Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Qershor, 2025

Çysh po sillen punët, a e di kur pret shpërblim po nuk e merr?

Ai emocion i papritur i një “fitoreje” që të shtyn ta provosh sërish e sërish. E ngjashme me lojërat e fatit, si kur tërheq levën apo vendos baste vazhdimisht edhe kur nuk ka shpërblim  përveç atyre rasteve të rralla kur fiton.

Ku po du me dalë me këtë teori?

Shkencëtarët sapo kanë zbuluar se sa ndikim mund të ketë mungesa e përdorimit të telefonit për tri ditë apo 72 orë.

S’mund të jem i vetmi që ndjehet paksa në faj kur sheh sa shumë kohë të çmuar kalojmë duke bërë “doom-scrolling” në rrjetet sociale.

Qëllimi i këtyre platformave është të na japin ndjesinë e diçkaje tronditëse, të habitshme apo emocionale, që nxit çlirimin e dopaminës kimikatit që sjell ndjesinë e kënaqësisë në tru.

Por ajo që dokumentari The Social Dilemma nuk e trajtoi në thellësi ishte çfarë ndodh kur ndalon përdorimin e telefonit për tri ditë.

Në një studim të ri me titull “Efektet e kufizimit të përdorimit të telefonit në sistemin nervor të lidhur me sinjalet e zakonshme”, studiuesit zbuluan se edhe një periudhë shumë e shkurtër pa telefon mund të ndryshojë aktivitetin e trurit.

Për këtë qëllim, u përzgjodhën 25 të rinj (të moshës 18–30 vjeç) nga Universiteti i Heidelbergut dhe Universiteti i Koln-it në Gjermani.

Vetëm format më të nevojshme të komunikimit ishin të lejuara, pasi pjesëmarrësit u udhëzuan të ndalonin përdorimin e rrjeteve sociale plotësisht, përveç rasteve të domosdoshme për punë.

“Përdorëm një qasje afatgjatë për të hetuar efektet e kufizimit të telefonit tek përdoruesit e rregullt,” shkruajnë studiuesit në punimin e tyre.

Cilat ishin rezultatet?

Pas 72 orëve, skaneri i trurit tregoi ndryshime në zonat e trurit që lidhen me përpunimin e shpërblimit dhe dëshirën e fortë për ta përdorur telefonin.

Këto ndryshime u krahasuan me ato që shfaqen te njerëzit që janë të varur nga alkooli ose nikotina, duke sugjeruar se telefonat mund të krijojnë po aq varësi.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se një mangësi e këtij studimi është që nuk dallon mes llojeve të ndryshme të aktiviteteve me telefon. Për shembull, të shfletosh TikTok për një orë nuk është e njëjtë me të biseduarit me prindërit në FaceTime.

“Të dhënat tona nuk ndajnë në mënyrë të qartë dëshirën për të përdorur telefonin dhe dëshirën për ndërveprim shoqëror dy procese që sot janë të ngatërruara ngushtë,” shpjegojnë ata.

Studime të tjera janë të nevojshme për të kuptuar më tej se si përdorimi i telefonave dhe mediave sociale ndikon në strukturën e trurit.

“Edhe pse të dhënat tona tregojnë rezultate të qëndrueshme, mungon analiza e thelluar për të ndarë këto procese. Prandaj kërkime të ardhshme duhet ta adresojnë këtë aspekt,” shtojnë ata.

“Mekanizmat nervorë të identifikuar mund të nxisin sjellje të varësisë tek individët që janë më të rrezikuar nga përdorimi i tepruar i telefonit.”

Pse ndodh kjo?

Kthehemi tek fillimi, e gjithë kjo lidhet me sistemin e shpërblimit në tru. E ngjashme me lojërat e fatit në kazino.

Kjo teori është trajtuar gjerësisht në dokumentarin e Netflix-it The Social Dilemma, që u publikua në vitin 2020.

Ndoshta një pauzë e shkurtër prej 72 orësh mund të sjellë ndryshime pozitive në mënyrën si funksionojmë.

Ndoshta nuk ka nevojë të shkëputemi për gjithmonë, por ndoshta ka ardhur koha të rifitojmë kontrollin. Ta përdorim teknologjinë me vetëdije, jo si mjet arratisjeje, por si zgjedhje që shërben jetën jo që e gllabëron atë.