Fakte abstrakte
10 Shkurt, 2025
Kjo është teza ime: Shkrimtari, nga vetë natyra, nuk është person i përshtatshëm për të kritikuar dhe analizuar veprat e kolegëve, sepse shijet e tij janë specifike, të njëanshme, subjektive – përndryshe nuk do të ishte shkrimtar fare!
Më e shumta që do të bënte është të jepte një lexim të mundshëm të veprës në funksion të diçkaje tjetër ose të ilustronte edhe mundësinë e atij leximi, por shpesh as këtë nuk arrin ta bëjë.
Për të njëjtën arsye, nuk sheh skulptorë që të shkruajnë për skulpturat e kolegëve, as regjisorë filmash që të shkruajnë për filmat e kolegëve (dhe aq më pak skulptorë që do të komentonin me skulpturat e tyre për skulpturat e kolegëve, apo regjisorë filmash që do të komentonin me filmat e tyre për filmat e regjisorëve të tjerë).
Ne kemi disa kritikë: ata të kafeneve dhe ata të Facebook-ut (për ju që nuk e keni këtë rrjet social, lexoni ato opinionet nëpër disa mediume që publikojnë), ku nganjëherë ua sheh një shkallë më të lartë guximi se më parë, por edhe kur duam të godasim, nuk dimë si ta bëjmë. Mbushemi nga kritikat e të tjerëve dhe mendojmë se të tjerët duhet të mendojnë ose si ne, ose janë kundër nesh.
Kur një autor që ka njëzet vjet që shkruan e boton del me një vepër të re, ty që merr përsipër të shkruash për këtë vepër nuk të lejohet të injorosh çfarë ka shkruar ai më parë dhe të shpërfillësh vendin që zë vepra e re në raport me ato që i kanë paraprirë.
Ti e bën këtë nga padija, nga mungesa e profesionalizmit. Improvizon, merr pak nga kritika jote, pak nga ajo që ke dëgjuar dhe tenton të arrish diçka si në bardhë e zi.
Kam frikë se shumë nga veprat e sotme ngjajnë në një stil; nuk i dallon nga të tjerat asgjë – as stili, as qasja estetike, as ajo çka synojnë të arrijnë letrarisht.
Thënia se lexuesi zgjedh vetë, ose “le ta vendosë lexuesi”, është e kotë, sepse lexuesi nuk i ka as kohën, as mundësitë që të kalojë nëpër duar dhjetëra vepra dhe të vendosë se cilat prej tyre janë më të mirat.
Nëse publiku nuk orientohet për të kuptuar cilat janë vlerat letrare në veprat bashkëkohore, ai do të zgjedhë sipas kritereve mekanike – p.sh., duke blerë një best-seller të përkthyer ose librin e një personazhi televiziv, të cilin e njeh, e admiron dhe e ndjek paraprakisht.