Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Dhjetor, 2025

Në vitin 1705, mjeku dhe filozofi anglo-holandez, Bernard Mandeville botoi në mënyrë anonime një poemë satirike me titull “The grumbling hive or knaves turned honest”. Në të, ai përshkroi një koshere bletësh si metaforë për ta përshkruar Britaninë e kohës së tij një shoqëri ku çdo individ punon për interesin personal, çdo profesion ka mashtrimet e veta dhe pasionet njerëzore shfrytëzohen pa skrupuj. 

Megjithatë, paradoksalisht, kjo botë funksionon më mirë kur ekzistojnë veset e njerëzve. Siç shkruan Mandeville, edhe më i keqi mes tyre, kontribuon në një mënyrë a tjetër, për të mirën e përbashkët.

Skandali lind kur bletët vendosin të riformohen moralisht. Kur ndershmëria dhe virtyti bëhen normë, kosherja rrënohet. Me këtë përmbysje, Mandeville sfidon moralizmin tradicional dhe sugjeron se veset personale janë në fakt motori i prosperitetit shoqëror.

Kjo ide u zhvillua më tej në veprën që i dha atij famën e keqe, “The fable of the Bees or private vices, public benefits”, botuar në vitin 1714 dhe zgjeruar më 1723. Krahas poemës origjinale, Mandeville shtoi ese shpjeguese ku argumenton se njerëzit udhëhiqen jo nga arsyeja, por nga pasionet, krenaria dhe frika nga turpi. 

Morali, sipas tij, nuk buron nga ndonjë ligj hyjnor apo racional, por nga ndjenja njerëzore që marrin njerëzit prej lavdërimit dhe turpërimit.

Për shekuj me radhë, Mandeville është lexuar kryesisht si mendimtar ekonomik. Idetë e tij mbi nevojat vetjake që kishte njeriu, ndarjen e punës dhe konsumin luksoz ndikuan fuqishëm në doktrinën laissez-faire (ideologjia kur lë gjërat të marrin rrjedhën e tyre, pa ndërhyrë) dhe në konceptin modern të tregut. 

Friedrich von Hayek e konsideronte atë pararendës të Adam Smith-it dhe të metaforës së “dorës së padukshme”. Megjithatë, identifikimi që njerëzit i dhanë Mandeville-it, duke e trajtuar vetëm si një teoricien të ekonomisë ka errësuar thellësinë e vërtetë të projektit të tij filozofik.

Në thelb, Mandeville ishte një anatomist i natyrës njerëzore. I lindur në Roterdam më 1670, i arsimuar në mjekësi dhe filozofi në Leiden, ai u vendos në Londër ku punoi si mjek, veçanërisht me pacientët që vuanin nga hipokondria dhe çrregullime nervore. Seancat e gjata të bisedave terapeutike e ndihmuan të zhvillonte një vëzhgim të mprehtë mbi psikologjinë njerëzore, një praktikë që i paraprin, në mënyrë intuitive psikoanalizës moderne.

Në qendër të analizës së tij qëndron krenaria. Për Mandeville-in, krenaria është pasioni më i dobishëm për shoqërinë, sepse na shtyn të kërkojmë vlerësim nga të tjerët. Ai e quan këtë mekanizëm “self-liking”, kombinimi i dashurisë për veten dhe frikës nga turpi.

Pikërisht kjo nevojë për njohje shoqërore krijon normat, sjelljet dhe institucionet civile.

Sipas tij, historia e qytetërimit nuk është asgjë tjetër veçse historia e formave të ndryshme të fshehjes së krenarisë. Ne mësojmë të jemi krenarë duke e maskuar krenarinë tonë. Mirësjellja, nderi dhe sjelljet “e mira” nuk janë virtyte të pastra morale, por strategji shoqërore për të qenë të pëlqyer dhe të pranuar.

Kjo analizë shtrihet edhe në çështjet e gjinisë. Mandeville ishte ndër të paktët mendimtarë të kohës që e trajtoi seriozisht pozitën e grave në një shoqëri thellësisht mizogjene. Ai denoncoi standardet e dyfishta morale, sipas të cilit burrat vlerësoheshin për guximin, ndërsa gratë për dëlirësinë. Ndërsa nderi mashkullor mund të rikuperohej, ai femëror humbiste përgjithmonë.

Në të dyja rastet, shoqëria prodhon “virtyte” që kërkojnë flijime të përgjakshme për të ruajtur iluzionin e nderit.

Për Mandeville-in, morali dhe sjelljet shoqërore nuk janë produkt i planifikimit racional, por rezultat i një procesi spontan historik, i nxitur nga pasionet njerëzore. Para se të jemi persona që veprojnë vetëm për përfitimin më të madh, ne jemi kërkues të vlerësimit. Dëshira për njohje, lavdërim dhe status, është forca themelore që formëson shoqërinë moderne.

Mandeville po thotë se i njëjti pasion njerëzor, krenaria (dëshira për t’u ndjerë i vlefshëm dhe i admiruar) vepron si te njerëzit “e respektueshëm”, ashtu edhe te ata “të këqij”.

Dallimi nuk është pasioni, por forma që merr ai në shoqëri.

Të heqësh dorë plotësisht nga bota dhe të braktisësh menjëherë shoqërinë e të gjithë personave që kanë vlerë në të, është një vendim i tmerrshëm. A do të bëheshe temë bisede e qytetit dhe e tryezave? A do të duroje të ishe objekt talljeje dhe përçmimi në hane? A nuk është ky fati i sigurt i një njeriu që do të refuzonte të luftonte ose do të duronte një fyerje pa hakmarrje?