Live Stories from Prishtina

LIVE

23 Shkurt, 2026

A është njeriu në thelb bashkëpunues apo egoist? Kjo pyetje ka ndarë biologë, antropologë dhe psikologë për më shumë se një shekull. 

Shkencëtarët përpiqen t’i përgjigjen dilemes nëse “njeriu është bashkëpunues nga natyra apo mendon fillimisht për interesin e vet?”

Që nga koha e Charles Darwin dhe botimit të veprës së tij “The Descent of Man”, në biologji u përhap ideja se qeniet e gjalla evoluojnë për të siguruar suksesin e tyre dhe të pasardhësve.

Me fjalë të tjera, në themel qëndron interesi vetjak. Sipas kësaj qasjeje, mirësia dhe morali nuk janë thelbi i natyrës sonë por bëhen pjesë e jona nga rrethanat.

Në anën tjetër, mendimtarë si Pyotr Kropotkin, në librin “Mutual Aid”, theksuan se t’i ndihmosh dikujt dhe po ajo ndihmë të kthehet tek ti është po aq e rëndësishme për mbijetesën sa konkurrenca. Sipas tij, asnjë specie nuk mund të mbijetojë pa bashkëpunim.

Sot, ky debat vazhdon por përgjatë kohës dilema është fuqizuat me eksperimente konkrete dhe studime shkencore.

Çfarë tregojnë eksperimentet?

Një nga studimet më të njohura është ai i vitit 2001 me të ashtuquajturën “loja e ultimatumit”. Në këtë lojë, një person merr një shumë parash dhe duhet të vendosë sa do t’i japë dikujt tjetër. Nëse tjetri nuk pranon ofertën, të dy humbin gjithçka.

Sipas logjikës personi i parë duhet të ofrojë sa më pak që të jetë e mundur dhe tjetri duhet ta pranojë sepse më mirë pak se asgjë.

Në 15 shoqëri të vogla tradicionale ku u zhvillua eksperimenti, ofertat pothuajse kurrë nuk ishin nën 25% të shumës.

Në disa grupe, si Aché në Paraguai dhe Lamelara në Indonezi, njerëzit shpesh ofronin mbi gjysmën.

Ekonomisti Ernst Fehr e interpretoi këtë si provë se njerëzit nuk e durojnë padrejtësinë dhe duan barazinë.

Çfarë ndodh kur hiqet presioni shoqëror?

Antropologia Polly Wiessner zhvilloi eksperimente të ngjashme me “Ju/’hoansi” në Kalahari, ajo u tha pjesëmarrësve se askush nuk do ta dinte zgjedhjen e tyre dhe se nuk do të kishte pasoja.

Kur u bindën se ishin vërtet anonimë, disa pjesëmarrës filluan të mbanin më shumë para për vete.

Kjo vuri në pah, faktin që njerëzit bashkëpunojmë sepse jetojmë në komunitet, sepse na intereson reputacioni, sepse kemi marrëdhënie afatgjata dhe sepse kemi frikë nga pasojat. Kur këto zhduken atëherë edhe sjellja ndryshon.

Pra nuk e di a ia vlenë në këtë rast ta bëjmë pyetjen “a jemi njerëz të mirë?” apo duhet të shtrojmë pyetjen “çfarë ndodh kur kemi mundësi të përfitojmë pa u zbuluar?”

Nuk ka “njerëz bashkëpunues” dhe “njerëz tradhtarë”?!

Shumë modele teorike e paraqesin shoqërinë si të ndarë mes njerëzve bashkëpunues dhe tradhtarë. Por në jetën reale gjërat nuk janë kaq të thjeshta.

Një person mund të jetë i drejtë në një situatë dhe “përfitues rasti” në një tjetër, sjellja jonë varet nga rrethanat.

Studimet mbi të ashtuquajturin  “moral credentialing” (që do të thotë kur dikush përdor një veprim të mirë të mëparshëm apo nga e kaluara si provë që është person i drejtë), tregojnë se kur njerëzit ndihen moralisht të pastër më pas janë më të prirur të justifikojnë një shkelje të vogël.

Pse jemi kaq të zotë në manovrime?

Sipas hipotezës nga punimi “social brain” e psikologut Nicholas Humphrey, inteligjenca njerëzore evoluoi kryesisht për të kuptuar dhe menaxhuar marrëdhëniet me të tjerët.

Ne jemi shumë të aftë të lexojmë qëllimet e të tjerëve, të fshehim qëllimet tona dhe të lëvizim me kujdes mes rregullave.

Në çdo shoqëri ka njerëz që ndjekin normat vetëm për aq kohë sa u leverdis. Kur fitojnë pushtet ose sigurohen se nuk do të ndëshkohen, mund të ndryshojnë sjellje.

Çfarë do të thotë kjo për ne sot?

Në shoqëritë moderne, ku grupet janë të mëdha dhe marrëdhëniet më private, mundësitë për përfitim të fshehtë janë shumë më të shumta sesa në komunitetet e vogla tradicionale.

Prandaj, ndoshta barazia në disa shoqëri të vjetra nuk ishte thjesht çështje e moralit të lartë por edhe fakti që ishte e vështirë të mashtroje pa u vënë re.

Sipas fitueses së Çmimit Nobel Elinor Ostrom, bashkëpunimi nuk mbahet gjallë nga shpresa se njerëzit janë të mirë por nga norma të qarta dhe institucione që e bëjnë mashtrimin të kushtueshëm.

Njeriu nuk është as engjëll, as djall. Ne kemi aftësinë të bashkëpunojmë dhe aftësinë të përfitojmë për vete. Cila anë del në pah, varet shumë nga rrethanat.

Aftësia jonë për ta njohur mashtrimin dhe për ta kufizuar është po aq pjesë e natyrës sonë sa edhe prirja për të përfituar.