vlla, merri qata çelësa se jena te parkingu,’” – thotë një kamarier që tashmë komunikon vetëm në “kosovarqe”.
Ekonomia vendase rritet, çmimet e plazhit kapin majat nga qëllimi i pastër për të marrë maksimumin nga portofoli veror i pushuesve. Një shezllon kushton më shumë se një ditë në Kosovë, por më lirë se një e tillë në jug të Shqipërisë por me pamje nga deti dhe falë një buzëqeshjeje me theks tropojan.
Pronari i atij apartamenti, i cili gjatë verës pushon në bodrum sepse shtëpinë e ka dhënë me qira, ka lumturinë që se ka gjatë muajve dhe stinëve tjera të vitit.
Dhe çfarë ndodh në fund të gushtit (gabim, të shtatorit)? Durrësi qetësohet, si pas një dasme treditore. Qyteti kthehet në normalitet, plazhet marrin frymë, dhe rëra, më në fund, mund të flejë pa u shkelur. Banorët vendas rrinë pak si të hutuar, ndoshta duke menduar: “A ishin ëndërr, apo realitet këto 100 mijë vetë që dolën në shetitje çdo mbrëmje?”