Botë
1 Korrik, 2025
Në një kohë kur kultura rreth selfie-ve, storie-ve dhe scroll-s të pavetëdijshëm ka pushtuar jetën e natës, një klub në Manchester po rikthen diçka të harruar, praninë.
Amber’s, një klub i sapohapur në zemër të Manchester-it, po ringjallë frymën e vërtetë të rave-it duke ndaluar telefonat në pistën e vallëzimit.
I frymëzuar nga klubet legjendare të Berlinit dhe pjesë e një tendence për rikthimin e vëmendjes tek klubi në Mbretërinë e Bashkuar, ky vendim po e ndryshon mënyrën se si njerëzit përjetojnë daljet e natës dhe duket se po funksionon.
“Besojmë se thjeshtë fakti që telefonat nuk janë të pranishëm krijon një energji më të mirë në hapësirë,” thotë Jeremy Abbott, një nga drejtuesit e Amber’s dhe DJ vendas.
“Njerëzit janë shumë më të pranishëm në moment, lidhen më shumë me njëri-tjetrin, me muzikën dhe me DJ.”
Që në hyrje, siguria në Amber’s vendos një ngjitëse mbi kamerën e çdo telefoni. Nuk është ndëshkim, është marrëveshje. Një kontroll i fundit përpara se të futesh në botën e zhurmshme të “basit” e siguron se të gjithë janë në të njëjtën valë.
“Deri tani, reagimi ka qenë i mrekullueshëm. Njerëzit e kanë respektuar idenë dhe e kanë mbajtur telefonin mënjanë dhe kjo ka sjellë një atmosferë shumë më të mirë në pistë”, thotë Abbott.
Për ata që duan të ruajnë ndonjë kujtim nga nata, Amber’s ka një ekip lëvizës që dokumenton momentet më të veçanta për promovim. Në këtë mënyrë, pjesëmarrësit mund të fokusohen në kërcim, jo në për t’ju treguar të tjerëve që po e shijojnë një natë në klub.
Kjo nuk ka të bëjë vetëm me pamjet apo organizimin e turmës por me çlirimin nga presioni që sjellë rrjetëzimi social. BBC Radio 6 Music organizoi një mbrëmje të quajtur Rave Forever në Amber’s, ku DJ Jamz Supernova theksoi sa shumë ka ndryshuar jeta e natës.
“Gjithmonë më kanë pëlqyer klubet e pista, me dysheme ngjitëse, por ato nuk i shërbejnë gjeneratës së Instagramit. Është errësirë, tym, nuk del mirë në foto”, thotë ajo.
Ajo shtoi se sot ndjesia është se duhet të dukesh “perfekt” gjatë gjithë natës. Dikur më parë, njerëzit nuk e kishin problem të djersiteshin, të rrëzoheshin, të humbnin kontrollin. Tani, gjithçka duhet të jetë në atë gjendje, që të jetë “e postueshme”.
Për më tepër, sipas Supernovës, telefoni mund ta ndryshojë ritmin e natës.
“Të rinjtë ndalen për 20 sekonda për të vallëzuar dhe më pas të humbin nga vëmendja dhe ndoshta fajin e kanë edhe ekranet gjithnjë të ndezur”, shtoi tutje.
Rilindja e vlerave të vjetra të rave-it
Kath McDermott, DJ dhe producente në Radio 6 Music, e sheh Amber’s si pjesë të një rikthimi të kulturës së nëndheshme të klubeve.
“Klubet në Manchester kanë ndryshuar pa masë ndër vite, por qyteti dhe gjithnjë e më shumë edhe Salford mbetet një prej shtëpive të rave-it.”
Ajo përgëzon rikthimin e organizimeve nga baza, ku fokusi është bashkimi dhe muzika, jo fitimi.
“Është shumë pozitive që po kthehen këto festa të vogla, të vërteta… me një brez të ri të DJ-ve dhe pjesëmarrësve”, tha ajo.
Edhe për skeptikët që mendojnë se kjo është një modë kalimtare, historia ofron perspektivë. Supernova e krahason këtë ndryshim me rritjen e vetëdijes për ngacmimet seksuale në klube:
“Para dhjetë vitesh, shumë gjëra i toleronim. Sot, njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin shumë më tepër. Pra shpresoj që kjo të ndodh edhe me telefonat. Brezi i ri do të ketë një përvojë ndryshe të klubit sepse kjo do të jetë normalja e re. Ata nuk do ta njohin ndryshe.”
Amber’s nuk është i vetëm në këtë mision. Klube të njohura si Fabric dhe Fold në Londër kanë vendosur rregulla të ngjashme. Por qasja e Manchester-it po tërheq vëmendje, sidomos për shkak që njerëzit kanë etje për lidhje të drejtpërdrejtë.
Telefonat nuk janë ndaluar sepse janë të këqinj por për të lënë hapësirë për spontanitet, për gëzim të ndarë, për ndjenja që nuk i kap asnjë video.
Ndoshta, kujtimet më të mira nga një natë e paharruar nuk janë ato që i postojmë, por ato kur kërcejmë bashkë.
Zone, Duplex, 13 rooftop, Venom, Gate, apo klube të tjera në Prishtinë, Prizren, Gjakovë e gjetiu a munden me eksperimentu me forma të reja të bashkëjetesës muzikore? Ndoshta me çu edhe një hap më tej – si ndalimi i telefonave në pistë, ndoshta edhe mund të krijoj hapësira më të çliruara, më intime, më të lidhura me muzikën dhe njëri-tjetrin.