Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Nëntor, 2024

Jo shumë premtues nga mbiemri por me fuqi të pamatshme kur bëhet për pushtetin. Protagonistët kryesor të këtij artikulli janë ministri Faton Peci dhe deputetja Fitore Pacolli.

“O lopt e mija o, ma t’mirat n’katun-e…..
100 mijë euro, projekti për loptë qumshtore nën moton e “drejtësisë sociale”

Kosova sapo ka hyrë në një epokë të re të zhvillimit rural, ku projektet për stallat e lopëve qumështore duket se janë shndërruar në interesa familjare.

Dhe kush tjetër pos, vëllai i Fitore Pacollit, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, mund ta përfaqësojë këtë “çudi” kosovare.

Po flasim për subvencionin prej 100 mijë euro, të ndarë nga Ministria e Bujqësisë, nën drejtimin e “zellshëm” të ministrit, Faton Peci.

Peci, është treguar zemërgjerë, pasi që vëllai i deputetes, ka si qëllim ndërtimin e një ferme “lukzose”, për lopë.

E kur PDK, kërkoi shkarkimin e Pacollit dhe Pecit, ky i fundit tregoi një anë të tij të cilën e kishe kursyer deri tash.

Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston”, ka shkruajtur Peci në faqen e tij në Facebook.

Fjalia “krejt e marrin grantin”, u kuptua që nuk ekziston.

Por këtu ka një dilemë, para faktit se vëllau i deputetes në pushtet përfiton subvencion nga shtet.

Ndoshta në këtë fazë më mirë do të ishte të merreshim, çfarë lloj lopësh do të jenë ato në stallën e Pacollëve?

Ndërkohë, fermerët e zakonshëm, që luftojnë për të mbajtur fermat e tyre në këmbë me nga tre lopë dhe një kazan të ndryshkur, ndoshta do të mendojnë se po shohin ndonjë version kosovar të episodin e reality show “VIP Ferma”

Ministri Peci, qysh në fillim të mandatit është zotuar se do ta mbështes zhvillimin rural dhe bujqësinë në Kosovë.

Dhe për ta bërë këtë, duket se ka zgjedhur edhe mbështetjen e atyre që këtë mund ta kryejnë edhe me një telefonatë në WhatsApp.

Në shoqërit ku korrupsioni zakonisht gjen forma të fshehura, Kosova bën përjashtim.

Subvencioni është dhënë hapur, me thirrje publike, duke dhënë dëshmi për të gjithëve se “këtu s’ka asgjë për të fshehur, ne të gjithë jemi të sinqertë”.

Ky është një mesazh i fuqishëm për qytetarët. Nëse don mbështetje, bëhu pjesë e sistemit, sepse ndryshe s’ka qumësht as për ty e as për lopët e tua.