Live Stories from Prishtina

LIVE

29 Tetor, 2024

Thesari i shtetit ia bllokoi buxhetin Komunës së Suharekës.

Këtë e konfirmoi kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, ndërsa po përuronte palestrën sportive në Sopijë.

“E kam obligim të theksoj para jush se, pasi na u bllokua buxheti i komunës, ne jemi me minus 100 mijë euro. Tash duhet të merremi vesh me operatorin ekonomik dhe obligimet do t’i kryejmë në të ardhmen. Taksat janë tuajat, jo të miat. Unë zotohem se asnjë operator ekonomik në këtë komunë nuk do të mbetet pa u paguar dhe obligimet tona do t’i përmbushim,” ka thënë Muharremaj.

Por, përmes një postimi në Facebook, zëvendësministri i Financave, Avni Zogiani, ka thënë se nuk ka bllokim të llogarive, por komunat po bëjnë shpenzime të buxhetit në mënyrë të paplanifikuar.

“Nuk ka bllokim të llogarive, por fjala është për shpenzim të buxhetit në mënyrë të paplanifikuar! Ana tjetër është mungesa e përpjekjes së komunave për ta mbrojtur vetveten në gjykata, mosverifikimi i çuditshëm i evidencave nga gjykatat dhe, sidomos, mosplanifikimi i buxhetit nga komunat sipas një qarkoreje këshilluese nga MFPT-ja!” ka shkruar Zogiani.