Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Nëntor, 2025

Milano nis hetimet për “Sarajevo Safari” apo të huajt që paguanin për të vrarë civilë gjatë rrethimit të Sarajevës.

Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim të gjerë mbi akuzat tronditëse se shtetas italianë dhe qytetarë të tjerë perëndimorë kanë paguar ushtrinë serbo-boshnjake për t’i lejuar të qëllonin mbi civilët gjatë rrethimit katërvjeçar të Sarajevës (1992–1996).

Ky fenomen makabër, i quajtur më vonë “turizëm snajperësh” ose “Sarajevo Safari”, dyshohet të ketë qenë i organizuar në kodrat që rrethonin qytetin, prej nga ushtria e Radovan Karaxhiçit mbante nën zjarr kryeqytetin e Bosnjës.

Akuzat thonë “të pasur që paguanin për ‘argëtim vdekjeprurës’”

Sipas padisë së ngritur nga shkrimtari italian Ezio Gavazzeni, grupe nga Italia, Gjermania, Franca, Anglia e vende të tjera perëndimore paguan shuma të mëdha parash për t’u çuar nga ushtria serbo-boshnjake në pozicionet e snajperëve, prej nga më pas qëllonin ndaj kalimtarëve të rastësishëm, përfshirë fëmijë.

Gavazzeni thotë se akuzat u bënë publike fillimisht në shtypin italian të viteve ’90, por ai nisi hulumtime serioze vetëm pas shikimit të dokumentarit slloven “Sarajevo Safari” (2022). Në film, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor privat thonë se grupe të huaja paguan për të vrarë civilë si “safari njerëzish”. Veteranët serb e mohojnë këtë.

Sipas Gavazzenit, turistët e dyshuar mblidheshin në Trieste, udhëtonin drejt Beogradit, dhe prej andej shoqëroheshin nga forcat serbe drejt kodrave të Sarajevës, ku vendoseshin në pozicione të sigurta qitjeje.

Rrethimi i Sarajevës, 11 mijë të vrarë

Gjatë viteve 1992–1996, Sarajeva përjetoi rrethimin më të gjatë në historinë moderne. Mbi 10,000–11,000 civilë u vranë nga bombardimet dhe snajperët.

Rrugë të tëra si “Sniper Alley” u bën simbol i terrorit të përditshëm. Viktimat më të njohura janë çifti Boško Brkiq dhe Admira Ismiq, të vrarë teksa përpiqeshin të kalonin një urë në vitin 1993, pamjet e tyre u kthyen në simbol të çnjerëzimit të luftës.

A mundet ky hetim të hapë rrugë për ndjekje penale?

Hetimi në Itali nisi pas padisë së Gavazzenit dhe një raporti të dorëzuar nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq. Prokuroria milaneze po kërkon të identifikojë italianët e përfshirë, me akuza të mundshme për vrasje të rënduar me mizori.

Avokatët që punojnë me çështjen thonë se provat fillestare janë të mjaftueshme për të çuar drejt një hetimi serioz. Disa prej individëve të dyshuar italianë pritet të merren në pyetje.

Edhe pse hapja e hetimit është një hap formal në sistemin italian, lajmi ka rihapur plagë të vjetra në Bosnje. Të mbijetuarit shpresojnë se kjo mund të çojë në drejtësi për krime që deri tani kanë mbetur në errësirë.

Akuzat ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq

Në ditët e fundit, gazetari kroat Domagoj Margetiq ka deklaruar se ka dorëzuar në prokurorinë e Milanos prova që lidhin presidentin serb Aleksandar Vuçiq me “Sarajevo Safari”.

Ai i ka bashkëngjitur: video të viteve të luftës, dokumente, foto, materiale nga mediat e kohës.

Margetiq thotë se të gjitha këto e vendosin Vuçiqin “pa dyshim në kohën dhe vendin e këtij aktiviteti”.

Avokati serb Çedomir Stojkoviq, i cili më parë ka ngritur akuza të ngjashme, ka publikuar një deklaratë të Vuçiqit të vitit 1994 ku ky thotë:

“Shkova në Sarajevën serbe si vullnetar. Isha në varrezat hebraike për një kohë.”

Pikërisht varrezat hebraike përmenden sot si një nga lokacionet kyçe ku supozohet se janë vendosur “turistët snajperistë” për të vrarë civilët. Sipas Stojkoviqit, në atë zonë ka komanduar Slavko Aleksiq, nën të cilin Vuçiq dyshohet se ka shërbyer si vullnetar.

Reagimet në Bosnje

Banorët e Sarajevës, të traumatizuar ende nga rrethimi, kanë reaguar fort ndaj zhvillimeve:

Profesorë universitarë e kanë cilësuar çështjen “katastrofë planetare”.

Ish-kryetarja Kariq ka shpresuar se hetimi italian do t’i nxisë prokurorët boshnjakë të hapin një çështje të re kundër ish-komandantëve serbë.

Organizata të të mbijetuarve kërkojnë dënime maksimale për çdo të përfshirë, pavarësisht shtetësisë.

Fakti që pas tri dekadash po hapen hetime ndërkombëtare dëshmon se sa pak është sqaruar ende për rrethimin e Sarajevës, dhe sa shumë nga krimet e supozuara mbeten pa ndëshkim. Dokumentari “Sarajevo Safari” ka hapur një kapitull të ri të kërkimit të së vërtetës, një kapitull që tani ka kaluar në duart e drejtësisë italiane.