Kojshitë
12 Maj, 2025
(Shtjellim deri në aktualitet nga libri “Refleksionet”, pjesë nga Edi Rama)
“Në rrugën e shkurtër, të këtyre muajve kam vënë re se sa shumë gjëra kanë ndryshuar tek të tjerët dhe tek vetja ime, por gjithsesi kemi qenë dhe mbetemi po ata shqiptarë, njerëz të paaftë për t’u bashkuar në momentin e duhur edhe kur priremi nga të njëjtat qëllime, individualistë që vazhdojmë të mbajmë në të njëjtën lartësi defektin më serioz të këtij populli të vjetër, që mishërohet në dëshirën për të komanduar dhe në mungesën e gatishmërisë për t’u bindur, individualistë që e duam shpesh demokracinë si një skenë ku të ngjitemi si personazhe kryesore, e që gjithsesi e harrojmë më të rëndësishmen, që asnjëri nga ne nuk është i domosdoshëm për Shqipërinë.”
Këtë e ka shkruar Edi Rama, atëherë një artist dhe intelektual i ri, në vitin 1991, kur Shqipëria sapo kishte nisur rrugën e vështirë drejt demokracisë. E tha në një kohë të trazuar, kur protestat e studentëve kërkonin një regjim të ri dhe një mënyrë tjetër të të jetuarit me liri, përgjegjësi dhe mendim kritik.
Dhe kur e lexon sot, 34 vite më vonë, të duket si një pasqyrë e qartë e ditës së sotme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën.
Nëse në fillim të viteve ‘90 u rrëzua komunizmi me britma dhe shpresë, sot, në 2025-ën, po përballemi me një krizë të heshtur të kulturës politike dhe të ndërtimit të përbashkët. Dhe më e dhimbshmja: është një krizë që e kemi ditur gjithmonë se ekziston, por kurrë s’kemi ditur si ta kapërcejmë.
Shqipëria dhe Kosova dy pasqyra të të njëjtit problem
Në Shqipëri, pluralizmi është zëvendësuar me polarizim. Diskutimi publik është shndërruar në një betejë egosh, ku aktorët politik duan të jenë gjithmonë në skenë, por rrallë në shërbim të publikut. Reforma në drejtësi, integrimi evropian, shëndetësia dhe arsimi, çështje kyçe për të ardhmen humbasin në zhurmën e grindjeve pa fund.
Në Kosovë, të njëjtën dramë e shohim me kostume të tjera. Një konstituim që asesi nuk i shkojmë në fund. Pasi nuk heqet dorë nga propozimi i personit që nuk votohet për kryetare kuvendi.
Demokracia shihet si një skenë ku duhet të ngjitemi për të duartrokitur veten, jo si një mekanizëm i përbashkët ku funksionojmë vetëm nëse punojmë bashkë. Është si një garë ku të gjithë duan të jenë regjisorë, por asnjë nuk pranon të jetë pjesë e trupës.
E kemi kthyer politikën në personalitet. Në vend të përfaqësimit, kemi një obsesion me liderin, atë të domosdoshmin, të pakapërcyeshmin. Por siç thoshte vetë Rama i viteve ‘90: asnjëri nga ne nuk është i domosdoshëm për Shqipërinë. Kjo vlen po aq për Kosovën. Në momentin kur mendojmë se pa ne nuk ecën asgjë, kemi humbur kuptimin e të qenit pjesë e një republike.
Çfarë na mungon?
Na mungon një ndjesi e thjeshtë që askush nuk i di të gjitha, dhe se ndryshimi vjen jo kur dikush komandon, por kur të tjerët bashkëvendosin. Kemi nevojë për një kulturë tjetër politike jo më protagonizëm pa substancë, por bashkëpunim pa arrogancë.
Kjo nuk është një thirrje naive për “unitet kombëtar”. Është një ftesë për t’u kthyer tek ajo që duhet të jetë themeli i çdo shoqërie demokratike: vetëdija që shteti është më i madh se individi.