Live Stories from Prishtina

LIVE

9 Maj, 2025

Në një botë ku kalendari i natyrës, me stinët e tij, nuk ngjason më me shembujt që tregonin të nxehtit apo të ftohtit, “i ftohti kur ka vdekë presidenti Rugova”. Kemi filluar ta marrim të mirëqenë çdo gjë që ndodh pa ndërmarrë aksione.

Jeta e bujqve është pasqyra më e mirë që përshkruan lidhjen e njeriut me tokën dhe mënyrën se si do të duhej të ishte.

Bujqit janë ata që e kuptojnë më së miri se çdo fjalë e natyrës ka një kuptim të parë e të dytë.

Se çdo stinë është një cikël i përsëritur, një tregues që na fton të kuptojmë se çdo ndryshim, çdo erë që frynë, çdo reshje shiu, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tonë.

Por tani, gjithçka ka ndryshuar. Pranverat nuk janë më ato që ishin, vjeshta është më e shkurtër, dimri ka humbur ftohtësinë e dikurshme dhe verat janë më të nxehta. Ndryshimi është aq i dukshëm, sa që tashmë nuk ka më lulebora që të çelë në kohën e zakonshme.

Një fjali e thjeshtë, e thënë nga një bujk në Kosovë , “Lulebora nuk çelë më” është kthyer në titullin e instalacionit të arkitektes Erzë Dinarama, që këtë vit përfaqëson Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia.

Ky mesazh, i marrë nga një bisedë me një fermer në terren, është transformuar në titullin e një projekti artistik të arkitektes Erzë Dinarama, i cili këtë vit përfaqëson Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. “Lulebora nuk çelë më. Asamble në shpërfaqje”, është një instalacion që nuk kërkon shpjegime të gjata për të kuptuar që në zemrën e tij është një alarm i fuqishëm për ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Titulli është tejet i drejtpërdrejtë. Vjen si alarm: “Lulebora nuk çelë më. Asamble në shpërfaqje”. Bëhet fjalë për shuarjen e një luleje shkaku i ndryshimeve klimatike në Kosovë. E kjo ndjesi i pret vizitorët e Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Zyrtarisht, Pavijoni i Kosovës është hapur pasditen e së enjtes në hapësirën ekspozuese Arsenale. Shteti më i ri i Evropës i përfaqësuar nga arkitektja Erzë Dinarama, në edicionin e sivjetmë, të 19-in me radhë të Bienales së Arkitekturës ka çuar marrëdhënien sfiduese që është duke krijuar njeriu me natyrën.

Çdo vit, fermerët janë të detyruar të përballen me një kalendar që nuk është më i besueshëm. Ata duhet të përshtaten, të rikalkulojnë kohën kur të mbjellin, kur të korrin dhe si të kujdesen për kulturat që duket se janë duke u bërë gjithnjë e më të papërshtatshme për klimën që po ndryshon.

Mbi dyshemenë me dhe nga fshatra të ndryshme të Kosovës, janë vendosur tubacione që shpërndajnë aroma të natyrës si një mënyrë për të prekur jo vetëm sytë, por edhe ndjesitë, duke i sjellë vizitorët më afër realitetit të kësaj dukurie. Kjo është një përpjekje për t’i bërë vizitorët të ndjejnë me trupin e tyre ato ndryshime që janë të paqarta për shumicën prej nesh, të cilët mund t’i shohim, por jo gjithmonë të kuptojmë ndikimin e plotë.

Arkitekti Bekim Ramku, i cili ka qenë komisioner i Pavijonit të Kosovës më 2012 kur Kosova për herë të parë mori pjesë në këtë ngjarje ka thënë se instalacioni është minimal dhe i bukur.

Erzë Dinarama ka thënë se e sheh këtë projekt si një “territor në tranzicion,” ku ndodhin ndërprerje dhe rikonfigurime të lidhjeve ekologjike të rrënjosura thellë, si pasojë e ndryshimeve klimatike.

“Lulebora nuk çelë më” është një kujtesë se natyra është në një proces të shndërrimit të pakthyeshëm, dhe se këto ndryshime janë duke u përjetuar në çdo cep të botës, përfshirë edhe në Kosovë.

Ky instalacion është një thirrje për të kuptuar se mënyra se si ne lidhemi me natyrën dhe si natyra na ndihmon, është në rrezik dhe, për të gjithë ata që vazhdojnë të mbajnë lidhjen me tokën, ky është një apel i sinqertë: ndalni dhe reflektoni mbi këtë ndryshim të ngadalshëm, por të pandalshëm.

Pavijoni i Kosovës sivjet është në frymën e temës së caktuar nga kuratori i përgjithshëm i këtij edicioni, arkitekti Carlo Ratti. Titulli i temës është “Inteligjencë. Natyral. Artificial. Kolektiv”.

Në konferencën e mbajtur të enjten paradite, kuratori Ratti ka thënë se në këtë edicion po provojnë që Bienalja të jetë laborator dhe thirrje për aksion në raport me ndryshimet klimatike.

Pos ekspozitës kolektive, sivjet në ngjarjen më të madhe të arkitekturës në botë përfaqësohen edhe 66 shtete nëpërmjet pavijoneve kombëtare. Kosova ndër vite ka dërguar copëza të saj në këtë ngjarje botërore.