Fakte
21 Mars, 2026
Festat fetare përtej riteve dhe traditave, qëllimin e kanë të njëjtë, gjetjen e paqes së brendshme.
Njëjtë është edhe dita e “Sulltan Nevruzit”, e cila vjen çdo vit si ajër i pastërt për besimtarët bektashinjë.
E vendosur me 22 mars, festa nderon faktin që natyra dhe shpirti duket se rilindin njëkohësisht. Festa nuk shënon vetëm ndërrimin e stinëve, kalimin nga dimri në pranverë, por tregon edhe lindjen e Imam Aliut, një prej figurave kyqe të historisë islame.
Vetë fjala “Nevruz” buron nga persishtja dhe do të thotë “Ditë e Re”, ndërsa “Sulltan” simbolizon madhështinë dhe lartësinë shpirtërore.
Besimtarët bektashinjtë këtë ftesë e shohin si dita për t’u pastruar nga e vjetra dhe për të përqafuar një fillim të ri, me më shumë dritë, mirësi dhe drejtësi.
Festa lidhet ngushtë me figurën e Imam Aliut dhëndrit të Profetit Muhamed. Ai konsiderohet porta e dijes dhe një udhërrëfyes shpirtëror për miliona besimtarë. Nuk është rastësi që shpesh ai përmendet edhe si “Hazreti Ali”, një titull nderi që përdoret për figura të shenjta, me kuptimin “i nderuari” apo “i madhërishmi”.
Kjo formë e thekson edhe më shumë dashurinë dhe respektin e thellë që besimtarët kanë për të.
Thuhet se Profeti Muhamed la një thënje e cila përmbledh më së miri rolin e Alisë në raportin e tyre dhe si bartës i së vërtetës dhe ndriçimit.
“Unë jam qyteti i dijes dhe Aliu është porta e tij”, apo “Nuk ka trim si Aliu dhe nuk ka shpatë si Zylfikari” dhe “Kush e do Aliun, më ka dashur mua; kush e urren Aliun, më ka urryer mua.”
Për këtë arsye, ai u quajt prijës i besimtarëve. Në traditën bektashiane konsiderohet se ai la pas tri parime themelore:
peshën e mendimit, unitetin njerëzor dhe drejtësinë.
Në trojet shqiptare, Sulltan Nevruzi nisi të festohet që nga përhapja e bektashizmit në shekullin XIV, duke u bërë me kalimin e kohës një nga festat më të rëndësishme shpirtërore.
Ajo bashkon besimtarët në teqe, ku zhvillohen lutje, rite dhe ndarje e ushqimeve si shenjë dashurie dhe solidariteti. Teqetë mbushen me atmosferë të qetë, me këngë, lutje dhe një ndjenjë të fortë bashkimi.
Poeti i madh Naim Frashëri e përshkruan këtë ditë me vargje që tingëllojnë kështu:
“Sot është një ditë e re, moti përsëritet,
lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vetë Perëndia.”
Një nga elementët më domethënës të kësaj dite janë simbolikat e saj në ushqim.
Në këtë ditë, me mëngjes pihet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re.
Përgatitet ushqimi tradicional, byreku me 12 lloje barishtesh (spinaq, lëpjetë, majdanoz, gjethe lakre, kopër, qepë, oriz etj.). Këto bimë simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë. Brenda byrekut vendoset edhe një monedhë metalike. Pasi piqet, zonja e shtëpisë e ndan në pjesë dhe i jep secilit anëtar të familjes nga një copë. Ai që gjen monedhën konsiderohet me fat dhe besohet se do të ketë një vit të mbarë e të begatë.
Në këtë ditë zakonisht gatuhen edhe mish pule ose qengji, shpesh qengj i pjekur. Ëmbëlsira karakteristike është sultiashi, i cili përbëhet nga qumështi (simbol i mëmësisë), orizi (simbol i bollëkut) dhe sheqeri. Gjithashtu përgatitet edhe sherbeti që shpërndahet në teqe, ndërsa në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz)
22 marsi përkon gjithashtu me përvjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, një ngjarje ku ka marrë pjesë edhe Nënë Tereza.
Çdo ditë e re është një mundësi për ta nisur nga e para

