Fakte abstrakte
17 Qershor, 2025
“Po, Hollywood-i është plot me të huaj. Nëse i dëboni të gjithë, nuk do të keni më asgjë për të parë, përveç futbollit dhe arteve marciale – që nuk janë art.
Por kush jemi ne dhe çfarë është Hollywood-i në fund të fundit? Është vetëm një grumbull njerëzish nga vende të ndryshme. Unë kam lindur dhe jam rritur në shkollat publike të Nju Xhersit. Viola u lind në një shtëpi me kashtë në Karolinën e Jugut. Sarah Paulson u rrit nga një nënë beqare në Brooklyn. Sarah Jessica Parker ishte një nga shtatë fëmijët në një familje nga Ohajo. Amy Adams ka lindur në Vicenza të Italisë. Natalie Portman ka lindur në Jerusalem. Ku janë certifikatat e tyre të lindjes?
Ruth Negga ka lindur në Addis Ababa, Etiopi, është rritur në Irlandë dhe këtu është nominuar për rolin e një gruaje nga Virxhinia rurale. Ryan Gosling, si të gjithë njerëzit më të mirë, është kanadez. Dev Patel ka lindur në Nairobi, është rritur në Londër dhe luan një djalë indian që rritet në Tasmani.
Pra, Hollywood-i është vetëm një vend i jashtëzakonshëm me njerëz që vijnë këtu nga çdo vend i botës për të dhënë historitë e tyre dhe ky vit ka qenë i mbushur me performanca mahnitëse që na tregojnë për ndjenjat e njerëzve të ndryshëm nga ne dhe na ndihmojnë të kuptojmë e të ndjejmë për ta.”
Po, ky ishte fjalimi mahnitës i Meryl Streep në Golden Globes në 2017-ën, i cili është mahnitës dhe me të cilin edhe dikush nga Kosova mund të reflektoj. Kur po them dikush, po flas për ndarjen kulturore që bëhet në “një trohë” vend. Tani del dikush që ta jep një përgjigje si: “Po hajt se në t’gjitha anët e botës bëhen ndarje mes qyteteve”. Jo bre s’bëhet ose nëse bëhet, pse normalizohet pra?
Të kthehemi tek ky moment i magjishëm.
Në një moment që tejkaloi glamour-in e një nate çmimesh, Meryl Streep shndërroi fjalën e saj në një diagnozë kolektive. Ajo nuk foli për filma, por për njerëz. Nuk tha asgjë për kostumografinë, por foli për dhunën simbolike dhe pa përmendur emra, foli për frikën që ndodh kur fuqia përdoret për të përçmuar të pambrojturit.
Por pse ky fjalim preku kaq shumë njerëz dhe pse vazhdon të citohet ende sot?
Nga këndvështrimi i psikologjisë sociale fjalët e saj shfaqnin empati. E, empatia nuk është thjeshtë një ndjesi e butë emocionale, është një akt psikologjik që ngadalëson ndarjet sociale, zbut frikën nga “tjetri” dhe na ndihmon të shohim përtej stereotipeve.
Kur Streep thotë:
“Detyra e vetme e një aktori është të hyjë në jetën e njerëzve të ndryshëm nga vetja jonë dhe t’ju bëjë të ndjeni si është të jesh ai person”!
Ajo përkufizon një nga proceset më të ndërlikuara psikologjike, identifikimin emocional.
Në psikologji, kjo përfshihet në teorinë e “role taking” aftësia për të adoptuar këndvështrimin e dikujt tjetër, që është baza e zhvillimit moral dhe ndërveprimit shoqëror.
Tallja publike bëhet normë
Në një pjesë të fjalimit të saj, Streep thotë: “Vitin e kaluar ndodhi një ‘performancë’ që më tronditi: kur një person me pushtet imitoi një gazetar me aftësi të kufizuara. Nuk ishte në film, ishte në jetën reale. Dhe kjo sjellje, kur vjen nga lart, nxit të tjerët ta imitojnë.”
I referohet presidentit amerikan, Donald Trump, i cili në vitin 2015 gjatë fushatës për president imitoi me gjeste përqeshëse gazetarin e “The New York Times”, Serge Kovaleski.
Gjatë takimit të tij në Karolinën e Jugut, Trump lëvizi krahët në një mënyrë që u perceptua gjerësisht si tallje e drejtpërdrejtë ndaj gjendjes fizike të gazetarit.
Në psikologji, ky akt përkufizohet si një modelim i sjelljes agresive përmes autoritetit, një formë e socializimit negativ ku sjellja abuzive legjitimohet sepse vjen nga lart.
Një ndër studimet më të njohura në këtë fushë është ai i Bandura-s mbi modelimin, që tregon se njerëzit janë të prirur të imitojnë sjellje të fuqishme, qoftë edhe kur janë destruktive, nëse ato vijnë nga figura me autoritet.
“Mosrespekti fton mosrespekt. Dhuna nxit dhunën.”
Kur Streep pyet “Çfarë është Hollywood-i?”, në të vërtetë ajo po pyet: Çfarë është shoqëria jonë? Për kë është hapësira e suksesit, e zërit, e tregimit? A është ajo një elitë e mbyllur apo një mozaik njerëzish që kanë ardhur nga anembanë botës, duke sjellë me vete përvoja, dhimbje dhe ndjeshmëri?
Nga kjo perspektivë, Hollywood-i bëhet metaforë për shoqëritë moderne pluraliste, të cilat funksionojnë vetëm kur diversiteti shihet si vlerë, jo si rrezik.
Psikologët shpesh flasin për “mikro-trazira” emocionale që ndodhin në momente krize ku një deklaratë e sinqertë, një histori ose një fjalë e thjeshtë mund të krijojë një hapësirë për reflektim. Fjalimi i Meryl Streep ishte një ndërhyrje publike me efekt terapeutik.
Po të ndodhte një ndarje çmimesh në Prishtinë dhe një artiste të ngrihej të fliste jo për veten, por për vendin ku jeton, ndoshta do të thoshte kështu:
Por çfarë është Kosova, në të vërtetë? Nuk është vetëm një emër në pasaportë. Është një vend i përbërë nga njerëz që vijnë nga histori të ndryshme, nga fshatra, qytete, mërgim. Të gjithë kemi një rrugë të dhimbshme, një plagë që e bartim në heshtje dhe një ëndërr që nuk po e zëmë dot me dorë.