Fakte abstrakte
25 Prill, 2025
A të ka ndodhur ta kesh një kërkesë, që në shkrimet të shtosh “më shumë thellësi-depth”, analizë, tema e shkrime që nisin tema tjera në publik/audiencë? Kur shkruaj për “Paper Blog” dhe për kategorinë e “Ditarit të aktualitetit”, disa ditë marrë komente të mira e disa ditë ndryshojnë mendimet më kërkohen shkrime me thellësi.
Në tentim për të gjetur tema të tilla, shpesh shkoj më larg se që duhet, pastaj kujtohem pak (një ditë ose dy) dhe e gjej që në fakt, çka njerëzit thonë dhe bëjnë, përbën lajm. Përshembull veset, shpesh lindin prej boshllëkut por të njëjtat rriten me përsëritje.
Nuk është që njerëzit zgjedhin me pasë vese si zgjedhin me pasë hobi. Veset zakonisht vijnë si ilaç edhe nëse janë helm.
Dikush pi duhan sepse e qetëson, dikush ha kur është i mërzitur, dikush humb orë në telefon sepse i ikën vetes. Janë mekanizma mbijetese që me kohë bëhen mënyrë jetese.
Sot duke u menduar thash: a thu ai shoku/shoqja që nuk i nalet goja kur jemi duke shiku një film dhe vazhdimisht bën pyetje, nga i ka mbetë ky ves?
E gjeta një përgjigje duke hulumtu e thash ta ndajë me ju duke e elaboru pak ma gjerë.
Ndoshta prej kohës kur është rritë në shtëpi s’i kanë dhënë kurrë hapësirën ta përfundoj një fjali pa ndërhyrë. Ose ka qenë ai/ajo që gjithmonë është dashtë me u sqaru për gjithçka.
Ose thjeshtë nuk duron misterin, çdo enigmë duhet të zgjidhet para se të zgjidhet në film.
E veset, sidomos këto të voglat, e gjejnë vendin te njerëzit që duan kontrollin ose ngrohtësinë, edhe kur ajo vjen në formë komenti gjatë një skene dramatike.
Ka mundësi që ai ves është një mburojë, mos u zhyt shumë në emocion. E për disa njerëz, është më e lehtë me folë, sesa me ndje.
Më e thjeshtë me bë pyetje, sesa me u lëshu në një histori që mund të lë gjurmë.
Tash ka persona që i pëlqejnë pyetjet që u bëhen, mund t’u pëlqej sepse vijnë prej një personi të dashur, mund t’u pëlqej sepse kanë qejf kur njerëzit tregojnë kuriozitet.
Nganjëherë zhurma është mënyra më e bukur për të ndarë një përjetim.
Po qe çysh doket një skenë kur pyetjet e tyre të pengojnë:
Në errësirën e sallës, dritat shuhen. Një tjetër botë hapet para syve tanë. Heshtja fillon të ndërtojë magjinë. E në atë çast… ti flet.
Je zëri që s’vjen nga filmi, por që sfidon filmin. Si komentatori i padukshëm që e din ngjarjen më mirë se regjisori.
I fortë, i ngutshëm, plot fjalë që askush s’i ka kërku dhe ne tjerët të mbledhur në errësirë, jemi ata të heshturit që kanë ardhë me pa një histori jo me dëgju narracionin tënd paralel.
Kur të nisin titrat, ti nis opinionin. Kur aktori qan, ti bon shaka.
Kur vjen muzika që na prek, ti i thua “qajo është kënga që e kam në playlist.”
E në fund, kur përfundon filmi, ti thua: “nuk më la ndonjë përshtypje.”
Shok, je si ai personazhi që vdes në minutën e parë, po që flet gjithë filmin prej parajsës, me koment.
Dukesh disi sikur momenti kur Jack (Di Caprio) mbytet në “Titanic” dhe ti po e shpjegon pse ajo dera kishte vend për dy veta.
Kur John (Al Pacino) flet me Zotin në “The Devil’s Advocate” dhe ti bëhesh se je Zoti.
Kur “Rambo” shkon i vetëm kundër krejt një ushtrie, ti thua “këtu e ka gabim regjia.” E kur tek “La vita è bella”, ti thua “pse s’e pa që po vdes i biri?”
Po ne, shoku jem, duam ta shohim jetën të bukur pa ndërprerje.
Pra, herën tjetër, kur të ulemi me ty me pa film, mos u sill si titrat tek filmat që nuk kanë përkthim. Sillu si zëri i një kënge të vjetër, që s’e prish kurrë momentin.
Si “Sound of Silence”, se filmi nuk është për t’u treguar, është për t’u përjetuar në heshtje si lutje, si dashni që nuk ka nevojë me u emërtu.
Në fund të fundit, s’po t’them mos fol kurrë, veç prit… prit deri në credits, e pastaj, kur ta shohësh emrin tand në listë “Disturbance consultant”, atëherë fol sa të duash.