Fakte abstrakte
8 Prill, 2025
Thuhet se e kupton kur dikush ka motër.
Dhe jo më kot studimet tregojnë se të kesh një motër ndikon pozitivisht në shëndetin mendor, në vetëvlerësim dhe sjellje. Një studim i botuar në Journal of Family Psychology zbuloi se motrat ndihmojnë që njerëzit të ndihen më të dashur, më pak të vetmuar dhe më të sigurt në vete.
Ky ndikim është veçanërisht i madh te djemtë. Ata që janë rritur me motra rezultojnë më të dhembshur, më pak paragjykues dhe më të aftë të tërhiqen nga debatet kur është e nevojshme. Motrat shpesh luajnë rolin e një mbështetjeje emocionale që nuk e zëvendësojnë as prindërit. Sipas studimeve nga Universiteti Brigham Young (BYU), marrëdhëniet me motrat ndihmojnë në zhvillimin e aftësive për menaxhimin e emocioneve, komunikimin dhe zgjidhjen e konflikteve.
Një nga studiueset, Laura Padilla-Walker, thekson se edhe kur ndodhin zënka mes vëllezërve dhe motrave, ato shërbejnë si terren mësimor për aftësi sociale të vlefshme gjatë gjithë jetës. Debatet për gjëra të vogla, si për shembull për një xhaketë të huazuar pa leje, në fakt ndihmojnë në zhvillimin e kompromisit dhe negociatës.
Ndikimi i motrave shkon përtej familjes. Ato ndihmojnë që vëllezërit të jenë komunikues më të mirë, gjë që ndikon pozitivisht edhe në marrëdhëniet e tyre me gratë. Në tërësi, prania e një motre shoqërohet me më pak depresion dhe më shumë mirëqenie emocionale.
Studiuesi Tony Cassidy nga Universiteti i Ulsterit zbuloi se ata që kishin motra ishin më të vendosur dhe më ambiciozë. Sipas tij, në familjet me më shumë vajza ka më shumë nxitje për sukses dhe pavarësi. “Është ajo dëshira e brendshme për të bërë më mirë çdo herë, për të ndjekur qëllimet,” thotë ai.
Po nëse nuk ke motër? S’ka problem. Studimi i BYU-së tregon se edhe marrëdhëniet me një vëlla mund të ndikojnë pozitivisht. Ajo që ka rëndësi është afeksioni mes vëllezërve dhe motrave ai ndikon më shumë në sjelljet bamirëse sesa dashuria nga prindërit.
Profesoresha Megan Gilligan nga Universiteti i Misurit tregon se marrëdhëniet e hershme me vëllezërit e motrat janë parashikues të rëndësishëm për shëndetin emocional në moshë madhore. Sipas saj, ngrohtësia dhe konfliktet e përjetuara në fillim të të njëzetave ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale deri në moshën 40-vjeçare.
Pra, edhe nëse të kanë bezdisur apo të kanë vjedhur rrobat ndonjëherë, mund t’i falënderosh vëllezërit dhe motrat që kanë ndihmuar të jesh njeriu që je sot më i qëndrueshëm, më i ndjeshëm dhe më i aftë për të përballuar jetën.