Bota
30 Qershor, 2025
Aty ku sundonin perandorët dhe gladiatorët, të trajnuar për të luftuar në arena publike argëtonin popullin dhe elitën, Roma shfaqej si një pamje e luksit dhe rrezikut të përhershëm. Për pesë shekuj, ajo dominoi botën perëndimore, por sekreti i vërtetë i fuqisë së saj qëndronte diku tjetër, nën detet që dikur i kontrollonte.
Pa detin dhe pa kontrollin mbi rrugët tregtare detare, nuk do të kishte pasur perandori. Imagjinoni sikur të mund të zbraznim oqeanet, duke i lënë ujërat të iknin, për të zbuluar sekretet e thellësive detare.
Sot kjo është e mundur, falë të dhënave të sakta dhe teknologjisë së jashtëzakonshme që ndriçon sërish një botë të humbur. Si mundet një liqen misterioz, milje larg qytetit, të shpjegojë zotërimin e Mesdheut nga Roma?
Roma u ndërtua në një shkallë që nuk kishte të krahasuar, vetëm perandorët romak kishin një ambicie të tillë.
Dokumentari “Drain the Oceans” sjellë në dritë rolin që porta e humbur e Pizos (Portus) kishte në ngritjen e Romës si superfuqi.
Porta antike e Pizos, e ndërtuar nga perandorët romak rreth vitit 46 para e.s., ishte pika kyçe që e bëri të mundur furnizimin e kryeqytetit me mbi 300 milionë ton drithëra, çdo vit.
Porta e Pizos u ndërtua nga perandorët Claudius dhe Trajan.
Arkeologët e sotëm, duke ndjekur gjurmët në terren dhe me ndihmën e sonarëve (paisje që përdorin valë zanore për të zbuluar objekte nën ujë, për të matur thellësinë ose për të krijuar harta të funddetit) dhe hartave digjitale, zbuluan strukturat e mbytura të portit, të cilat ndodhen rreth 15 milje larg Romës dhe madje mbi 2 milje larg bregut të detit, e dokumentuar nga ekipi i Peter Campbell.
Ndër zbulimet më të rralla ishin anijet romake në gjendje të shkëlqyer, përfshirë strukturën e tyre gjashtëkëndore, magazina drithi dhe infrastruktura të tëra logjistike që dërgonin mallrat drejt lumit Tiber dhe prej andej, në zemër të perandorisë.
Një zbulim akoma më dramatik ndodhi në brigjet e Spanjës, ku u gjet anija romake “Bajo de la Campana”, e cila transportonte jo vetëm kripë dhe verë, por edhe plumb të shënuar me inicialet IM – Imperatoris. Kjo tregon se ngarkesa ishte pronë direkte e perandorit Nero dhe ishte e destinuar për rindërtimin e Romës pas zjarrvënies së madhe në vitin 64 para e.s.
Ndërkaq, në Izrael, në qytetin e lashtë të Cezareas, studiuesit zbuluan portin e parë artificial në botë.
I ndërtuar me beton hidraulik që forcohet në ujë, porti është një nga arritjet inxhinierike më të avancuara të antikitetit. Dokumentari tregon teknikat ndërtimore me pozolanas, origjinën e pozolanas nga Italia dhe përdorimin e druve për kallëpe.
Pozolana është një material natyror (hir vullkanik) që kur përzihet me gëlqere dhe ujë, formon një beton shumë të fortë dhe rezistent ndaj ujit. Romakët e gjetën pozolanën në një rajon me po të njëjtin emër si të materialit pranë Napolit ku e merrnin përmes hirit vullkanik që vinte nga shpërthimet e Vezuvit dhe Flegrean Fields.
Megjithatë, një tsunami mendohet se e shkatërroi vetëm një shekull më vonë.
Këto zbulime të reja tregojnë se suksesi i Perandorisë Romake ishte njësoj në det sa ishte në tokë. Në qendër të së gjithës qëndronte kontrolli i porteve, teknologjia inxhinierike dhe aftësia logjistike për të ushqyer dhe bashkuar një perandori me mbi 16 milionë banorë. Një rrëfim që rishkruan historinë e Romës.