Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Maj, 2025

Ky nuk është urdhër, është sugjerim!

Ka filma që i sheh, i shijon dhe i harron dhe ka të tjerë… që të qëndrojnë në mendje me ditë, javë, ndonjëherë edhe me vite. Të turbullojnë. Të frymëzojnë. Të kthejnë përmbys mënyrën se si mendon për jetën, veten dhe të tjerët. Jo domosdoshmërisht sepse kanë efektet më të mëdha vizuale apo skenarët më dramatik, por sepse prekin telat brenda nesh.

Më poshtë janë disa prej atyre filmave që nuk më ndryshuan thjeshtë humorin për një mbrëmje, por më hapën sytë për shumë situata!

Moneyball (2013)
Shumë e vështirë me shpjegu me fjalë por m’ka bo me kuptu që duhet të mendosh jashtë kornizës nëse do të ndryshosh rrethanat dhe të shohësh potencialin që të tjerët e neglizhojnë.

Ky film më habiti jo sepse ishte për bejsbollin, por sepse ishte për sfidimin e sistemeve të vjetra me mënyra të reja të të menduarit. Billy Beane, menaxheri i një skuadre të vogël dhe me pak mjete, guxon të ndryshojë lojën duke përdorur të dhëna, jo instinktin.
Më mësoi se ndonjëherë ndryshimi vjen jo kur ndjek rregullat, por kur i thyen ato me guxim, me mend dhe me vëmendje ndaj asaj që të tjerët nuk duan ta shohin.

 

 

 

 

 

 

 

The Banshees of Inisherin (2022)
Nuk prisja shumë nga ky film, por më tronditi me thellësinë filozofike dhe emocionale që trajton vetminë dhe miqësinë.

Në një ishull të vogël irlandez, një miqësi prishet papritur. Asnjë shpjegim. Thjeshtë ndarja. Dhe kjo thyerje i hap rrugë një serie ngjarjesh që zbulojnë se sa të thella janë plagët që lë vetmia, refuzimi, dhe mungesa e kuptimit.

Filmi më bëri të mendoj për ndarjet në jetën reale për njerëzit që largohen pa shpjegim dhe për boshllëkun që lënë pas. Është një reflektim i heshtur dhe i dhimbshëm mbi atë që ndonjëherë nuk mund ta rregullojmë dhe kontrollojmë, largimin e dikujt që nuk na do më në jetën e tij.

 

 

 

 

 

 

 

Minari (2020)
Emocionet që përjeton një familje emigrante kur përpiqet të filloi gjithçka nga fillimi, pasigurinë, qëndrueshmërinë dhe ndërlikimet për të vazhduar tutje, dashurisë dhe kuptimit.

Një familje koreane zhvendoset në Amerikë për të ndërtuar një jetë më të mirë, por përballet me sfida të papara. Filmi nuk ka dramë të madhe, por përshkrimi i të gjitha ngjarjeve që ndodhin në të vërtetë tensione në çift, fëmijë që rriten mes dy kulturave dhe gjyshja që sjellë me vete kujtesën e vendlindjes.

“Minari” më preku për mënyrën si trajton dashurinë pa fjalë të mëdha. Ai tregon që forca e familjes nuk matet me suksesin e jashtëm, por me aftësinë për të mbijetuar së bashku edhe kur toka nuk jep fruta menjëherë.

 

 

 

 

 

 

 

The Truman Show (1998)
Vë në dyshim edhe realitetin tim, më sfidon që të mos pajtohem me rregullat e pashkruara, të kërkoj të vërtetën, të vetëdijësohem dhe të çlirohem.

Truman jeton në një botë perfekte por që është krejtësisht e rreme. E gjithë jeta e tij është një shfaqje televizive dhe ai është i vetmi që nuk e di. Filmi është një thirrje për të hapur sytë, për të mos pranuar çdo gjë që të serviret si “normale”, për të kërkuar vetë të vërtetën.
Jim Carrey, në një rol që e tejkalon komedinë, sjellë një reflektim mbi jetën që jetojmë dhe mbi burgun që ndërtojmë pa e kuptuar rreth vetes.

 

 

 

 

 

 

 

Le Mans ’66 (Ford v Ferrari) (2019)
Dashurova këtë film sepse tregon se çfarë duhet, për të arritur të pamundurën: vullnet, vendosmëri dhe bashkëpunim.

Në garën e famshme Le Mans, dy njerëz me pasion të çmendur për makinat Carroll Shelby dhe Ken Miles sfidojnë jo vetëm Ferrarin, por edhe paragjykimet dhe burokracinë e kompanisë së tyre.
Ky film të nxit të besosh se edhe kur gjithçka është kundër teje, puna me përkushtim dhe partneriteti i ndershëm mund të thyejnë çdo kufi. Më bëri të mendoj për projektet që duken të pamundura… derisa dikush guxon t’i nisë.

Nëse edhe ty të ka ndodhur që një film të të ndryshoj mënyrën si mendon, ndoshta ja vlen t’i rikthehesh asaj ndjesie. Sepse ndonjëherë nuk na duhen as librat e filozofisë, as trajnimet e vetëzhvillimit, na duhet një histori e treguar mirë, që na prekë ku nuk e prisnim.