Kojshtië
4 Maj, 2025
(Një skicë përmes shkrimit)
Je duke menduar t’ja nisësh të bëhesh gati sepse para vetës do kesh një takim për të cilin i thua vetës, të mos brengosesh po në të njëjtën kohë të bën të mendosh për veshjen që do ta zgjedhësh, duke menduar truri yt ka ndaluar nuk po ndërmerr veprime dhe vetëm po bën “scroll” në telefon, e ke përlyer ekranin e telefonit, pasi duart i ke gjatë gjithë kohës të djersitura nga sikleti.
E kjo gjendje mund të jetë saktë e një vajze (meqenëse edhe po shkruhet nga këndvështrimi i saj), e cila gjithmon takimet e saj romantike është munduar t’i thjeshtësoj duke i cilësuar thjeshtë si një takim për kafe, e pastaj kanë rezultuar ta bëjnë ta mendoj e stërmendoj nëse do apo nuk do fare prap një takim romatikë.
Nejse…me ngjashmëritë e dallimet mes tyre, le të tregojmë si është në ditët e sotme një takim romantik në Prishtinë dhe Tiranë.
Nëse ke qenë beqar/e në Prishtinë ose Tiranë gjatë pesë viteve të fundit, ka shumë gjasa që ke provuar të njëjtën skemë romantike me pak ndryshime gjeografike: takimi fillon me një “flat white” dhe ka mundësi të përfundoj pa një takim të dytë, me një “soft block” në Instagram, apo me shumë takime të tjera që e dërgojnë në nivele të tjera takimin tashmë të shndërruar në një lidhje. Fillon si një story filozofike se si janë takuar dhe vazhdon deri tek thirrja për kafe jashtë…
Në Tiranë, po definojmë atë çiftin që u takuan përmes një mbledhjeje në punë. Ai ishte sapiosexual, ndaj kimi me të pati jo kur e pa, por kur ajo nisi të flasë. Si pa dashur, ai tipi, vuri re tek vajza një ngjashmëri në stilin e veshjes që ai e preferonte. Përmes bluzës në formë “v” që vinte në pah dekoltenë dhe aksesorin me simbol engjulli, në qafën e gjatë e deri tek sambat ngjyrë rozë dhe të verdhë, që atij i dukej se po shfaqte talentin e saj me artin. Ndërsa asaj, e tëra çka ja mori vëmendjen ishte shkëmbimi i përshëndetjes. Ai moment, i dha një “energy alignment”.
Në Prishtinë, po e përshkruajmë atë çiftin që u takuan rastësisht në një ekspozitë arti, jo se ishin aty për artin, por sepse dikush i kishte tërhequr me zor. Ai nuk ishte tipi që bie shpejt në sy, por ajo e kapi në momentin që komentoi një pikturë me një sarkazëm të hollë. Kishte diçka në mënyrën si mendonte, që e preku direkt dhe ai moment u bë shkëndija. Ajo kishte flokë të çrregullt, një çantë të vogël mbi supe dhe sy që nuk të kërkonin leje për të të parë drejt. Ai u afrua me një shprehje të qetë, ” A jemi në të njëjtën frekuencë”, i tha më vonë. Dhe ajo e kuptoi që kishte një “connection” që nuk vinte nga pamja, por nga diçka që vetëm Prishtina ta dhuronte, lirinë dhe ndjeshmërie që nuk ke ku e fsheh.
Në Tiranë, takimet nuk janë veç emocionale, janë edhe estetikisht të kuruara për t’u dokumentuar. Radio Bar, duket vend i mirë, sikur të gjithë i shikojnë vetëm punën e tyre. Në ditët para se të dilnin në takim, çunit, i ka lënë mbresa se vajza nuk poston foto nga palestra edhe pse e çanë gym-in, kur takohen çka porositin për të pirë, nuk tregon më për ta, sepse interesimi është me pa çka po flitet. S’ka dert a ke porosit gin a veç ujë, cilado t’ka hije kur e di “çka po don”. Në bisedë e sipër e kupton që ajo nuk shikon podcaste për “law of attraction” por lexon romanet klasike (vërehet kur në muhabet i thotë fjalinë “ke një mendje që të magjepsë”). Por rrotullazi, ta përmend një shok që këtij sa filloi t’i lë mbresa një mend (sepse ka dates të para që janë të shtirura) në mendje, shokun e saj fillon ta shoh si partnerin e saj potencial që ajo po e ëndërroka. Poashtu nëse nuk e di destinacionin tënd në jetë por e di fort mirë t’i tregosh se ku do jetë takimi juaj i dytë apo nuk e ke bërë ndonjë detox digjital, nuk je material për një takim tjetër.
Po në Prishtinë, gjithçka ndodh pas orës 19:00. Puna mbaron, por gjithmonë në tavolinat e kafeve ma të famshme të kryeqytetit, nuk luhet francuzi, po tamam testohen teoritë për dashurinë, jetën dhe më e rëndësishmja, flitet se një çift a më mirë jeton në Kosovë apo diku me tren nëpër Evropë.
Kur muhabetin në ekspozitë ke ditë me shfrytëzu, hala pa ja bo “follow” në instagram, qaty ke “rrokë bingo”. Se me një fjali të thjeshtë e ke kuptu që kjo çika është single edhe e ke thirrë me dalë, pa të analizu çfarë story poston, e kur t’ka thanë “po” pasi që i ke thanë “a po don me pi nga një gotë nesër?”, nëse t’ka pëlqy fort, veç ja nis me ja bajtë gajle “çysh me dal edhe në një takim të dytë?”. Ajo ka hezitu pak, jo se nuk i pëlqente, por sepse takimi i parë në ekspozitë ndodhi rastësisht dhe për disa njerëz, rastësia është më e fortë se plani. Por ftesa për te Tutto Vino, te rruga e Dubrovnikut, mbrapa Bibliotekës Kombëtare, flet për thjeshtësi, sharm edhe foksuin tënd për me zhvillu një bisedë ashtu siç duhet.
Natën e takimit, djali natyrisht ka shku pak ma herët, kësaj here, secili shkon vetë sepse është hera e parë që u takuan. Me të shkuar në takim, t’i ke zgjedhur një verë të bardhë që sipas kamarierit “shkon e bardha kur s’ke shumë fjalë”.
Kur ajo erdhi, ti nuk e njohe menjëherë, sepse s’e kishe parë ashtu: flokët e lidhura, një shall i hollë me ngjyrë qielli dhe një çantë që dukej sikur vetëm një buzëkuq zë.
Pasi e përshëndet, e fillon me një bisedë: “Në ekspozitë, m’u duk që po të mërziste çdo njeri që po përpiqej t’i jepte kuptim punëve” me një përgjigje të vajzës “Më mërziste ajo ideja që gjithçka duhet me pasë shpjegim. Disa gjëra veç janë”. Kështu pra duket kur tenton të tregosh se ke interes.
Në fund, ky është vetëm një pasqyrim i vogël i asaj çka mund të ndodhë gjatë takimeve romantike në qytetet tona. Nuk ka një formulë të vetme për dashurinë, dhe çdokush e ka mënyrën e vet se si e përjeton dhe e shpreh atë. Takimet janë të ndryshme, por gjithmonë mbeten të njëjtat në esencën e tyre, mund të fillojnë si thjesht një kafe, por gjithmonë do të kenë atë momentin e parë që të bën të mendosh se mund të jetë diçka më shumë. Disa takime mund të përfundojnë me një soft block, ndërsa të tjerë mund të çojnë në një lidhje të vërtetë.