Live Stories from Prishtina

LIVE

2 Korrik, 2025

Shpresa, më e rëndësishme se lumturia? Studimi që ndryshon mënyrën si e shohim kuptimin e jetës.

Kur mendojmë për atë që e bën jetën të plotë, zakonisht na vijnë në mendje ndjenjat si lumturia, mirënjohja dhe dashuria.

Por sipas një hulumtimi të ri nga Universiteti i Missour-it, shpresa mund të jetë më e rëndësishme.

Në një seri prej gjashtë studimesh me mbi 2,300 pjesëmarrës, studiueset Megan Edwards dhe Laura King zbuluan se shpresa nuk është vetëm një mjet racional për arritjen e qëllimeve, ajo është një forcë e fuqishme emocionale që i jep kuptim jetës.

Ndryshe nga emocionet e tjera pozitive si argëtimi apo kënaqësia, shpresa parashikonte vazhdimisht një ndjenjë më të thellë të kuptimit të jetës në të gjitha studimet.

“Ky element themelor i funksionimit psikologjik nuk është një përjetim i rrallë, është i pranishëm në jetën e përditshme të njerëzve dhe shpresa është një nga gjërat që i jep jetës kuptim”, tha Dr. Laura King.

Tradicionalisht, psikologjia e ka lidhur shpresën me motivimin dhe arritjen e objektivave. Por ky studim i ri tregon se shpresa është një përjetim emocional që na ndihmon të ndjehemi të qëndrueshëm, të frymëzuar dhe të lidhur me qëllime të mëdha.

Megan Edwards, tani studiuese postdoktorale në Universitetin Duke, shpjegon:

“Kërkimi ynë e zhvendosë këndvështrimin për shpresën nga një proces thjeshtë kognitiv, drejt njohjes së saj si një përvojë emocionale jetike që pasuron kuptimin e jetës.”

Dhe ky kuptim ka edhe përfitime konkrete, të pasurit qëllim përmirëson shëndetin fizik, forcon marrëdhëniet, rritë qëndrueshmërinë psikologjike dhe lidhet edhe me të ardhura më të larta.

Si të kemi më shumë shpresë?

Si mund ta sjellim më shumë shpresën në jetën tonë të përditshme? Ekipi i hulumtimit sugjeron disa mënyra të thjeshta dhe praktike:

Vëreni gjërat e mira: Momente të vogla gëzimi apo përmirësimi, një vakt i ngrohtë, një fjalë e mirë, një problem i zgjidhur – të gjitha këto mund të ushqejnë shpresën.

Gjej mundësi në mes të kaosit: Edhe në kohë të pasigurta, ka raste të vogla për të mësuar, për t’u lidhur me të tjerët apo për të ndihmuar dikë.

Festoni rritjen: Vlerësoni të arriturat personale dhe potencialin e të tjerëve, kjo na kujton se ndryshimi është i mundur.

Kujdesuni për diçka: Të kujdesesh për dikë, të mbjellësh një bimë apo të ndërtohesh për të ardhmen, të forcon besimin në ditë më të mira.

Kujto përkohshmërinë: Edhe stinët më të errëta kalojnë. Shpresa fillon me bindjen se gjërat mund të ndryshojnë.

Çfarë thonë studimet e tjera për shpresën?

Përfitimet e shpresës mbështeten nga një bazë e gjerë kërkimesh. Për shembull:

Një studim i vitit 2010 në “The Journal of Positive Psychology” tregoi se shpresa parashikon arritje akademike, shëndet të mirë fizik dhe mirëqenie emocionale (Snyder et al.).

Një tjetër studim i “Psychology of Addictive Behaviors” (2005) zbuloi se njerëzit me nivel të lartë shprese kishin më pak gjasa të riktheheshin në varësi gjatë rikuperimit.

Sipas një artikulli të vitit 2021 në “Frontiers in Psychology”, shpresa është një faktor mbrojtës kundër ankthit dhe depresionit veçanërisht gjatë krizave si pandemia COVID-19.

Gjatë historisë, shpresa ka qenë frymëzim për poetët, filozofët dhe udhëheqësit:

“Shpresa është të jesh në gjendje të shohësh dritën, pavarësisht errësirës” – Desmond Tutu

“Shpresa është gjëja që qëndron në shpirt dhe këndon këngët pa fjalë edhe nuk ndalet kurrë” – Emily Dickinson

“Gjithçka që është bërë në botë, është bërë nga shpresa” – Martin Luther King Jr.

Ekipi i Universitetit të Misurit sapo ka filluar të zbuloj fuqinë e plotë të shpresës. Studimet e ardhshme do të fokusohen në mënyrën se si funksionon shpresa në kohë të vështira si në humbje, trauma apo kriza afatgjata dhe si mund ta forcojmë atë kur na nevojitet më shumë.

Sepse shpresa nuk është naivitet. Nuk është pasive. Ajo është besimi aktiv në mundësinë, edhe përballë pasigurisë. Ashtu siç dëshmon ky studim i ri, shpresa mund të jetë motori emocional që i jep jetës sonë kuptimin më të thellë.