Live Stories from Prishtina

LIVE

14 Janar, 2026

Në një klub nate të mbushur plotë në Bejrut, ritmet elektronike vazhdonin paralelisht me video të projektuara të priftërinjëve të veshur me rroba të bardha, ndërsa prifti katolik At Guilherme Peixoto miksonte muzikë në gramofon.

Për performancën e tij erdhën rreth 2.000 njerëz, e cila njëkohësisht nxiti edhe reagime kundërshtuese nga disa të krishterë në Liban.

Për At Guilherme është hera e parë që ai po përballet me një kundërshtim kaq të zëshëm, ani pse i njëjti ka 2.6 milionë ndjekës që e suportojnë në Instagram.

“Nëse nuk ju pëlqen ajo që po bëj, ju lutem lutuni për mua. Sepse nuk mund të bëj më shumë se kaq për këtë. Është një botë e lirë dhe duhet të mbetet e lirë,” i tha ai Reuters-it.

Angazhimi i Peixoto-s në muzikën elektronike nisi më shumë se një dekadë më parë në vendin e tij të lindjes në Portugali si një mënyrë për të mbledhur fonde për shlyerjen e borxheve të famullisë.

Që atëherë, ai ka udhëtuar nëpër botë. Papa Françesku i ka bekuar kufjet e tij, ndërsa në një performancë të tij të fundit në Sllovaki ishte përfshirë edhe një mesazh i posaçëm nga Papa Leo.

Në Liban, megjithatë, një grup i vogël, por i zëshëm, përfshirë edhe disa klerikë, paraqitën një ankesë zyrtare për anulimin e koncertit të Peixoto-s, duke pretenduar se ai shtrembëron imazhet dhe zakonet e krishtera dhe shkel moralin e kishës.

Bejruti ka një skenë të gjallë të muzikës elektronike dhe konsiderohet si një nga qytetet më liberale shoqërisht në rajon, megjithëse liderët fetarë dhe politikë kanë pasur sukses herë pas here në tentimin e tyre për censurimin e filmave, shfaqjeve teatrale dhe performancave të tjera që i konsiderojnë fyese.

Për disa, ankesa ndaj Peixoto-s dukej e papajtueshme me mbështetjen që ai ka marrë nga drejtues të lartë të Kishës Katolike.

“Nuk e shoh pse priftërinjtë në Liban janë të pakënaqur me këtë ide, kur dy papë nuk kanë pasur problem me të,” tha Charbel Hatem, një student 19-vjeçar që kishte ndjekur meshën e Peixoto-s në një universitet lokal disa orë para set-it të tij di DJ.

Shfaqja u mbajt pasi një gjyqtar hodhi poshtë ankesën, ndërsa Peixoto performoi i veshur me një bluzë ku ishin të ngjitura kopset me detajet bukë dhe peshq një referencë ndaj një mrekullie biblike.

“Jo të gjithë kanë nevojë të pëlqejnë atë që bëj, por duhet ta respektojnë,” tha ai, duke shtuar se nëse kthehet sërish në Liban, shpreson t’ua shpjegojë muzikën e tij kritikëve.

“Është muzikë për ta nxjerrë kishën jashtë mureve të kishës,” shtoi ai.

Adhuruesja e elektros, Cecile Freiha, 36 vjeçarja duke dal nga klubi, i tha Reuters-it se imazhi i një pëllumbi, i projektuar gjatë gjithë koncertit, ia kujtoi vizitën e Papës Leo në Liban në dhjetor, i cili ishte pjesë e turneut të tij të parë jashtë vendit.

“Ne duhet të jetojmë si një familje, sigurisht me fe të ndryshme ose edhe pa fe. Por kjo është shtëpia jonë. Dhe nëse jeton në Liban, Libani është shtëpia jote për të gjithë,” tha ai.

Liria e shprehjes nuk matet me pëlqimin e shumicës, por me aftësinë e shoqërisë për të pranuar dallimin. Kundërshtimi është i ligjshëm, por censura bëhet problem kur përpiqet të mbyllë hapësirën e tjetrit.

Nuk kemi pse ta pëlqejmë çdo gjë, por kemi detyrim ta respektojmë.

At Peixoto nuk e braktis fenë ai e shndërron atë në komunikim. Mesazhi i tij është se feja nuk është vetëm ritual brenda mureve, por edhe takim me botën reale, me brezat e rinj, me forma të reja shprehjeje.