Live Stories from Prishtina

LIVE

21 Nëntor, 2024

Fjalët janë më të rënda se plumbi! Për më tepër, fjalët nuk duhet të të lëndojnë kur ato janë pikërisht ato që vetë ke deklaruar.

Që raportet mes tyre nuk janë siç kanë qenë, kjo vërehet qartë edhe nga larg. Për ne, është e rëndësishme që mos të dëmtohemi në politikat e jashtme. Kur njëri thotë diçka dhe tjetri thotë krejtësisht diçka tjetër, vetëm sa e bëjnë më të dukshme mungesën e koordinimit institucional.

Nëse përmes fjalëve të shkruara nuk ia dolëm ta pasqyrojmë për kë bëhet fjalë, po ju themi: po flasim për presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.

Në fjalimin e saj vjetor në Kuvend, presidentja Osmani nuk arriti të jetë aq direkte për të folur rreth hatërmbetjes për vizitën e kryeministrit Kurti në Maqedoninë e Veriut. Me qëllim, ajo e kaloi përgjegjësinë drejt ndërkombëtarëve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar sqarime lidhur me deklaratat e saj mbi krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndër të tjera, theksi i saj kryesor ishte:
“Drafti i Asociacionit të mos u lihet në dorë atyre që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës.”

Për kë e ka pasur fjalën? Sepse dikur as kryeministri Kurti nuk e kishte pranuar pavarësinë e Kosovës.

Nejse… Ajo tha se e ka pasur fjalën për lehtësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak, dhe se nuk ka kërkuar krijimin e Asociacionit.

“Kur unë kam propozuar që drafti i Asociacionit të diskutohet me SHBA-në, kjo ka pasur për qëllim që të mos i lihet në dorë Lajçakut dhe të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk ka nënkuptuar që unë kam kërkuar themelimin e Asociacionit, por ka nënkuptuar që kam më shumë besim te vetja dhe SHBA-ja sesa te disa burokratë nga shtete mosnjohëse,” ka theksuar ajo.

Megjithatë, mes tyre ka një pikë të përbashkët, ku pajtohen dhe takohen: trajtimi i padrejtë i Kosovës nga BE-ja.

“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka qenë plotësisht i pabalancuar, me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm për Serbinë. Fakti që sot, në tavolinën e dialogut, Serbia nuk është nën masa, ndërsa Kosova, viktima e agresionit, është nën masa, është dëshmi e kësaj mungese balanci. Është e domosdoshme të ketë reflektim ndaj kësaj qasje nga ata që duan paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë,” është shprehur Osmani.

Pa hezitim, presidentja nuk ka harruar të theksojë meritat e kujt janë. Ajo ka thënë se binomi Ibrahim Rugova – Adem Jashari ka bërë që themelet e shtetit të Kosovës të jenë jashtëzakonisht të forta.