bota
10 Qershor, 2025
Hej, e di që ke pasur një ditë të lodhshme, ndoshta s’të ka mbetur shumë energji për të ndjekur çdo zhvillim nëpër botë. Por ja ku i ke katër lajmet kryesore të ditës së sotme, më 10 qershor 2025 shkurt dhe me atë që duhet ditur:
1. Tragjedi në Austri – Sulm me armë në një shkollë të mesme në Graz!
Një 21-vjeçar hyri i armatosur në shkollën e mesme “BORG Dreierschützengasse” në qytetin Graz dhe hapi zjarr ndaj nxënësve dhe stafit mësimor. Dhjetë persona mbetën të vrarë, përfshirë sulmuesin që vrau veten në vendngjarje në tualetin e shkollës ndërsa la edhe 12 të tjerë të plagosur, disa në gjendje të rëndë. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Austri, ndërsa po hetohet nëse sulmi ka qenë i motivuar nga ndonjë përplasje personale apo çështje mendore.
I dyshuari për sulmin ka qenë poashtu nxënës i kësaj shkolle, kanë bërë të ditur autoritetet.
Kanceleri Christian Stocker e quajti një “tragjedi kombëtare” dhe shpalli 3 ditë zie me flamuj në gjysmë shtizë dhe një minutë heshtje të mërkurën në 10:00.
2. Sulmi ajror më i rëndë ndaj Kievit që nga fillimi i luftës.
Rusia ka nisur një nga sulmet më të mëdha ajrore të luftës në Kiev duke përdorur raketa dhe dronë. Nga ky sulm u goditën zona rezidenciale, një maternitet në Odesa dhe katedralja e mbrojtur nga UNESCO “Shën Sofia” në Kiev. Të paktën tre civilë humbën jetën, ndërsa sistemi ajror ukrainas interceptoi 277 nga 315 dronët dhe të gjitha 7 raketat.
Presidenti i Ukrainës kërkoi presion ndërkombëtar më të fortë për të parandaluar vazhdimin e gjakderdhjes.
3. Banka Botërore paralajmëron për një kolaps të mundshëm të tregtisë globale për shkak të rritjes së tarifave.
Parashikimi i rritjes së ekonomive të përparuara ulet, vendet e varfëra përballen me rimëkëmbje të zgjatur.
Inflacioni global pritet të arrijë në 2.9% në vitin 2025, mbi nivelet para COVID-it.
Sipas raportit, tensionet tregtare midis SHBA-së dhe Kinës, tarifat e reja dhe pasiguritë gjeopolitike kanë ndikuar ndjeshëm në ngadalësimin e tregtisë globale, që pritet të rritet me vetëm 1.8%.
Në raportin e saj dy herë në vit mbi Perspektivat Ekonomike Globale, banka uli parashikimet e saj për gati 70% të të gjitha ekonomive – përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinën dhe Evropën, si dhe gjashtë rajone të tregjeve në zhvillim – nga nivelet që parashikoi vetëm gjashtë muaj përpara se Donald Trump të merrte detyrën.
4. Protesta dhe tensione në SHBA pas politikave të imigracionit.
Në Los Angelos, protestat kundër politikave të ashpra të emigrantëve kanë përshkallëzuar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit. Presidenti Donald Trump ka urdhëruar vendosjen e Gardës Kombëtare në qytet, duke theksuar nevojën për “ruajtjen e rendit dhe sigurisë kombëtare”. Dhjetëra qytetarë janë arrestuar dhe situata mbetet e tensionuar. Vendosja e trupave të Gardës Kombëtare dhe Marinsave në Los Angelos do të kushtojë të paktën 134 milionë dollarë dhe do të zgjasë të paktën 60 ditët e ardhshme, u ka thënë të martën ligjvënësve Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Opozita politike dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim për përdorimin e forcës ndaj civilëve dhe për retorikën nxitëse të administratës federale.
Nga Graz në Kiev, nga tregjet botërore në rrugët e Kalifornisë, bota sot na kujton sa e ashpër di të jetë dhe sa syhapur na bënë ndaj gjërave që posedojmë e nuk i vlerësojmë! Çka thua ti lexues, apo nuk shohim përtej hundës tonë?