Bota
30 Tetor, 2025
Fjalët Dubai dhe çokollatë ishin dy fjalët që askush nuk mendoi se do të shoqëroheshin me njëra-tjetrën në fillim të vitit 2024.
Megjithatë, 10 muaj më vonë, variacione të ëmbëlsirave të mbushura me fëstëk filluan të shiheshin në pothuajse çdo supermarket në vend.
Por çfarë është ajo që i bën ushqime të caktuara, duke përfshirë çokollatën e Dubait dhe çajin me flluska, të “shpërthejnë” dhe të hyjnë në listën e dëshirave të të gjithëve?
Charles Spence, i cili është profesor i psikologjisë eksperimentale në Universitetin e Oksfordit, ka hetuar pse fillojnë këto çmenduri për ëmbëlsirat duke ndarë për BBC-në, sekretet e këtij fenomeni.
“Mendoj se një pjesë e kësaj i detyrohet vetëm fuqisë së ndikuesve këto ditë, të cilët janë shumë të etur të na tregojnë se ata hanë ushqimin më të fundit që kanë zbuluar diku në botë”, shpjegoi profesor Spence.
“Këto trende më pas u përhapën globalisht shumë shpejt. Që trendet të fillonin, duhej të kishin “diçka që duket ndryshe, që duket unike”, tha ai.
Në rastin e çokollatës së Dubait, profesor Spence vuri në dukje “kontrastin e gjallë” midis ngjyrës së gjelbër të fëstekut në brendësi dhe çokollatës kafe në pjesën e jashtme.
“Ai kombinim dallues vizual i ngjyrave, që kushdo që po shikon postimin tënd në Instagram e di se ke diçka të ndryshme.”
Ai tha se paraqitjet “unike” kishin ndihmuar gjithashtu në popullaritetin e Aperol Spritz dhe “madje edhe në ringjalljen e verës rozë”, të cilën “shumë do të thoshin se i detyrohet faktit që duket mirë në Instagram dhe jo shijes apo aromës së saj. Kur i provon ndonjëherë, pyet veten pse janë kaq të njohura dhe çfarë po ndodh. Më është dashur të bëj kërkimet e mia dhe të provoj vet pak nga çokollata e Dubait dhe pjesa tjetër e çokollatës sime është ende në fund të frigoriferit, nuk mund ta ha deri në fund.”
Prof Spence tha se trendet e ushqimit dhe pijeve “u nxitën nga brezat e rinj dhe nga mediat sociale më shumë se çdo gjë tjetër, me atë aluzion të ekzotikës”.
Për atë që mund të jetë trendi i madh i radhës, ai tha se nuk ishte aq i sigurt për momentin: “Jam pak përtej asaj gjenerate që i ka gishtat në pulsin e mediave sociale”.
Në një botë ku “likes” vlejnë sa kaloritë, çokollata e Dubait na kujton se rruga drejt famës globale kalon shpesh përmes një fotografie të përsosur në Instagram dhe një fëstëku të gjelbër që shkëlqen në kontrast me çokollatën kafe.
Pra, kur persona me ndikim publik postojnë për një ushqim të caktuar, ai merr menjëherë vëmendje masive. Ndjekësit duan të provojnë “atë që po hanë të tjerët”, për t’u ndjerë pjesë e trendit.
Ushqime që vijnë nga vende të largëta ose që lidhen me luks (si Dubai) zgjojnë kurreshtje dhe dëshirë për t’u provuar, përjetohen si diçka e re dhe prestigjioze.
A i bjen që një ushqim “shpërthen” kur kombinon pamjen e bukur, ndjesinë e re dhe fuqinë e rrjeteve sociale?
